Jeff Bezos 2.0: Gruaja e re, puna pothuajse e re dhe një vizion i vjetër - Business Magazine Albania

Jeff Bezos 2.0: Gruaja e re, puna pothuajse e re dhe një vizion i vjetër

Jeff Bezos 2.0: Gruaja e re, puna pothuajse e re dhe një vizion i vjetër
~7 minuta lexim

Jeff Bezos jeton sipas një parimi të thjeshtë: të kufizojë numrin e gjërave që do të donte të kishte bërë ndryshe kur të mbushë 80 vjeç. Ai e quan këtë, me stilin e tij tipik prej entuziasti të teknologjisë, “korniza e minimizimit të pendesës”. Ishte kjo filozofi që e çoi në vitin 1994 të linte një punë të rehatshme në një fond investimesh dhe të krijonte Amazon. Po kjo mënyrë të menduari është pas edhe vendimeve të mëdha që e kanë kthyer Amazon në një gjigant teknologjik me vlerë 2.3 trilionë dollarë – dhe atë vetë në një nga njerëzit më të pasur të botës. E njëjta qasje e bëri që gjashtë vite më parë të ndahej nga bashkëshortja e tij e parë pas 25 vitesh martesë, për të nisur një lidhje me prezantuesen televizive Lauren Sánchez. Dhe ndoshta për këtë arsye, ai shpenzoi rreth 50 milionë dollarë për një dasmë madhështore tre-ditore në Venecia, duke sfiduar çdo kritikë ndaj jetës së luksit të miliarderëve.

Në moshën 61-vjeçare, Bezos ka një kuptim edhe më të qartë të gjërave që do të donte të kishte bërë kur të mbushë 80 vjeç. Për të kuptuar më mirë se ku e ka fokusin sot, mjafton të shikojmë se si e ndan kohën dhe si e shpenzon pasurinë e tij prej 240 miliardë dollarësh.

Pas muajit të mjaltit, hollësitë e të cilit mbeten të fshehta, ndryshe nga vetë dasma e zhurmshme, Bezos do t’i rikthehet dashurisë tjetër të jetës së tij – Blue Origin. Bezos ka qenë një entuziast i hapësirës që prej vitit 1969 kur, si 5-vjeçar, pa zbarkimin e Apollo 11 në Hënë. Në vitin 2000, ai themeloi kompaninë Blue Origin me moton latine “gradatim ferociter” – hap pas hapi, por me vendosmëri – për të ulur koston e udhëtimeve në hapësirë përmes mjeteve të ripërdorshme. Qëllimi përfundimtar? Të mundësojë që njerëzimi të zhvillohet në hapësirë, ndërsa planeti Tokë të ruhet si një rezervat natyror. Deri në vitin 2021, kur dha dorëheqjen si CEO i Amazon, Bezos caktonte rregullisht gjysmë dite çdo javë pune (dhe mëngjeset e së shtunës) për t’u marrë me Blue Origin. Ai e ka pranuar vetë se një nga arsyet që u largua nga drejtimi i Amazon ishte se Blue Origin po lëvizte shumë ngadalë dhe pa vendosmëri të mjaftueshme. Në atë kohë, SpaceX, rivali i saj që ishte krijuar dy vite më vonë, po dërgonte dhjetëra ngarkesa në orbitë çdo vit, ndërsa Blue Origin nuk kishte realizuar ende asnjë nisje të suksesshme. Në katër vitet e fundit, Bezos i ka dedikuar 90% të kohës së tij Blue Origin-it. Edhe pse është pronari i vetëm, ai nuk merret me menaxhimin e përditshëm – këtë rol e ka David Limp, një ish-drejtor në Amazon që drejtonte projektet si Alexa, Kindle dhe iniciativën satelitore Project Kuiper për të konkuruar me sistemin Starlink të SpaceX.

Lexo edhe:Kapitali në ikje, 1.57 mld euro të investuara jashtë

Megjithatë, sipas burimeve të brendshme, Bezos është në praktikë një bashkë-CEO dhe problem-zgjidhës kryesor. Ai është vazhdimisht në kërkim të mënyrave për ta bërë më efikase funksionimin e katër fabrikave dhe shtatë zyrave të Blue Origin nëpër SHBA. Vendimi i kompanisë në shkurt për të larguar 10% të stafit – rreth 1,400 punonjës – mban qartësisht gjurmët e stilit të tij menaxherial të rreptë. Por nuk ka shumë vend për pendesë: dy vite më parë Blue Origin fitoi një kontratë për të ndërtuar një mjet ulës për misionin e NASA-s për rikthimin e njeriut në Hënë. Në janar, raketa New Glenn u lëshua për herë të parë dhe arriti me sukses orbitën. Edhe pse faza e parë nuk u rikuperua – siç bën zakonisht SpaceX – kjo shënoi një hap të rëndësishëm. Nisja e dytë është planifikuar për muajin gusht. Dhe më shumë kontrata federale mund të vijnë rrugës: Elon Musk ka acaruar raportet me presidentin amerikan, ndërsa Bezos, përkundrazi, i ka shtrirë dorën e miqësisë, duke e ftuar në dasmë (ftesë e refuzuar), dhe ka zbutur tonin kritik ndaj Trump në gazetën The Washington Post, që e zotëron.

