Fisnik Ismaili tregon sekretin e të qenurit kreativ ndër vite - Business Magazine Albania

Fisnik Ismaili tregon sekretin e të qenurit kreativ ndër vite

Intervistoi Jori Vila

Bota e marketingut ndryshon me shpejtësinë e dritës. Për të qëndruar i përditësuar me këto ndryshime është e vështirë në ditët e sotme, jo vetëm për marketerët, por për të gjithë pronarët e  bizneseve dhe krijuesve që ekspozohen në të përditshmen me këto dinamika. Për këtë arsye, Business Magazine zgjodhi të intervistojë Fisnik Ismailin, një nga emrat më të njohur dhe më me përvojë në fushën e marketingut në Shqipëri dhe Kosovë, për të na dhënë këndvështrimin e tij në lidhje me zhvillimet e fundit në teknologji që kanë impakt të drejtpërdrejtë në fushën e marketingut. 

Në 2023, kur bota e marketingut është duke u ekspozuar me një dinamikë të jashtëzakonshme ndryshimesh, si zhvillimi i shpejtë i AI, një gjeneratë e re konsumatorësh si Gen Z, etj., çfarë duhet të mbajë parasysh një marketer në punën e tij?

Zhvillimet e fundit nuk janë asgjë e re në fushën tonë, si dukuri. Historikisht kanë ndodhur ndryshime revolucionare, që e kanë hutuar botën e marketingut, publicitetit e dizajnit. Desktop kompjuterët dhe mouse-i para tri dekadash, pastaj interneti një dekadë më vonë, deri te rrjetet sociale në dekadën e fundit, të gjitha i kanë detyruar si agjencitë, si klientët, të adaptohen në zhvillimet e fundit të teknologjisë.

Megjithatë, s’po di se a e kam prej moshës, apo me të vërtetë është kështu, por zhvillimet e fundit teknologjike, prej blockchain, web 3, metaverse, e deri te AI së fundmi, po ndodhin aq shpejt, sa që me kë po flas (e që përfshin edhe mjeshtër të fushës botërisht me nga 20-30 vjet përvojë) s’po mund ta parashohin të ardhmen e afërt.

Në këtë kohë ndryshimesh, çfarë mendoni se e mban ende gjallë frymëzimin dhe kreativitetin tuaj?

Sekreti është te aftësia dhe vullneti të ndryshosh në të njëjtin hap me zhvillimet që ndodhin. Është një thënie në anglisht me të cilën zgjohem çdo mëngjes: “You snooze, you lose!” (Po ndalove, pësove!)

Artikulli u publikua në faqen 58 të numrit 31 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund Abonoheni dhe të Shfletoni Këtu nr. 31 të saj.

Edhe zhvillimet e kaluara që përmenda kanë krijuar pakëz panik, konfuzion e ndjesi se e ardhmja asokohe ishte e paqartë, deri sa janë adaptuar.

Sado që nganjëherë nuk na pëlqejnë, duhen përcjellë trendet më të reja. Duhet komunikuar,  dëgjuar e mësuar nga gjeneratat e reja, të cilët po duket se po i kapin gjërat më shpejt.

Pastaj, duke e kombinuar aftësinë e tyre me mjetet më të reja dhe përvojën tonë me atë të moshuarve në jetësimin e punëve kreative, po duhet gjetur mënyra që t’i realizojmë gjërat bashkë, duke tentuar të zvogëlojmë kohën e prodhimit, duke e rritur njëkohësisht cilësinë e punës.

Përmes cilave punë tuaja mendoni se keni sjellë një ndryshim dhe për të cilat jeni më shumë krenar?

Punët më të dashura i kam ato që janë bërë me buxhetin më të vogël e ndikimin më të madh. Ato që duken aq të thjeshta, që përmblidhen në një fjali, ose në vetëm një fjalë, si Monumenti NEWBORN, që prin në këtë listë dhe më solli 7 çmime ndërkombëtare.

Ndonëse me profesion kam filluar si dizajner grafik, punët me të cilat më njohin më së shpeshti janë NEWBORN, Duaje tënden, Blej shqip, Pi çka të freskon, Relax Baton, le atë telefon, që pothuajse krejt janë tekstuale.

Mbase këto janë edhe punët, në të cilat klienti s’është përzier fare, që dëshmon se, nëse ia besojnë një agjencie punën, do duhej ta linin rehat që ta kryejë më së miri.

A mund të na thoni diçka në lidhje me zhvillimet e AI në fushën e kreativës? A po fillon të aplikohet edhe në Shqipëri dhe si po ndikon në tregun e punës?

