Gjiganti gjerman i industrisë së armëve, Rheinmetall, po i hyn me vendosmëri fushës së dronëve ushtarakë dhe raketmotorëve, duke vendosur një aleancë strategjike me kompaninë amerikane Anduril Industries, të specializuar në teknologji të avancuar mbrojtëse. Qëllimi është i qartë: të krijohen dronë dhe sisteme raketore “Made in Europe”, të zhvilluara dhe prodhuara brenda kontinentit.Partneriteti synon ndërtimin e një versioni evropian të dronit Barracuda, një mjet ajror autonom, me kosto të ulët dhe të përshtatshëm për prodhim në seri. Po ashtu, në plan është edhe zhvillimi i dronit Fury, një platformë shumëfunksionale me performancë të lartë, e aftë të transportojë lëndë shpërthyese dhe të përmbushë misione të ndryshme ushtarake.
Rheinmetall dhe Anduril do të kombinojnë ekspertizën e tyre teknologjike: sistemet autonome të Anduril do të lidhen me platformën digjitale Battlesuite të Rheinmetall, duke synuar krijimin e një arsenali inteligjent dhe të integruar për mbrojtjen evropiane.
Lexo edhe: Gjermania e treta në botë për numrin e super të pasurve
Por bashkëpunimi nuk ndalet vetëm te dronët. Dy kompanitë kanë konfirmuar se po punojnë gjithashtu për zhvillimin e motorëve për raketa, për të siguruar pavarësinë teknologjike të Evropës në fushën e prodhimeve ushtarake. Në deklaratën e përbashkët theksohet se sistemet do të zhvillohen dhe prodhohen në Evropë, në bashkëpunim me furnitorë dhe partnerë lokalë, duke ndërtuar një zinxhir të qëndrueshëm prodhimi në të gjithë kontinentin.
Teknologji, fitime dhe gjeopolitikë
Lajmi për këtë partneritet e ka reflektuar menjëherë ndikimin e tij në tregjet financiare: aksionet e Rheinmetall u rritën me gati 1%, ndërkohë që në harkun e këtij viti ato janë gati trefishuar, falë rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen në Evropë. Kjo performancë mbresëlënëse i ka siguruar kompanisë një vend në indeksin Euro Stoxx 50, duke zëvendësuar konglomeratin luksoz francez Kering.
Anduril, nga ana e saj, ka qenë në kërkim të partnerëve strategjikë në Evropë, pasi qeveritë e BE-së parashikojnë të investojnë qindra miliardë euro në mbrojtje gjatë viteve të ardhshme. Tendenca për të reduktuar varësinë nga teknologjia amerikane ka rritur interesin për kompanitë e kontinentit, çka bën që roli i Rheinmetall të jetë jo vetëm ekonomik, por edhe politik.
Ndërkohë, dega britanike e Anduril ka nënshkruar së fundmi një marrëveshje me qeverinë britanike për furnizimin e Ukrainës me dronë, çka shton edhe më tej peshën gjeopolitike të kësaj kompanie në peizazhin e mbrojtjes europiane.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.