Gjërat e mëdha vijnë nga ndryshimet e vogla, mesazhi i Grida Dumës për gratë

Gjërat e mëdha vijnë nga ndryshimet e vogla, mesazhi i Grida Dumës për gratë


Marsi sjell pranverën, por është edhe muaji i gruas. Përmes intervistave të zhvilluara do t’ju sjellim këto ditë disa histori frymëzimi, histori të suksesshme të grave që ia kanë dalë e po kontribuojnë në vend, si dhe mesazhe të personaliteteve publike.

Grida Duma, një nga figurat më të njohura publike si politikane dhe lektore, thotë se gruaja duhet të përmirësojë sjelljen dhe respektin për veten çdo ditë.

Lexoni më poshtë Intervistën

Cili është mesazhi juaj për gruan shqiptare? Si do t’a motivonit atë?

Gratë shqiptare tashmë e dinë mirë se cilat janë pengesat në jetën e tyre. Jam e bindur që ato nuk presin vetëm t’u japim mend apo thjesht mesazhe sepse është e qartë, që mbështetja reale atyre u vjen nga zgjidhjet konkrete të përditshme.

Zgjedh të përcjell vetëm  një mesazh: Jeta dhe kushtet tona nuk janë lehtësisht të ndryshueshme, pasi shumëçka nuk e kemi nën kontroll. Por, gjërat e mëdha vijnë nga ndryshimet e vogla. Jo pak ndryshon për ne nëse kemi forcën t’a ndryshojmë sjelljen dhe respektin për veten çdo ditë. Është jetike për një grua, kur ajo e kupton se po u shërben të tjerëve dhe nuk po merr nga kushdo të njëjtin vlerësim dhe respekt, që të reflektojë së pari për veten dhe veprimet e veta. Në të njëjtën kohë, të mos ndalojë e mos të bëjë më të njëjtat gjëra vetëm e vetëm se kështu jemi mësuar e jemi rritur. Ende na duhet të mësohemi me faktin se vlerësimi i të tjerëve nuk mund të jetë kurrë aq i rëndësishëm sa vlerësimi që duhet patur për veten. Ende na ndodh që përditë të bëjmë ato gjëra që na i vlerësojnë të tjerët më shumë sesa ajo që ne do të donim të bënim për të tjerët dhe për veten. Kjo është një sprovë shumë e vështirë, të ndryshosh në jetën e përditshme veprimet që je mësuar gjithë jetën t’i bësh duke u sakrifikuar e shërbyer. Në kushtet kur vetësakrifikimi i një gruaje quhet diçka e zakontë dhe e rëndomtë, atëherë kemi të bëjmë me nënshtrim. Aty ku nuk kuptohet e nuk respektoht gruaja ndryshimi fillon, kur gruaja kupton situatën dhe respekton vetveten. Jo vetëm si motivim, por mbi të gjitha si e vërteta e plotë u them grave : jeni të domosdoshme. Askush, as fëmijët, as familja nuk bën dot asgjë dhe nuk ia del dot pa ju. E kur jeni si të domosdoshme njihjani vetes këtë vlerë dhe forcë, mos prisni vetëm t’ua njohin. Njihjani ju vetes dhe çdo gjë ndryshon!

Si lidhen shpresa dhe e ardhmja me gratë?

Kam një fjali për këtë! Ky vend nuk ka shpresë pa gratë e veta. Nëse ndonjëherë në histori ka pasur momente kur burrat e vërtetë kanë shënjuar historinë, këto kohë në historinë e Shqipërisë janë për t’u shënjuar nga gratë. Historia kërkon pikërisht që gruaja shqiptarë të përçojë tek fëmija, tek familja, tek miqësitë një shoqëri sa më të emancipuar dhe të gjerë. Sot është urgjente thirrja për gjerësi mendimi e shpirti në mënyrën si e përballim jetën. Këtë e ka mision dhe përgjegjësi gruaja në Shqipëri.

A do të jetë barazia gjinore pjesë reale e gruas apo do të jetë gjithmonë një sfidë?

Ka shumë gra që tashmë i kanë tejkaluar burrat në Shqipëri. Këtu kërkohet që burrat dhe gratë të kuptojnë, që nuk ka një çështje mes grash dhe burrash, por ka një çështje të njeriut. Inteligjenca, vullneti, aftësia nuk kanë gjini. Askush që zotëron vullnetin, aftësinë dhe inteligjencën nuk mund të ndalet sepse është grua. Ka mes grave dhe burrave njerëz të mrekullueshëm, të vullnetshëm, punëtorë, ambiciozë. Ka edhe nga ata më pak punëtorë e më pak të angazhuar. Jam e bindur që pikërisht gratë që i’a kanë dale, kuptojnë mirë që duhet vetëm të synojmë garën e drejtë. Nuk ka nevojë të themi garë të avantazhuar për gratë, sepse gratë e fitojnë atë pikërisht kur është e drejtë.

Si një grua e suksesshme në karrierë çfarë këshillash do të jepnit për gratë shqiptare, për vajzat? Po për studentët?

  • Vëzhgo çdo ditë verimet e tua, çfarë bëre sot për të tjerët dhe çfarë bëre për veten.
  • Kundrejt çdo kritike numëro deri në dhjetë dhe pranoje me qetësi dhe buzëqesh. Shumica e kritikave ndaj grave bëhet për t’i demotivuar.
  • Mos dysho në asgjë që ti vetë e di që është e jotja dhe të bën mirë.
  • Bëji të tjerët të mendojnë se kanë të drejtë, një grua pranohet më pak kur kundërsulmon dhe më shumë kur vepron me “po, por….” dhe jo me “jo aspak nuk është kështu…”
  • Nënat duhet t’u mësojnë djemve që ata vetë janë më mirë nëse i bëjnë shoqet e tyre të ndjehen mirë. Duhet të mësojnë vajzat që djemtë herë-herë duhen kuptuar si pjesë e një kulture ende tejet patriarkale dhe për këtë duhet shumë komunikim me ta.
  • Studëntëve vlen t’u them të biesh në kurthin që nuk vlen të mësosh se kartoni i diplomës nuk blen asnjë vend pune është dështim. Studimet nuk të sigurojnë punën menjeherë, por të sigurojnë botën e vetes. Cvajg shkruante: “Një analfabet e sheh posterin si dhia afishen”!

Cilat janë planet tuaja në lidhje me gruan shqiptare?

Gruaja shqiptare në karrierë ka detyrë të mos mbështesë vetëm ato vajza apo gra që punojnë si asistente apo sekretare. Gruaja shqiptare e arrirë duhet të mbajë rreth vetes vajza e gra të ngjashme me të. Një ditë do t’a shohim botën ndryshe, nëse do kthejmë kokën dhe do kuptojmë që në jetë miket, motra, shoqja ka qenë për ne mbështetja më e madhe e mundshme, e pakrahasueshme me asnjë ndihmë tjetër.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0