Çanta Birkin, një nga aksesorët më të njohur dhe më të lakmuar në botën e luksit, ka ndezur prej kohësh interesin e blerësve dhe tregtarëve. Por për CEO-n e Hermès-it, Axel Dumas, kjo famë ka edhe anën e saj të errët. Dumas nuk e fsheh zhgënjimin kur sheh që çanta krejtësisht të reja Birkin shfaqen në platformat e rishitjes. Sipas tij, ky fenomen dëmton marrëdhënien që marka ka ndërtuar me klientët e saj të vërtetë.
Shefi i gjigantit francez, një prej kompanive më të vlefshme në vend, theksoi se blerësit që synojnë vetëm rishitjen po pengojnë shërbimin ndaj klientëve besnikë të Hermès-it.
“Disa njerëz hyjnë në dyqanet tona me qëllimin e vetëm për të blerë çanta e më pas për t’i shitur, duke na ndaluar të plotësojmë kërkesat e klientëve tanë të vërtetë dhe kjo për ne është një problem i madh,” tha Dumas.
Një ikonë e luksit që po përballet me sfidat e tregut të dorës së dytë
Popullariteti i madh i Birkin-it ka nxitur edhe valë imitimesh e falsifikimesh. Madje, një version prej 78 dollarësh (rreth 68 euro) i çantës, i shitur nga Walmart, u bë viral në TikTok në fillim të këtij viti.
Lexo edhe: Strategji apo krizë?10 biznese të njohura që ndryshuan emrin
Megjithëse ekspertët paralajmërojnë se blerja e një çante për ta rishitur është një lloj loje fati, ka përjashtime. Sipas Koyaana Redstar, specialiste e vërtetimit të çantave vintage, disa modele klasike nga marka si Hermès apo Goyard mund të sjellin fitime, nëse blihen me çmimin zyrtar dhe shiten në tregun e dorës së dytë.
Çmimi dhe historia e Birkin-it
E prezantuar për herë të parë në vitin 1984 dhe e emërtuar sipas aktores e këngëtares britanike Jane Birkin, çanta është bërë sinonim i luksit absolut. Në SHBA, një Birkin e re kushton mbi 10 mijë dollarë (rreth 8,700 euro). Pavarësisht debatit mbi rishitjen, Hermès ka vijuar të shënojë rezultate mbresëlënëse financiare. Në tremujorin e fundit, kompania raportoi të ardhura prej 8 miliardë eurosh, me një rritje prej 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndryshe nga shumë marka të tjera të luksit, Hermès duket se i ka shpëtuar ngadalësimit të përgjithshëm të tregut. Konkurrenti i saj më i madh francez, LVMH, raportoi një rënie të të ardhurave me 4% dhe një ulje të fitimit neto me 22% në gjysmën e parë të vitit 2025.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto