Kineton Albania - Startupi që po ndërton të ardhmen e industrisë automotive në Shqipëri! - Business Magazine Albania

Kineton Albania – Startupi që po ndërton të ardhmen e industrisë automotive në Shqipëri!

Kineton Albania - Startupi që po ndërton të ardhmen e industrisë automotive në Shqipëri!

Kineton Albania, një startup inovativ në industrinë automotive, ka sjellë një frymë të re në tregun shqiptar duke kombinuar ekspertizën teknologjike me  vizionin e qartë për të ardhmen. Në këtë intervistë, bashkëthemeluesi Mario Kazazi na ndan historinë pas këtij startup-i të suksesshëm, arritjet deri më sot dhe planet ambicioze për të ardhmen. Nga krijimi i një brezi të ri inxhinierësh automotivë e deri tek partneritetet ndërkombëtare, Kineton Albania synon të bëhet një qendër ekselence që kontribuon në zhvillimin e industrisë automotive në nivel global.

Na tregoni pak për historikun e startup-it tuaj. Si lindi ideja dhe cilat ishin hapat fillestarë që ndërmorët për të krijuar këtë biznes?

Kineton Albania lindi nga dëshira për të kontribuar në zhvillimin e Shqipërisë, duke sjellë ekspertizë dhe inovacion në vend. Bashkëthemeluesi Dr. Mario Kazazi kthehet në Shqipëri pas 27 vitesh emigrimi, me një përvojë të pasur akademike dhe profesionale në fushat e inovacionit dhe teknologjisë. Duke besuar se një model biznesi që përfshin dhe fuqizon të rinjtë shqiptarë në zhvillimin dhe testimin e softuerit për industrinë automotive do të rezultonte i suksesshëm, ai nisi hapat e parë drejt themelimit të Kineton Albania. Për shkak se universitetet dhe kompanitë nuk ofrojnë ose parashikojnë formimin e një profili që përmban kompetencat e nevojshme të inxhinierit automotive, hapat fillestarë u përqendruan në krijimin e një akademie që zhvillon kompetencat e kërkuara nga industria dhe tregu evropian.

Cilat janë arritjet më të mëdha të deritanishme të startup-it tuaj?

Një nga arritjet më të rëndësishme është krijimi dhe formimi i brezit të parë të inxhinierëve automotive në Shqipëri, të cilët tashmë ofrojnë shërbimet e tyre për disa nga prodhuesit më prestigjiozë të automjeteve në Evropë, si McLaren, Stellantis, Aston Martin dhe Garrett. Kemi ndërtuar një ambient pune inovativ dhe motivues, ku çdo individ ka mundësinë të zhvillohet profesionalisht. Po ashtu, kemi vendosur bazat për një zhvillim të qëndrueshëm dhe vizion afatgjatë duke krijuar partneritete ndërkombëtare me ndikim të madh në industrinë tonë.

Si e shihni zhvillimin e startup-it tuaj në 3-5 vitet e ardhshme?

Në 3-5 vitet e ardhshme, synojmë të shndërrohemi në një qendër ekselence me reputacion evropian, duke zgjeruar ndjeshëm si stafin ashtu edhe të ardhurat. Për ta arritur këtë, do të forcojmë marrëdhëniet me universitetet, duke krijuar një urë të fortë midis arsimit dhe një karriere të suksesshme në industrinë automotive. Kjo përfshin organizimin e trajnimeve praktike të specializuara që ofrojnë përvojë të drejtpërdrejtë (hands-on) për studentët. Një element thelbësor i strategjisë sonë do të jetë investimi në Kërkim dhe Zhvillim (R&D), me fokus në trendet inovative në këtë industri si teknika të avancuara simulimi, integrimin e inteligjencës artificiale, dhe sigurinë kibernetike. 

Si e vlerësoni mbështetjen e qeverisë dhe institucioneve të tjera për startup-et në vendin tonë?

Mbështetja e qeverisë shqiptare për inovacionin ka qenë gjithnjë në rritje dhe kemi vënë re që industria automotive po merr nje fokus të veçantë. Ne kemi përfituar nga nisma të rëndësishme si Startup Albania, dhe besojmë se kjo mbështetje do të jetë e vazhdueshme dhe thelbësore për zhvillimin tonë. Gjithashtu, kemi pasur kontakte me agjenci të tjera që kanë shprehur interes për të bashkëpunuar me ne në projektet e ardhshme, gjë që na jep shpresë për rritje dhe përparim të mëtejshëm në industrinë automotive.

A keni ndonjë partneritet apo bashkëpunim që ka qenë kyç për zhvillimin e startup-it tuaj?

Po, partneriteti me Kineton Italia ka qenë vendimtar për suksesin tonë. Ky bashkëpunim na ka siguruar mbështetje në teknologji dhe ekspertizë teknike. Mbështetja ka rezultuar thelbësore për zhvillimin dhe formimin e profesionisteve te rinj në Kineton Albania, duke na mundësuar të ofrojmë shërbime të cilësisë së lartë. Për më tepër, kemi ndertuar marrëdhënie të forta me klientë ndërkombëtarë, ku ekipet e Kineton Albania janë angazhuar në zhvillimin e teknologjive për veturat e së ardhmes.

Lexo edhe:Gastronomët dhe personalitetet e vlerësuara në panairin e parë pan shqiptar në Berlin

Së fundmi, ju keni qenë një ndër startup-et e përzgjedhura për grantin e dhënë nga qeveria. Cilat janë projektet që keni në plan të realizoni me ndihmën e këtij granti?

Objektivi ynë është krijimi i një infrastrukture moderne për testimin dhe diagnostikimin e softuerit të automjeteve të së ardhmes. Me ndihmën e këtij granti, planifikojmë të hedhim hapin e parë drejt këtij projekti ambicioz, duke përdorur fondet për të blerë pajisje harduerike, licenca, si dhe për trajnimet e nevojshme. Këto do të na mundësojnë analizimin dhe testimin e rrjeteve CAN (Controller Area Network) dhe protokolleve të tjera të komunikimit automobilistik, si LIN, FlexRay dhe Ethernet. Ky investim do të jetë një hap kyç për ta pozicionuar Kineton Albania si një qendër teknike të avancuar në rajon.

Cila është vizioni juaj për të ardhmen e startup-it dhe si dëshironi që të kujtohet startup-i juaj në industrinë ku operoni?

Vizioni ynë është të ndërtojmë një qendër ekselence me ndikim të rëndësishëm në nivel ndërkombëtar, duke kontribuar në inovacionin dhe zhvillimin e industrisë automotive ne vend. Synojmë të jemi një pikë referimi për cilësinë dhe ekspertizën teknologjike në këtë fushë. Dëshirojmë që startup-i ynë të kujtohet si një kompani që ka ndihmuar në formimin e profesionistëve të rinj, duke u ofruar atyre një trampolinë drejt karrierave të suksesshme në industrinë automotive nderkombetare. Nëpërmjet angazhimit tone shpresojmë të kemi një ndikim të qëndrueshëm dhe pozitiv, duke përgatitur gjenerata të reja dhe sjellë ndryshime inovative në këtë industri.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0