Strategji apo krizë?10 biznese të njohura që ndryshuan emrin - Business Magazine Albania

Strategji apo krizë?10 biznese të njohura që ndryshuan emrin

Ndryshimi i emrit të një kompanie është një vendim strategjik që mund të pasqyrojë shumë më tepër sesa një përpjekje për të qenë më “trendy”. Disa biznese e bëjnë këtë për të reflektuar një vizion të ri, të tjerë për të shmangur një të kaluar problematike ose për t’u përshtatur me kërkesat e reja të tregut.

Nëse jeni duke menduar të ribrandoni kompaninë tuaj për shkak të të ardhurave në rënie ose ndryshimeve në preferencat e klientëve, ndërrimi i emrit mund të jetë një hap vendimtar. Këtu janë 10 shembuj të njohur të kompanive që e kanë ndërmarrë këtë hap me sukses.

WW
Në vitin 2018, kompania e njohur Weight Watchers ndërroi emrin në WW, në një përpjekje për t’u distancuar nga imazhi tradicional i dietave. Qëllimi ishte një zhvendosje drejt mirëqenies së përgjithshme. CEO-ja Mindy Grossman deklaroi se WW ishte një mënyrë për të nderuar historinë e kompanisë, por nuk përfaqësonte domosdoshmërisht një shkurtesë me kuptim të saktë.

Meta
Në vitin 2021, gjiganti i rrjeteve sociale Facebook ‘tronditi’ opinionin publik duke njoftuar ndryshimin e emrit të kompanisë mëmë në Meta. Ndërkohë që aplikacioni Facebook ruajti emrin origjinal, ai u bë thjesht një nga shumë degët e reja nën ombrellën Meta. Ky veprim simbolizonte orientimin drejt teknologjive të realitetit virtual dhe “metaverse”-it. Megjithatë, ndërrimi ndodhi edhe në një kohë kur kompania po përballej me kritika të forta, gjë që bëri që shumëkush ta interpretonte si një përpjekje për të shpëtuar nga imazhi negativ.

Subway
Fillimisht, në vitin 1965, kjo kompani nisi aktivitetin me emrin Pete’s Super Submarines. Themeluesi Fred DeLuca kishte marrë një investim prej 1,000 dollarësh nga Dr. Peter Buck për të hapur dyqanin, i cili fillimisht mori emrin e partnerit. Por konsumatorët e kishin të vështirë ta shqiptonin, ndaj në vitin 1968 emri u thjeshtua në Subway.

Altria
Në vitin 2003, kompania e njohur e duhanit Philip Morris ndryshoi emrin në Altria. Kompania pretendoi se emri i ri ndihmonte konsumatorët të kuptonin se ofronte një gamë më të gjerë produktesh përtej cigareve. Megjithatë, shumë e panë këtë si një manovër të pastër PR për të larguar vëmendjen nga lidhja me produktet e duhanit.

Google
Në vitin 2015, Google ndryshoi strukturën e saj korporative dhe u bë pjesë e një kompanie më të madhe quajtur Alphabet, që synonte të menaxhonte më mirë projektet e shumta që nuk kishin lidhje direkte me motorin e kërkimit. Megjithatë, pak e dinë që emri i parë i kompanisë në vitin 1996 ishte BackRub, përpara se të emërtohej zyrtarisht Google në 1997.

Apple
Në themelimin e saj në vitin 1976 nga Steve Jobs, Steve Wozniak dhe Ronald Wayne, kompania njihej si Apple Computers. Në vitin 2007, Jobs shpalli ndryshimin e emrit në Apple, duke reflektuar fokusin në elektronikën për konsumatorët, përtej kompjuterëve personalë.

Lexo edhe: Reklama me aktoren e njohur ndez polemika në SHBA për ‘mesazhe naziste’

Pepsi-Cola
Kompania u themelua në vitin 1893 nga farmacisti Caleb Bradham dhe fillimisht u quajt Brad’s Drink. Vetëm në vitin 1898 ajo mori emrin që e bëri të famshme në mbarë botën: Pepsi-Cola.

Nike
Në vitin 1964, Bill Bowerman dhe Phil Knight krijuan kompaninë Blue Ribbon Sports në Oregon. Fillimisht shërbente si distributor për këpucë sportive, por më vonë ata vendosën të prodhonin markën e tyre. Emri Nike, frymëzuar nga perëndesha greke e fitores, u adoptua në vitin 1978.

eBay
Faqja që sot njihet si eBay fillimisht u lançua me emrin AuctionWeb nga themeluesi Pierre Omidyar. Media dhe përdoruesit filluan ta referonin thjesht si eBay, dhe më në fund, kompania e formalizoi këtë ndryshim.

Netflix
Një shembull i një ndryshimi emri që dështoi. Në vitin 2011, Netflix tentoi të ndajë shërbimin e saj në dy degë, një për streaming dhe një tjetër për shpërndarjen e DVD-ve me postë, e cila do quhej Qwikster. Reagimet negative nuk vonuan, dhe pas rënies së aksioneve, kompania u detyrua të tërhiqej nga plani dhe të rikthehej te modeli i saj origjinal.

Këto histori tregojnë se pas një ndryshimi emri mund të fshihet një strategji thellësisht e menduar ose një përpjekje për të rifituar besimin e publikut. Në çdo rast, emri është më shumë se një logo: është reflektim i identitetit, aspiratave dhe marrëdhënies së një kompanie me konsumatorin/audiencën.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0