Një pjesë e madhe e punonjësve në industrinë e teknologjisë përdorin inteligjencën artificiale për detyra si shkrimi dhe modifikimi i kodit, sipas një studimi të ri të Google.
Raporti, i botuar nga departamenti i kërkimit DORA i Google dhe bazuar në 5,000 përgjigje nga profesionistë të teknologjisë në mbarë botën, zbuloi se 90% e të pyeturve përdorin AI në punën e tyre, një rritje prej 14% krahasuar me vitin e kaluar.
Kjo përputhet me një rritje të shpejtë të përdorimit të AI-së në zhvillimin e softuerëve, ndërsa kompania ofron mjete që shkojnë nga falas deri në 45 dollarë në muaj për gjenerimin e kodit dhe menaxhimin e detyrave të zhvillimit. Google përballet me konkurrencë të gjerë, jo vetëm nga Microsoft, OpenAI dhe Anthropic, por edhe nga startup-e të kodimit me AI si Replit dhe Anysphere, të cilat po shohin rritje të vlerësimit të tyre.Ryan J. Salva, përgjegjës për mjetet e kodimit të Google, tha se shumica e ekipeve të kompanisë përdorin AI, i cili është i integruar në mënyrën e shkrimit të dokumentacionit dhe në editorët e kodit.
Lexo edhe: Tut Tut, startup-i franceze arrin 1 milion dërgesa me modelin e shpërndarjes komunitare
Megjithatë, përdorimi i AI-së nuk do të thotë se të gjithë e gjejnë të dobishme. 46% e profesionistëve të teknologjisë i besojnë “pjesërisht” kodit të gjeneruar nga AI, 23% e besojnë “pak” dhe 20% e besojnë “shumë”. Për 31% AI “përmirësoi pak” cilësinë e kodit, ndërsa 30% thanë se nuk pati ndikim.
Adoptimi i mjeteve të AI-së vjen në një kohë sfiduese për punonjësit e rinj në teknologji. Shkalla e papunësisë për të diplomuarit e rinj në kompjuterikë dhe inxhinieri kompjuterike është më e lartë se në fusha të tjera, ndërsa numri i shpalljeve për pozicione zhvillimi softueri ka rënë 71% midis shkurtit 2022 dhe gushtit 2025.
Salva thekson se ka pjesë të zhvillimit të softuerit që nuk mund të automatizohen dhe AI do të ndihmojë vetëm në detyrat më rutinë, megjithëse pjesërisht rritja e përdorimit lidhet edhe me “histerinë” rreth teknologjisë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto