Ja cilat janë llojet e të ardhurave që tatohen në Shqipëri


Ligji shqiptar bën dallim në shkallën e taksimit të të ardhurave që përfitohen nga pagat dhe të ardhurave të tjera. Ndërkohë që grupi i parë taksohet në mënyrë progresive, çdo e ardhur tjetër taksohet me një taksë të sheshtë, në masën 15%.

Të ardhurat e tatueshme janë të barabarta me diferencën ndërmjet totalit të të ardhurave bruto, me shpenzimet e zbritshme.

1. Tatimi mbi të ardhurat nga paga
Të ardhurat nga pagat taksohen me tri shkallë: 0% deri në 30.000 lekë në muaj; 13% për paga deri më 130.000 lekë, për diferencën nga kjo e fundit minus 30.000; si dhe me 23% për paga më të larta, për diferencën nga 130.000 e sipër.

Në të ardhurat nga pagat përfshihen: paga bazë; shtesat mbi pagën bazë që kanë karakter të përhershëm si shtesat për vjetërsi, vështirësi, largësi vendbanimi, natyrë të veçantë pune apo shërbimi, shtesa të tjera page e shpërblimi të bëra me akte të tjera ligjore e nënligjore. Në shpërblime të tjera përfshihen të gjitha të ardhurat apo shpërblimet që përfitohen nga rezultatet e punës në vendin e punësimit aktual të individit; të ardhurat që merr individi në formë shpërblimi nga fondi i veçantë; nga fonde të krijuara me akte të ndryshme ligjore apo statutore të shoqërive, si pagë e 13-të, apo pagesa të ndryshme të kësaj natyre; të ardhura që realizohen nga pjesëmarrja e individit në komisione, komitete, këshilla, borde drejtuese, këshilla mbikqyrëse, etj. Këto taksohen njësoj si pagat.

Përjashtohen të ardhurat nga pagat dhe shpërblimet për marrëdhëniet e punës të zyrtarëve të konsullatave, diplomatët, ose funksionarë të ngjashëm të vendeve të tjera, si dhe të organizatave ndërkombëtare, të cilët, gjatë kryerjes së funksioneve të tyre zyrtare në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me konventat ose marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara, ose të pranuara nga Republika e Shqipërisë apo Qeveria Shqiptare, kanë statusin e diplomatit.

2. Tatimi për fitimet e tjera
Më poshtë janë të ardhurat që tatohen me 15%. Këtu hyjnë:

Të ardhurat bruto nga dividenti për pjesëmarrje në shoqëri tregtare apo nga veprimtaritë e biznesit. Nuk përfshihet fitimi neto (pas pagimit të tatimit mbi fitimin apo tatimit të thjeshtuar mbi fitimin mbi biznesin e vogël) i personave fizikë tregtarë, pavarësisht nëse këta të fundit janë subjekt i tatimit mbi fitimin apo tatimit të thjeshtuar mbi fitimin mbi biznesin e vogël.

Të ardhurat bruto nga qeraja dhe fitimet kapitale nga shitja e pasurisë së paluajtshme, në pronësi të deklaruesit. Të ardhura nga qeraja do të konsiderohen të gjitha të ardhurat e përfituara nga dhënia me qira e tokës, ndërtesave e objekteve të tjera që shërbejnë për banim, aktivitet industrial, tregtar, shërbimi etj., por pa u kufizuar vetëm në to. Vlera e dhënies me qera të ndërtesës përcaktohet në kontratën e noterizuar të qirasë, sipas legjislacionit të fushës. Në kontratë, veç të tjerave, duhet, detyrimisht, të përcaktohet qartë adresa ku ndodhet ndërtesa, sipërfaqja, në metër katror, dhe vlera mujore e qerasë së objektit.

Në asnjë rast, vlera e dhënies me qira të ndërtesës, nuk do të jetë më e vogël se vlera minimale e qirasë, e përcaktuar me Vendim nga Këshilli i Ministrave. Vlera minimale mujore, për metër katror sipërfaqe ndërtese të dhënë me qera, është e barabartë me 0.3 % të çmimit të shitjes së saj, i cili nga ana e tij, është përcaktuar në udhëzimin e Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave, nga Enti Kombëtar i Banesave”, që miratohet çdo vit.

