Ekonomia shqiptare nën sundimin e biznesit të vogël - Business Magazine Albania

Ekonomia shqiptare nën sundimin e biznesit të vogël


“Gjobat, taksat e rënda dhe rëndimi i gjendjes ekonomike të familjeve kanë sjellë rritjen e numrit të bizneseve me status pasiv në 91 mijë”.

Numri i bizneseve që kanë mbyllur aktivitetin është rritur me një ritëm të pashënuar ndonjëherë më parë. Dokumentet zyrtarë të publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tregojnë se vetëm për 9 muaj, janë mbyllur mbi 16 mijë ndërmarrje, të cilat kanë kaluar në status pasiv. Lista e bizneseve pasive nisi të publikohej për herë të parë në Maj të vitit të kaluar. Në atë kohë, Tatimet deklaruan se në Shqipëri rezultonin në total 91 mijë biznese me status pasiv, të cilat ishin akumuluar që nga viti 1992. Por në fillim të muajit shkurt, shifra e bizneseve në pasiv u rrit në mbi 107 mijë subjekte. Kjo do të thotë se vetëm brenda 9 muajsh mbi 16 mijë ndërmarrje janë detyruar të mbyllin aktivitetin dhe të kalojnë në status pasiv.

Kriza, taksat, gjobat

Arsyet se pse shumë biznese po detyrohen të mbyllin qepenat janë disa. E para ka lidhje me krizën e gjatë ekonomike, e cila ka goditur konsumin e popullatës dhe rrjedhimisht edhe shitjet e biznesit.

Gjendja financiare e biznesit veç situatës së shtrënguar ekonomike, gjatë viteve të fundit është goditur rëndë edhe nga politika fiskale, në të gjitha nivelet. Në tre vitet e fundit bizneset janë përballur me rritje taksash nga të gjitha anët.

Vetëm biznes i vogël

Sipas INSTAT, tre janë sektorët që punësojnë mbi 50 % të të punësuarve në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM); sektori i tregtisë mbizotëron me 24,5 %, i ndjekur nga sektorët e shërbimeve të tjera me 16,0 % dhe sektori i industrisë përpunuese me 14,2 %. Sektorët me numrin më të vogël të të punësuarve në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë sektori i industrisë nxjerrëse me 1,5 % dhe sektori i energjisë elektrike, ujit dhe menaxhimit të mbetjeve me 2,3 %.

Sektori i ndërtimit është sektori i dytë me përqindjen më të lartë, i ndjekur nga sektori i industrisë përpunuese. Sektori me përqindjen më të ulët të shitjeve neto të realizuara nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme është sektori i industrisë nxjerrëse.

66,5 % të investimeve kryhen nga NVM. Ndryshe nga treguesit e tjerë, sektori me përqindjen më të lartë të investimeve të kryera në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme është sektori i energjisë elektrike, ujit dhe menaxhimit të mbetjeve me 21,1 %.

Sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor ka përqindjen më të ulët të investimeve prej 1,1 %.

Nëntë nga dhjetë ndërmarrje punësojnë më pak se 5 punonjës. Ndërmarrjet me 250+ të punësuar edhe pse përbëjnë vetëm 0,1 % të ndërmarrjeve punësojnë 18,7 % të punonjësve, kryejnë 33,5 % të investimeve dhe realizojnë 22,4 % të shitjeve neto dhe 33,7 % të vlerës së shtuar.

Nga krahasimi i Shqipërisë me Bashkimin Europian, shohim që ndikimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme është më i rëndësishëm në Shqipëri, sepse zë një përqindje me të lartë në të tre treguesit e marrë në shqyrtim. Në Shqipëri, numri i ndërmarrjeve në NVM është 99,9 % nga 99,8 % në BE, numri i të punësuarve në këtë grup ndërmarrjesh është 81,3 % në Shqipëri nga 66,8 % në BE.

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme luajnë një rol të rëndësishëm për sa i përket punësimit. Sektori akomodimit dhe shërbimit ushqimor ka përqindjen më të lartë të punësimit në mikrondërmarrje (78,9 %). Sektori i ndërtimit ka përqindjen më të lartë të punësimit në ndërmarrjet e vogla me 39,0 %. Sektori i industrisë përpunuese ka përqindjen më të lartë të punësimit në ndërmarrjet e mesme me 36,4 %.

burimi: standard.al

Must watch
Business Mag Nr. #25 - Mars 2021

Kjo periudhë përkon me një vit të plotë në kushte pandemie në vendin tonë, në Europë dhe në mbarë botën. Në një vit ndodhën shumë zhvillime, të paparashkuara ndonjëherë më parë nga ne, duke hedhur poshtë shumë plane apo projekte tonat për rritjen. Por, në këtë kohë sipërmarrje të ndryshme u vunë në lëvizje për të gjetur zgjidhje të reja e për të siguruar mbijetesën.

Në këtë numër të revistës, vijnë zhvillimet përmes gjurmëve që kanë lënë tek industri, sipërmarrje apo individë sipërmarrës.

Pano Soko, ekonomist i njohur flet për efektet e paketave ekonomike të mbështetjes dhe nevojën për paketa ndihme në industritë e prekura.

Rubrika 3X3 i kushtohet industrisë së verërave. Nga intervistat tona me 3 prodhues rezulton se

verërat shqiptare janë të “paralizuara” nga pandemia.

Verërat janë në një trend me turizmin. Brunila Liçaj, profesore dhe eksperte në fushën e turizmit është optimiste për të ardhmen e kësaj fushe.

Në rubrikën e brandeve kemi sjellë, fabrikën e qumështit dhe prodhimeve të bulmetit “Lufra”, ndërsa një brand që po rimëkëmbet nga Kosova është prodhuesi i këpucëve artizanale “Perolli”. Të dy këto brande janë model frymëzimi për njerëzit e punës!

Një pjesë e rëndësishme e revistës i dedikohet konkursit dhe fituesve të Businessmag në …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0