Përktheu dhe përshtati: Babeta Rexhepi
Autori Rutger Bregman nëpërmjet një analize të kujdesshme na tregon sesi të punuarit më pak mund të zvogëlojë stresin, të ndikojë në uljen e aksidenteve, ndryshimin e klimës, rritjen e barazisë gjinore dhe shumë problemeve të tjera që përballet shoqëria sot.
Sikur të kishit pyetur ekonomistin më të madh të shekullit XX se cila do të ishte sfida më e madhe e shekullit XXI, ai nuk do të duhej të mendonte dy herë për të thënë: Koha e lirë.
Megjithatë, në ditët e sotme sfidat tona më të mëdha nuk janë koha e lirë dhe mërzia, por stresi dhe pasiguria. Pse po punojmë kaq shumë? Në eksperimente të ndryshme nga Henry Ford dhe W.K. Kellogg, është zbuluar që produktiviteti dhe orët e gjata të punës nuk shkojnë dorë për dore. Në vitet 1980, punonjësit e Apple veshën bluza që shkruanin: “Të punosh 90 orë në javë dhe ta duash atë!” Më vonë, ekspertët e produktivitetit llogaritën që nëse do të kishin punuar gjysmën e orëve, bota mund të kishte shijuar kompjuterin novator Macintosh një vit më parë.
Ka indikacione të forta se në një ekonomi moderne të dijes (sistemi ekonmik, ku prodhimi i mallrave dhe shërbimeve bazohet kryesisht në aktivitete intensive të dijes që kontribuojnë në një ritëm të shpejtë të përparimit në inovacionin teknik dhe shkencor) edhe të punosh 40 orë në javë është shumë. Hulumtimet sugjerojnë që dikush që karakterizohet nga aftësitë e tij krijuese, mund të jetë mesatarisht produktiv për jo më shumë se gjashtë orë në ditë. Nuk është rastësi që vendet e pasura të botës, ato me një klasë të madhe krijuese dhe popullsi shumë të arsimuar, kanë caktuar kohën më të lartë për pushim, në javët e tyre të punës. Dhe të punosh më pak me të vërtet mund të zgjidhë shumë nga problemet më të mëdha të botës.
Të punosh më pak mund të zvogëlojë stresin – studime të panumërta kanë treguar se njerëzit që punojnë më pak janë më të kënaqur me jetën e tyre.
Rezulton se, të punuarit më pak ndikon dhe në ndryshimin e klimës. Një zhvendosje mbarëbotërore në një javë më të shkurtër të punës mund të ulë gjysmën e CO2 të emetuar këtë shekull. Vendet me një javë më të shkurtër pune kanë një gjurmë më të vogël ekologjike. Konsumi i më pak fillon me punën më pak – ose, akoma më mirë, me konsumimin e prosperitetit tonë në formën e kohës së lirë.
Meqenëse ditët e gjata të punës çojnë në më shumë gabime, ditët e shkurtra të punës mund të zvogëlojnë aksidentet. Puna shtesë është vdekjeprurëse. Kirurgët e lodhur janë zbuluar të jenë më të prirur për përjetim burnout (gjendje sfilitjeje emocionale, mendore dhe fizike), dhe ushtarët që marrin më pak kohë për t’u relaksuar janë më të prirur të humbin objektivat.
Të punosh më pak mund të ulë papunësinë. Në kohë recesioni, me rritjen e papunësisë dhe prodhimin që tejkalon kërkesën, ndarja e vendeve të punës mund të ndihmojë në zbutjen e goditjes. Studiuesit në Organizatën Ndërkombëtare të Punës kanë arritur në përfundimin se ndarja e punës – në të cilën dy punonjës me kohë të pjesshme ndajnë një ngarkesë pune të caktuar tradicionalisht për një punëtor me kohë të plotë – çoi drejt zbutjes së efekteve të recesionit në vitet 2008-2009 mbi punëtorët.
Lexo: 6 këshilla për shndërrimin e klientëve potencialë në blerës
Barazia gjinore mund të kthehet në një realitet. Vendet me javë të shkurtra pune vazhdimisht renditen në vendet me rritjen më të madhe të barazisë gjinore. Çështja kryesore është arritja e një shpërndarjeje më të drejtë të punës. Vetëm derisa burrat të bëjnë pjesën e tyre të duhur të gatimit, pastrimit dhe punës tjetër shtëpiake, gratë do të jenë të lira të marrin pjesë plotësisht në ekonominë e gjerë. Askund nuk është hendeku kohor midis burrave dhe grave më i vogël se në Suedi, një vend me një sistem vërtet të mirë për kujdesin për fëmijët dhe pushimin atëror. Dhe pushimi i atësisë, në veçanti, është thelbësor: Burrat që kalojnë disa javë në shtëpi pas lindjes së një fëmije u kushtojnë më shumë kohë grave të tyre, fëmijëve të tyre dhe ushqyerjes sesa do të kishin bërë nëse do të ishin duke punuar.
