"Dwiblo" - Platforma që ju ndihmon të krijoni software si të jeni duke luajtur Lego! - Business Magazine Albania

“Dwiblo” – Platforma që ju ndihmon të krijoni software si të jeni duke luajtur Lego!

"Dwiblo" - Krijoni software si të jeni duke luajtur Lego!

A mund të imagjinoni një botë ku ndërtimi i sistemeve komplekse dhe integrimeve teknologjike bëhet aq i thjeshtë sa të luani me LEGOs? Kjo është bota që Kevin Beqo dhe ekipi i tij në Kreatx po synojnë të krijojnë me Dwiblo, një platformë që ka për qëllim të transformojë rrënjësisht mënyrën se si njerëzit zhvillojnë softuerët. Në këtë intervistë ekskluzive, Kevin Beqo, software developer pranë kompanisë Kreatx na tregon se si lindi kjo ide dhe pse Dwiblo po fiton vëmendjen e komunitetit teknologjik.

 

Si çdo shpikje e madhe, edhe Dwiblo lindi nga një nevojë e thjeshtë: eliminimi i punëve të përsëritura dhe komplekse që programuesit përballen çdo ditë. Kevin shpjegon se gjithçka filloi si një përpjekje për të përshpejtuar ciklin e zhvillimit në projekte të brendshme. “Ishte si një rrugëtim i pandalshëm idesh, duke filluar nga dizajni i shpejtë i UI-së deri te scripting automatik,” thotë ai. Ajo që fillimisht ishte një ide e thjeshtë, u zhvillua në Dwiblo, një platformë që ofron zgjidhje për të gjithë, edhe për ata që nuk kanë njohuri në programim.

Misioni i Dwiblo është i qartë dhe ambicioz: ta bëjë zhvillimin e softuerit të aksesueshëm për të gjithë, duke eliminuar pengesat e programimit tradicional. Kevin e përshkruan platformën si një mënyrë për të “demokratizuar” këtë proces, duke ofruar një ndërfaqe vizuale që lejon përdoruesit të ndërtojnë sisteme me blloqe. Ky koncept i ri u jep mundësinë individëve dhe bizneseve të krijojnë zgjidhje komplekse pa pasur nevojë për një ushtri programuesish. Por kjo nuk është e gjitha. Dwiblo përfshin edhe inteligjencën artificiale për të ndihmuar përdoruesit të krijojnë sisteme dhe integrime me një lehtësi të paparë. “Ne përdorim AI për të kuptuar çfarë dëshiron të krijosh dhe për ta realizuar atë përmes blloqeve vizuale,” tregon Kevin. Me fjalë të tjera, Dwiblo i jep përdoruesit lirinë për të krijuar, ndërkohë që AI kryen pjesën më të ndërlikuar.

Megjithëse platforma po merr vlerësime pozitive, Kevin nuk mohon sfidat që ka hasur si një startup në Shqipëri. “Ka qenë sfiduese që njerëzit të kuptojnë plotësisht potencialin e Dwiblo,” thotë ai. Shumë herë, vizioni i tij është keqkuptuar, veçanërisht nga ata që nuk janë pjesë e botës teknologjike. Sidoqoftë, Kevin dhe ekipi i tij janë të vendosur që të tregojnë fuqinë e Dwiblo, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në nivel global.

Lexo edhe:Sigurimi në majë të gishtave, me platformat e blerjes online të SIGMA VIG

Reagimi i parë nga përdoruesit ka qenë i shkëlqyer. “Shumë janë falënderues që s’kanë më nevojë të kërkojnë një programues sa herë që duan të automatizojnë një proces,” thotë Kevin. Dwiblo po tërheq vëmendjen e atyre që janë të njohur me teknologjinë, por që nuk kanë domosdoshmërisht njohuri të thelluara në inxhinieri softuerike. Për të arritur këtë audiencë, Kevin dhe ekipi i tij po shfrytëzojnë konferencat teknologjike dhe prezantimet, duke e përhapur fjalën përmes rekomandimeve dhe partneriteteve.

Me një vizion të qartë dhe një ekip të përkushtuar, Kevin nuk ka dyshim se Dwiblo do të vazhdojë të rritet. “Ne tashmë po e përdorim Dwiblon për projektet tona të brendshme dhe planifikojmë të tregojmë fuqinë e saj në sektorë të ndryshëm,” përfundon ai. Për të ardhmen, ai shpreson të gjejë partnerë dhe mundësi të reja që ta bëjnë Dwiblon një emër të njohur për çdo biznes që kërkon të automatizojë dhe zhvillojë sisteme me lehtësi.

Në një treg që kërkon gjithmonë më shumë efikasitet dhe shpejtësi, Dwiblo duket se është një zgjidhje që po ndryshon rregullat e lojës. Me Kevin dhe ekipin e tij në krye, Dwiblo premton të jetë një platformë që do të lërë gjurmë të thella në botën e teknologjisë.

 

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0