Po për pjesën tjetër të javës së Bezos, atë 10% që nuk i dedikohet Blue Origin apo aktiviteteve rreth saj? Amazon po ecën fuqishëm nën drejtimin e pasardhësit që vetë ai zgjodhi, Andy Jassy. The Washington Post duket gjithnjë e më shumë si një shpërqendrim. Ndërkohë, përkushtimi i tij i dytë më i madh sot është Bezos Earth Fund, një fondacion me vlerë 10 miliardë dollarë që ka për mision të ruajë Tokën, në të njëjtën kohë që Blue Origin përpiqet të bëjë hapësirën të banueshme.

Kjo dëshirë e dyfishtë pasqyrohet gjithashtu edhe në investimet e tij. Pasuria e Bezos rrjedh kryesisht nga 8.6% e aksioneve në Amazon, që kapin vlerën e 200 miliardë dollarëve. Ato menaxhohen pjesërisht përmes zyrës së tij familjare, Bezos Expeditions, që sipas të dhënave të PitchBook, kontrollon mbi 108 miliardë dollarë në asete – sa një fond pensionesh i një shteti të madh si Ohio.

Më parë, Bezos Expeditions ka investuar herët në kompani si Airbnb, Twitter (sot X), Uber dhe të tjera startup-e që u bënë marka globale. Edhe pse mund të ketë përfituar duke u tërhequr nga to para se të bëheshin publike, performanca e mëvonshme në treg e këtyre kompanive nuk ka qenë e jashtëzakonshme – më e mirë se ajo e indeksit S&P 500, por jo sa NASDAQ dhe shumë më poshtë se Amazon.

Për të shkuar përpara (pa pendesa)
Sot, portofoli i Bezos duket më vizionar – dhe ndoshta më i nevojshëm për një specie që aspiron të jetojë në hapësirë por që mban dashuri për Tokën. Ai ka investuar në startup-e që zhvillojnë trurin dhe forcën fizike të robotëve (si Skild AI, Physical Intelligence, RIVR Technologies), në ndërfaqe që lidhin trurin e njeriut me gjymtyrë artificiale (Synchron), në energji të pastër si General Fusion që kërkon të prodhojë energji si ajo e diellit, dhe në NotCo, që përdor AI për të krijuar produkte ushqimore bimore. Po ashtu, ka mbështetur Atlas Data Storage, që kërkon të ruajë informacionin jo në silikoni, por në ADN sintetike. Dhe padyshim, ka derdhur miliarda (ende të papublikuara) në Blue Origin.

Për disa, gjithë kjo mund të duket si një miliarder që ka kaluar kulmin dhe po kërkon ku të harxhojë pasurinë. Por më saktë do të ishte të thuhej se ai po përmbush ëndrrën e fëmijërisë – dhe po e bën pa pendesa.

the economist

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Puna jote do të mbushë një pjesë të madhe të jetës tënde.”
— Steve Jobs
Must watch
Business Mag Nr. #38 - Qershor 2025

Shqipëria është sot më pranë se kurrë Bashkimit Europian. Hapat integrues të ekonomisë drejt njëjtësimit me standardet europiane, transformimi digjital, ligji për mbrojtjen e të dhënave, qasja ndaj inovacionit dhe mbrojtja e pronës intelektuale, janë të gjitha tregues të një Shqipërie që po zhvillohet me ritme të kënaqshme.

Kjo nuk është më Shqipëria e viteve të gjumit institucional dhe të një sektori privat që rri në pritje. Sot, vendi është në lëvizje. Nga hapësirat e betonit gri të Piramidës në Tiranë, ku të rinjtë po programojnë të ardhmen, e deri te sipërmarrjet që sjellin zgjidhje inovative dhe injektojnë ritëm e ambicie në treg, po ndërtohet një ekonomi që kërkon të jetë pjesë e botës së zhvilluar.

“Krijo, por mbro!” – ky apel i DPPI-së duhet të shkruhet në çdo zyrë, studio, fabrikë apo laborator. Nuk ka zhvillim pa siguri ligjore, dhe nuk ka ekonomi kreative pa mbrojtje të së drejtës autoriale.
Në të njëjtën kohë, Bashkimi Europian po zgjat dorën me fonde dhe projekte konkrete. Nga modernizimi i rrjetit hekurudhor tek financimi i startup-eve dhe sipërmarrjeve të gjelbra, mbështetja e BE-së po i jep frymë një transformimi të qëndrueshëm ekonomik. Platformat si Think Big dhe programet e edukimit digjital janë duke krijuar një ekosistem të ri për inovacionin.

Për bizneset shqiptare, e tashmja është një mundësi që nuk mund të shpërdorohet. Standardet …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0