Kërkimet në Norvegji kanë treguar se burrat që marrin pushim atësie kanë 50% më shumë gjasa të ndajnë detyrat e shtepisë me gratë e tyre. Pushimi i atësisë është një kal i Trojës me potencialin për të ndryshuar me të vërtetë vrullshëm, luftën për barazi gjinore.
Të punosh më pak gjithashtu mund të zvogëlojë pabarazinë. Vendet me pabarazi më të mëdha ekonomike janë pikërisht ato me javët e punës më të gjatë. Ndërsa të varfërit po punojnë me orë të gjata dhe të pasiguruar, të pasurit po e shohin gjithnjë e më “të shtrenjtë” mundësinë për të marrë pushim ndërsa normat e tyre për orë rriten. Si rrjedhojë, ne po vuajmë nga dhimbjet në rritje të ndryshimeve tepër të shpejta.
Sot, ëndrra për një javë më të shkurtër pune frenohet nga poltikanë, të cilët vështirë se e mbështesin ate, madje edhe me stresin dhe rritjen e papunësisë. Por, koha e lirë është po aq jetësore për trurin tonë sa vitamina C është për trupin tonë.
Nëse vërtet mund ta bëjmë atë, është koha që të fillojmë të përgatitemi.
Së pari duhet të pyesim veten: A është një javë më e shkurtër pune ajo që duam? Anketuesit tashmë u kanë bërë njerëzve në të gjithë botën këtë pyetje dhe përgjigjia është “Po, shumë!”. Kur shkencëtarët amerikanë vëzhguan punonjësit për të zbuluar nëse ata preferonin të kishin pagë shtesë prej dy javësh ose dy javë pushim, dy herë më shumë njerëz vendosën për kohën shtesë. Kur studiuesit britanikë pyetën punonjësit nëse preferojnë të fitojnë lotari apo të punojnë më pak, përsëri, dy herë më shumë zgjodhën këtë të fundit. Mjaft prova tregojnë për faktin se nuk mund të bëjmë pa një dozë të konsiderueshme ditore të pushimit. Të punosh më pak siguron energji për gjëra të tjera që janë gjithashtu të rëndësishme për ne, si familja, përfshirja ne komunitet dhe rritje të kreativitetit.
Pyetja e dytë është: Si mund të arrijmë të punojmë më pak?
Reduktimi i punës, së pari duhet të rivendoset si një ideal politik; nga atje, ne mund të frenojmë javën e punës hap pas hapi, duke investuar më shumë para në arsim dhe duke zhvilluar një sistem pensioni më fleksibël dhe sisteme favorizuese për lejen prindërore dhe kujdesin për fëmijët. Gjithçka fillon me përmbysjen e stimujve. Aktualisht, është më lirë për punëdhënësit të caktojnë një person për të punuar jashtë orarit sesa të punësojnë dy persona. Kjo sepse shumë kosto të punës, siç janë përfitimet e kujdesit shëndetësor, paguhen për një punonjës edhe kur ky punonjës punon sa për dy. Kjo është edhe arsyeja pse ne si individë nuk mund të vendosim vetëm në mënyrë të njëanshme të fillojmë të punojmë më pak. Në fund të ditës së punës, në pothuajse çdo zyrë nuk është çudi të gjeni staf të rraskapitur, të ulur në tavolinat e tyre duke shfletuar profilet në Facebook të njerëzve që nuk i njohin, duke pritur derisa të largohet i pari i kolegëve të tyre, që të largohen edhe ato pas tyre. Prishja e këtij rrethi vicioz do të kërkojë veprim kolektiv – nga ndërmarrjet ose, më mirë akoma, nga vendet.
Mendimi im si përkthyese e këtij artikulli dhe studiuese e rregullt mbi përcaktorët që ndikojnë mbi shëndetin tonë, është se, edhe në Shqipëri punonjësit po përjetojnë efektet negative të të punuarit shumë gjatë. Ne nuk mund të vazhdojmë edhe për shumë kohë të pranojmë në hije një realitet që vret. Të fillojmë sot duke reflektuar rreth këtij fenomeni dhe ti hapim rrugë një të ardhmeje me më shumë pushime dhe më pak probleme.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.