Tatimi mbi të ardhurat nga kalimi i së drejtës së pronësisë, paguhet nga individi që kalon të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme. Me kalim të së drejtës së pronësisë, kuptohet një akt shitjeje apo dhurimi i pasurive të paluajtshme. Në këtë grup janë të ardhurat që rezultojnë, nga kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, tokë dhe ndërtesa.

Pagesa e tatimit bëhet pranë Hipotekës, para kryerjes së regjistrimit të pasurisë së paluajtshme.

3. Të ardhurat bruto nga interesa bankarë
Të ardhura nga interesat bankare konsiderohen të gjitha interesat nga llogaritë personale apo të përbashkëta të individëve, në banka ose në institucione të tjera financiare, si dhe të gjitha interesat nga depozitat personale ose të përbashkëta me afat, në formën e llogarisë me afat, çertifikatës së depozitës me afat, kontratës për depozitë me afat, si dhe çdo e ardhur tjetër në formë interesi.

4. Fitimi kapital neto, i krijuar nga investimet në tituj apo në pasuri të paluajtshme 
Shuma bruto të fituara nga lotari apo lojëra të tjera të fatit; përfshihen të ardhurat bruto të fitura në llotari apo lojra fati sipas përcaktimit në ligjin “Për Lojrat e Fatit në Republikën e Shqipërisë”

Të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licensat, të drejtat ekskluzive dhe pasuri të tjera, që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike. Këto janë të ardhura që lindin nga përdorimi apo e drejta për të përdorur të drejtat e autorit në letërsi, art, muzikë apo shkencë, që përfshijnë përdorimin apo të drejtën për të përdorur filmat kinematografikë, filmat dhe regjistrime te ndryshme për radio apo TV, çdo patentë, markë tregtare, skicë apo model, projekt, formulë sekrete, informacion apo proçes teknologjik, lidhur me aktivitete industriale, tregtare apo shkencore.

5. Fitimi kapital nga dhurimi
Dhurimi është një kontratë, me anë të së cilës njëra palë i kalon në pronësi pa shpërblim, palës tjetër një send të caktuar, ose një të drejtë reale të cilat kjo i pranon.

Të ardhura bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

5. Të ardhura bruto të tjera
Në këtë kategori bëjnë pjesë, të gjitha të ardhurat e përfitura të cilat nuk janë listuar më lart. Shembuj të ardhurash të tilla, janë edhe të ardhurat nga enfiteoza dhe huatë. Me termin “enfiteozë” do të kuptohet kontrata, me të cilën një personi i jepet e drejta të përdorë dhe të përmirësojë një pasuri të paluajtshme. E ardhur nga enfiteoza konsiderohet, shpërblimi periodik në të holla ose në natyrë, që i paguhet pronarit të pasurisë së paluajtshme, nga personi që e merr pronën në përdorim.

Në rastet kur marrësi në përdorim, sipas kontratës midis palëve, kryen shpenzime për përmirësimin dhe përshtatjen e kësaj pasurie për nevojat e tij, atëherë këto shpenzime do të konsiderohen, si të ardhura për individin pronar të objektit dhe do të tatohen sikur të ishin e ardhur nga enfiteoza.

E ardhur nga huaja, do të konsiderohet çdo e ardhur e përfituar, nga dhënia në formën e huasë e mjeteve monetare, apo të mjeteve të tjera të ngjashme me to.

burimi: shqiptarja.com

Must watch
Business Mag Nr. #24 - Tetor 2020

Numri 24 i revistës Businessmag.al sjell një panoramë të zhvillimeve, përshtatjeve dhe ecurisë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Në të njëjtën kohë, shohim zhvillime relativisht të kënaqshme.  Organizime të reja si Dhoma Ekonomike e Gruas, duket si një shpresë për më shumë zë, lobim dhe mbështetje për gratë sipërmarrëse dhe sipërmarrjet e reja.

Gjatë kësaj periudhe angazhime si programi “Ringrihu më i fortë”, ishin një lloj kundërpërgjigje ndaj dëmeve ekonomike që po shkakton pandemia.

Influencerat vijojnë të rrisin hapësirat e tyre dhe janë bërë një instrument i rëndësishëm marketimi. Në brendësi të revistës do të gjeni renditjen e top 100 influencerave më të mëdhenj në vend.

Gjatë kësaj vere ndërkohë, vetë Businessmag pati një fushatë të suksesshme të promovimit të turizmit shqiptar. Qindra të rinj u angazhuan të dërgojnë foto dhe përshkrimet e vendeve të ndryshme të Shqipërisë.

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale