Eksploroni Parajsën e Verës: Veraria Shqiptare e Renditur Ndër Më të Bukurat në Europë! - Business Magazine Albania

Eksploroni Parajsën e Verës: Veraria Shqiptare e Renditur Ndër Më të Bukurat në Europë!

Evropa është e famshme për verën e saj, me rajone si Bordo dhe Toskana që prodhojnë varietete rrushi të klasit botëror. Por vreshtat e Evropës nuk janë të njohura vetëm për krijimin e verërave të shijshme, ato ofrojnë gjithashtu disa prej pamjeve më mahnitëse të kontinentit. Për të gjetur vreshtat më piktoreske, agjencia ndërkombëtare turistike DFDS hulumtoi komentet e turistëve duke analizuar shpeshtësinë e fjalëve kyçe si “e bukur” dhe “piktoresk” në komentet në Google të turistëve.

“Ne siguruam që këto terma të lidheshin drejtpërdrejt me mjedisin e vreshtit, çka na lejon t’i caktojmë secilit vresht një pikë bukurie. Mbi bazën e gjetjeve, ne bëmë një renditje të 10 vreshtave më të bukura të Evropës,” thotë agjencia. Duke analizuar komentet që flasin për bukuritë e vreshtave në bregdetin jugor kroat e deri tek ato për vilat historike franceze në fshatin e famshëm të Burgundisë, agjencia renditi vreshtat në Shqipëri si të katërtat më të bukurat në Europë.

Veraria Avaia, e cila ndodhet vetëm 10 minuta larg qytetit të Durrësit, futi Shqipërinë në listën e 10 vreshtave më të bukura në Europë. Sipas DFDS-së, veraria Abaia në Shqipëri është një aktor relativisht i ri në skenën e verërave shqiptare. Ajo nisi kultivimin e vreshtave të saj në një sipërfaqe prej një hektari në vitin 2019 dhe mori prodhimin e parë në verën e vitit 2021.

“20 minuta me makinë nga qyteti bregdetar Durrës, kantina e verës ndodhet brenda dy bunkerëve të ndërtuar gjatë epokës komuniste. Mysafirët mund të vizitojnë bunkerët për të parë procesin e fermentimit të verës përpara se të eksplorojnë vreshtin e gjerë përgjatë shtigjeve të ndriçuara nga dritat vezulluese,” përshkruan DFDS. Në këtë peizazh të bukur, vizitorët mund të dallojnë edhe shpendët e mëdhenj sa një pulë deti, me një xhufkë në kokë dhe pendë shumëngjyrëshe e të ndritshme, shumë të gjata në bisht, të cilat i hapin si erashkë.

Veraria Abaia përdor dy lloje rrushi autoktonë: Shesh i Zi dhe Shesh i Bardhë, që përkthehen përkatësisht në “fushë e zezë” dhe “fushë e bardhë”. Të dy varietetet e rrushit për verë, thekson agjencia, e kanë origjinën nga Shqipëria. Kjo verari prodhon gjithashtu raki, një pije tradicionale shqiptare me një ABV (Alcohol by Volume) prej 45-50%, që zakonisht shijohet së bashku me mezet në shoqërinë e miqve dhe familjes. Restoranti i kantinës, i hapur në vitin 2023, është vendi i përsosur për të shijuar kulturën shqiptare me njerëzit e dashur.

Me një ambient unik që kombinon historinë dhe natyrën, veraria Abaia ka arritur të tërheqë vëmendjen e turistëve dhe dashamirësve të verës nga mbarë bota. Vizitorët mund të shijojnë verën e prodhuar në mënyrë artizanale, të eksplorojnë bunkerët historikë dhe të ecin nëpër vreshtat piktoreske, duke përjetuar një përzierje të veçantë të trashëgimisë kulturore dhe natyrore shqiptare.

Kjo renditje e lartë nga agjencia DFDS është një dëshmi e cilësisë dhe bukurisë së veçantë të vreshtave shqiptare, të cilat ofrojnë një eksperiencë të papërsëritshme për turistët dhe adhuruesit e verës. Përmes këtij suksesi, Shqipëria po përforcon imazhin e saj si një destinacion i rëndësishëm për turizmin veror, duke tërhequr gjithnjë e më shumë vizitorë që kërkojnë të eksplorojnë thesaret e fshehura të Ballkanit.

 

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0