AI po e pushton edhe shkrimin edhe prodhimin vizual me shpejtësi të frikshme. Njerëz, jo vetëm të fushës kreative, por edhe të shërbimeve tjera intelektuale po duken të jenë në siklet të madh.

Të mos harrojmë, kur dolën aplikacionet si Photoshop e Illustrator dekada më parë, të gjithë i kapi sikleti se gjithkush mund të bëhet dizajner. Por, me rritjen e dizajnerëve u rrit edhe kërkesa për dizajne më cilësore dhe u krijua një botë, ku aplikacionet u përdorën si mjete. Atyre mjeteve, pastaj, vetëm dizajnerët më të shkathët ua nxorën më të mirën.

As këtë herë nuk është më ndryshe: Teksa gjithkush po nxjerr gjëra të bukura me AI, punët më të veçanta do të krijohen nga ata që e kanë imagjinatën më të zhvilluar për t’i treguar AI-së se çka të prodhojë.

Pra, do të krijohet një treg ku vetëm ata që do të dijnë ta përdorin AI si mjet për të realizuar punë të veçantë do të cilësohen si më të mirët.

Formati, mbase edhe do të ndryshojë: Fotografia dhe dizajni statik duket se shpejt do të zëvendësohen me video e animacione e ato pastaj, nuk do jenë edhe aq të lehta të imagjinohen e prodhohen.

Unë po e shoh një botë virtuele 3-dimensionale, ku VR do të zëvendësojë edhe televizorin, e që esencialisht është ky Metaverse që akoma nuk filluam ta eksplorojmë. Pastaj Neuralink i Elon Musk detyrimisht do fut hundët në këtë pjesë.

Sa është e frikshme, është edhe emocionuese kjo dekadë me gjërat që po zhvillohen. Pjesa më e frikshme është kur shoh njerëzit tanë që akoma merren me vogëlsira, me thashetheme e me politikë, ndërkohë që bota po ndryshon me hapa gjigantë.

Cila është mënyra më e mirë për të përdorur kanalet online ndërthurur me kanalet tradicionale?

S’ka më dallime mes publicitetit tradicional dhe atij online. Tashmë janë një. Çfarëdo mediumi që përdorim, qoftë video, billboard apo medium digjital është veçse një kanal komunikimi, ku duhemi ta përçojmë mesazhin.

Me zhdukjen e disa kanaleve (gazetat e revistat pothuajse u zhdukën), dalin të tjerat, të cilave duhemi t’iu përshtatemi detyrimisht. Prandaj, duhet të na eksitojë kjo kohë tranzicioni dhe të përgatitemi për ndryshimet që po vijnë.

Nëse do zgjidhnit një trend në marketing që do ua sugjeronit me patjetër marketerëve për 2023, cili do ishte ai?

S’po di një gjë specifike ta them. Është koha e eksplorimit dhe rizbulimit të vetes sonë. Është e kushtueshme, ngase merr kohë të mësohen gjëra të reja, por mendoj se kushdo që e bën i pari tranzicionin në teknologjitë, do të ketë përparësi në të ardhmen.

Fisnik Ismaili është themelues dhe Drejtor Kreativ i Karrota-s në Kosovë dhe Shqipëri, me mbi dy dekada përvojë në komunikim kreativ, shtatë prej të cilave duke punuar për kompani leader të dizajnit në Londër, për emra të mëdhenj si Cisco Systems, Apple Europe, British Airways, Barclays Bank, Mattel, Channel 4 dhe BSkyB.

Me kthimin në Kosovë në vitin 2003, emri i tij u bë i njohur në rajon nga projekte të rëndësishme si NEWBORN, që shënon Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, fushatën e njohur “Duaje tënden” (Duaje veten), si dhe punët për klientë si Burger King, Rugova, Drena, Z mobile, AMC, PTK, KEK, Albtelecom, Tetra Pak, Raiffeisen Bank, British Airways, Bashkia e Tiranës, Kuvendi i Kosovës, AmCham Kosova, British American Tobacco, Kraft Foods, Gillette/Braun, Sesame Street, Snoop Dogg, Burger King dhe shumë të tjera.

Punët e tij janë shfaqur në gazetat, revistat dhe faqet e internetit kryesore në mbarë botën.

Ka marrë një sërë çmimesh të mëdha ndërkombëtare për reklama/dizajn, duke përfshirë Cannes Gold Lion, Silver Clio, Silver Eurobest dhe Golden Drum Grand Prix.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0