Ertjan Cabiri (Movida.al), nga Burokracia e OKB tek Impakti i Menjëhershëm i Startup-eve - Business Magazine Albania

Ertjan Cabiri (Movida.al), nga Burokracia e OKB tek Impakti i Menjëhershëm i Startup-eve


Nëse shohim backgroundin e Ertjanit mund të mendojmë se është i rastësishëm tek Movida.al, ndërkohë që çdo person kurrë nuk resht së kërkuari vendin e tij, aty ku ndjehet më komod. Pas vitesh arsimim dhe punësim në institucionet më prestigjioze, ai ende nuk kishte gjetur veten. Eksperienca 1-vjeçare në Rocket Internet PT, do t’i ndryshonte jetën.

Në këtë intervistë Ertjani na tregon më shumë për veten, sipërmarrjen dhe platformën Movida.al.

A mund të përshkruash veten dhe atë që bën në jo më shumë se 5 fjali?

Unë jam Ertjan Cabiri, një nga themeluesit e Movida.al, një platformë online ku shitës të ndryshëm shesin produktet e tyre në gjithë Shqipërinë dhe më gjerë. Aktualisht jam manaxheri i kompanisë, ose më mirë koordinuesi i ekipit. Falë eksperiencës sime në ekonomi dhe manaxhim, në kompani jam i fokusuar tek strategjia dhe marketingu.

Përse zgjodhe të bëhesh sipërmarrës?

Kush më njeh mendon se nuk kam backgroundin tipik të një sipërmarrësi. Kam studiuar ekonomiks në Bocconi në Milano dhe për disa vite kam punuar me Organizatën e Kombeve të Bashkuara në nxitjen e zhvillimit dhe uljen e varfërisë. Pra kam punuar në institucionin mbase më burokratik të globit. Ishte pikërisht kjo që më bëri të kërkoj një eksperiencë në një organizatë më dinamike që unë mendoja se ishte biznesi. Për këtë kreva një MBA në Kellogg — Northwestern University në Chicago ndjekur nga një vit me Rocket Internet, një kompani Gjermane që zhvillon startup-e në nivel global. Puna në startup më pelqeu shumë, sepse ishte pikërisht ajo që kërkoja, një pozicion ku puna e përditshme kishte impakt të mënjëhershëm, ku çdo gjë varej vetëm nga vetja ime dhe zero burokraci. Kështu që me pas tentova të vazhdoj në të njëjtën fushë me një kompani në të cilën jam bashkëthemelues.

Cili është problemi që zgjidh kompania juaj?

Movida.al është një kompani që lehtëson shkëmbimin ndërmjet shitësve dhe blerësve. Në këtë kontekst, kompania jone zgjidh problemin e aksesit që kane aktorët e ndryshëm. Kështu, Movida.al i jep akses blerësve që jetojnë në zona periferike që të kursejnë kohë kur blejnë nga smartphone ose PC dhe shitësve që të kenë akses në një treg kombëtar apo rajonal që vetëm me dyqanin e tyre fizik nuk do të kishin mundësi.

Së dyti, Movida.al tenton të zgjidhë problemin e asimetrisë informative. Sa herë ju ka ndodhur të blini një produkt në një dyqan dhe të mërziteni kur e shihni të listuar me një çmim më të lirë në një dyqan tjetër? Movida e shmag këtë duke konvergjuar çmimet drejt çmimit minimal duke nxitur konkurrencën e shitësve të ndryshëm në faqen tonë, por edhe kundrejt shitësve të tjerë online.

Si lindi ideja?

Ne menduam që tregu shqiptar kishte potencial dhe hapësirë në industrinë e shitjeve online. Kështu menduam që thjesht të adaptojme një model që funksionon — si eBay apo Amazon — me tregun tonë, dhe me entuziazmin dhe pasionin tonë arritem që ta kthejme nga një ide në një kompani që funksionon tashmë.

Cili është mësimi më i rëndësishëm që keni mësuar gjate rrugëtimit tuaj?

Sigurisht që mësimi kryesor është që suksesi i një kompanie apo e çdo organizate në përgjithësi varet nga njerëzit që punojnë në të. Kur vjen puna tek startup-et kjo është akoma më vendimtare, sepse nuk ka hapësirë për “free riding” siç mund të ndodhë në organizata të mëdha (korporata apo institucione publike). Pra si dhe suksesi i deritanishëm i Movida.al është pasojë e punës së stafit dhe ajo që do të ndodhë në të ardhmen përsëri varet kryesisht nga puna e stafit.

Gjate këtij rrugëtimi, kur jeni gjendur në udhëkryq për të marrë vendime në lidhje me kompaninë, a keni kërkuar/gjetur ndihmë?

Në një startup ndodhesh çdo ditë në një udhëkryq në sensin e vendimarrjes, fatmirësisht ne nuk jemi gjendur ndonjëherë në udhëkryqe të rëndësishme. Që në fillim jemi munduar të afrojmë si bashkëpuntorë njerëz që mendojmë se e plotësojnë Movida.al me eksperiencën e tyre aty ku njohuritë tona nuk mjaftojnë. Pra në njëfarë mënyrë bashkëpunimi ka qenë një ndihmë e madhe që Movida.al ka marrë.

Çfarë do t’i këshillonit një sipërmarrësi në hapat e para (ose një të riu që dëshiron të fillojë një sipërmarrje?

Në vazhdim të asaj që edhe përmenda më sipër, kryesorja është ndihma nga të tjerët. Kjo nuk do të thotë që të shkosh tek dikush në gjunjë dhe të kërkosh ndihmë. Do të thotë të kërkosh bashkëpunim nga njerëz që të plotësojnë nga ana profesionale. Gjithashtu do të thotë që edhe ju të ofroni diçka në këmbim të asaj ndihme p.sh. një pjesë në kompaninë tuaj, sepse kështu “njeriu që do t`ju ndihmojë” do të jetë “njeriu që është i motivuar t`ju ndihmojë”.

Së dyti, duhet mjaft vendosmëri. Nëse vërtet besoni tek ideja juaj duhet ta ndiqni, të rrezikoni, të punoni shumë. Për asgjë në biznes nuk mjafton vetëm ideja. Ideja duhet të jetë shkëndija që ndez motivimin.

burimi: medium.com

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0