Edvin Libohova: Të aplikohen gjoba automatike për automjetet e pasiguruara

Edvin Libohova: Të aplikohen gjoba automatike për automjetet e pasiguruara

 

 

Edvin Libohova, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë, në një intervistë për BusinessMag na tregon rreth vështirësive që ka hasur tregu i sigurimeve, automjeteve të pasiguruara dhe propozimeve të Shoqatës për përmirësimin e këtij sektori.

 Zoti Libohova, a është prekur tregu i sigurimeve nga pasojat e pandemisë së coronavirusit, si po i përballon ato?

 Është normale që edhe tregu i sigurimeve të jetë prekur dhe të ndiejë pasojat e shkaktuara nga COVID-19. Mbyllja e mijëra bizneseve, kufizimi i lëvizjeve të qytetarëve, reduktimi i veprimtarisë kredituese të bankave – të gjitha këto kanë ndikuar ndjeshëm në uljen e veprimtarisë së tregut të sigurimeve, në uljen e volumit të primeve te arkëtuara, ku më i penalizuari ka qenë sigurimi i detyrueshëm motorrik, që përbën rreth 70 % të tregut të sigurimeve.

Por pavarësisht situatës kufizuese, shoqëritë e sigurimeve janë angazhuar totalisht për të përmbushur kërkesat e qytetarëve dhe të bizneseve. Lidhur me marrjen në sigurim, për individët apo për bizneset, për pronën, për mjetet motorrike, për shëndetin apo edhe jetën, po operohet me të gjitha mënyrat e mundshme si: shitjet nëpërmjet sporteleve dhe zyrave të shoqerive, shitjet online dhe dergimi i policave të sigurimit në vendndodhjen e klientëve.

Si ka qenë reagimi i tregut ndaj 2 fatkeqësive natyrore të njëpasnjëshme – tërmetit të 26 Nëntorit dhe pandemisë COVID-19?

Siç edhe e keni ndjekur, pasojat e këtyre fatkeqësive natyrore janë katastrofale për jetët e njerëzve dhe ekonominë e vendit. Në rastin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti, tregu i sigurimeve ka trajtuar dhe vazhdon të trajtojë rreth 5000 raste, kryesisht këto për sigurime të lidhura me kredimarrjen në banka, me një vlera totale të dëmshpërblimeve, që arrin në rreth 30 milionë euro, një pjesë e të cilave janë paguar dhe po vazhdohet me pagimin e pjesës së mbetur.

Ndërkohë, në rastin e pandemisë, nuk ka patur sigurime për këtë lloj rreziku dhe kjo për mungesë të kulturës dhe traditës në Shqipëri, pasi në tregun ndërkombëtar rastet e sigurimit nga pandemitë janë praktika të zakonshme për bizneset e konsoliduara. Është e rëndësishme që ne të nxjerrim mësime dhe konkluzione nga këto situata, për të përballuar financiarisht rastet e fatkeqësive me të cilat mund të përballemi në të ardhmen :

 Për aq kohë sa njohuritë dhe kultura jonë si qytetarë nuk është në nivelin për të bërë sigurimin vullnetar nga këto lloj fatkeqësish, ne duhet të kemi një ligj të veçantë për sigurimin e detyrueshëm nga katastrofat dhe fatkeqësitë natyrore – siç janë tërmeti, përmbytjet, thatësirat, etj.

 Të dhënat tregojnë se numri i mjeteve të pasiguruara në vendin tonë është rreth 20% e totalit të mjeteve në qarkullim dhe dëmet e shkaktuara nga këto mjete te pasiguruara arrijnë në miliona euro. 

Çfarë masash po merren nga autoritetet përkatëse dhe nga Shoqata juaj për uljen e numrit të mjeteve të pasiguruara?

 Me keqardhje do të thoja se niveli i lartë i mjeteve të pasiguruara na rendit ne në Europë si vendi me numrin më të madh të mjeteve, që qarkullojnë të papajisur me kontratë sigurimi të detyrueshëm.

Dëmet e shkaktuara nga përdoruesit e këtyre mjeteve janë objekt i Fondit të Kompensimit, detyrimet e të cilit vetëm për 3 vitet e fundit arrijne në 18 milionë euro.

Ndërkohë stoku i detyrimeve nga këta shkaktarë ndaj Byrosë Shqiptare të Sigurimeve është rreth 38 milionë euro. Këto vlera të medha, sigurisht që dëmtojnë tregun e sigurimeve dhe ulin kapacitetet e tyre paguese. Për këta debitorë, që janë rreth 3000 persona, vazhdojnë proceset gjyqsore (paditë e regresit), deri në arkëtimin e plotë të shumave, procese, të cilat siç dihen vazhdojnë edhe me vite.

Kjo problematikë është reflektuar nga Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, si perfaqeëuese e tregut të sigurimeve dhe për këtë janë bërë edhe propozimet përkatëse për disa ndryshime në Kodin Rrugor, me qëllim forcimin e masave shtrënguese për të çuar drejt zeros numrin e mjeteve të pasiguruara, bazuar kjo edhe në eksperiencën europiane, ku në disa raste qarkullimi i mjeteve të pasiguruara konsiderohet edhe vepër penale.

 A keni ju disa propozime lidhur me përmirësimin e tregut të sigurimeve?

 Disa nga propozimet tona janë si më poshtë:

 Aplikimi i gjobave automatike nga Policia Rrugore për mjetet e pasiguruara.

Bllokim i menjëhershëm i mjetit motorik në rastet e mospajisjes brenda 15 ditëve me sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit (TPL).

Forcimi i metejshëm i masës administrative – gjobë, në rastet e qarkullimit në rrugë pa qenë i siguruar me kontratën TPL.

Arkëtimi në favor të Fondit të Kompensimit i gjobave për mjetet e pasiguruara, kërkesë kjo në zbatim të ligjit nr. 10076, datë 12.02.2009 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit “ dhe që prej më shumë se 10 vitesh nuk ka gjetur zbatim.

Kalimi në Fondin e Kompensimit i një pjese të të ardhurave që sigurohen nga shitja e mjeteve të konfiskuara për mungesë të sigurimit të detyrueshëm.

Së fundi, kur pritet të miratohet ligji i ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit?

Projekt-ligji për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit ka kohë që po diskutohet. Varianti i fundit i tij, pas diskutimeve dhe rishikimeve të bëra midis tregut të sigurimeve dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, ndodhet në Ministrinë e Financave. Tregu i sigurimeve mirëpret miratimin sa më shpejt të këtij ligji, si ligji më i rëndësishëm i këtij tregu.

Veç të tjerash, miratimi i këtij ligji do të mundësojë edhe vënien në jetë të sistemit bonus-malus, të dhënat dhe treguesit e të cilit kanë filluar të regjistrohen duke filluar nga muaji prill i vitit të kaluar, duke mundësuar kështu krijimin e historikut të dëmeve për çdo mjet në qarkullim.

 

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0