Duaje veten, Mesazhi i BM për fëmijët e klasës së parë, prindërit e mësuesit e tyre - Business Magazine Albania

Duaje veten, Mesazhi i BM për fëmijët e klasës së parë, prindërit e mësuesit e tyre


Hej xhan,

Sot është dita jote e parë e shkollës. Po ashtu për mijëra fëmijë.

Është momenti kur prindi i delegon disa kompetenca edukimi mësuesit. E bën shumë mirë se vetë nuk ia del. Aq nuk ia del, sa lëmshi që është në grykë nëse po të edukon mirë, nëse po të bën të fortë për këtë botë, ku dëmi mund të të vijë nga kushdo, ashtu si edhe e mira ama, nuk ikërka kurrë. Edhe për vëllain sot adoleshent, mami ka të njëjtin lëmsh.

Për t’ju rritur ju më mirë e shumë fëmijë të miqve të vjetër e sot shumë të tjerë të rinj, janë ngritur qendra për fëmijë, strehëza pak më të madhe se sa shtëpia. Kjo është një përpjekje për të lehtësuar sadopak barrën e prindërve në edukimin e rritjen e shëndetshme të fëmijës.

Druajmë se ende nuk ia kanë dalë plotësisht. Ndoshta nuk do t’ia dalin kurrë ta qetësojnë nënën a babain, që edhe pse e ka regjistruar fëmijën në shkollë private, ende duhet ta sistemojë atë për disa orë të tjera pasdite deri në mbarim të punës.

Për shkak të një tranzicioni dhimbshëm të tejzgjatur, e vëmendjes në politikën që nuk gjen zgjidhje, arsimi (fara më e rëndësishme për një zhvillim ekonomik afatgjatë) është ende duke u eksperimentuar. Vëllai yt nisi frengjisht e pak eci në këtë drejtim. Klasa të tjera gjermanisht (e po ecin jashtë).

Hej xhan,

Ti je fëmijë i zgjuar.  Por, kjo nuk do të thotë që unë duhet të jem e qetë. Këtë zgjuarsi duhet ta nxjerr në sipërfaqë, ta forcoj, e ta kthej në vlera për ty, për familjen e shoqërinë, me ndihmën e mësuesit, e me shpresa edhe me ndihmën e shoqërisë.

Shkollat tona dhe në mbarë botën në fakt, ende kanë mbetur tradicionale. Rregullat e të mësuarit do t’i kesh njësoj si unë, ndërsa tani që po shkruaj, ti je me IPad në dorë, me një botë të tërë brenda tij, që unë as nuk e imagjinoja.

Do të ishte mrekulli që mësuesja jotë dhe e të gjithë bashkëmoshatarëve të tu, të ishte sa më mendje hapur, të ketë forcën e durimin të të shohë si një potencial për të zhvilluar e jo si një fëmijë i pabindur që ia bën ditën të vështirë.

Më shumë se një fletë me A të shkruara saktë, uroj të të mësojë të duash familjen, shokun në krah, të respektosh të moshuarit, t’i japësh dorën kujt ka nevojë. Nesër kur të rritesh, të duash gruan e fëmijët. Të kalosh kohë më ta e të jesh burim energjie. Të marrësh përgjegjësi.

Jam e bindur se njerëzit e suksesshëm sot janë ata që jetën e bëjnë të thjeshtë. Ata që festojnë ende ditelindjen me kushërinjtë, tortën mund ta bëjë mamaja, në market blejnë produkte në ofertë, nuk shpërdorojnë e shpenzojnë pa kriter (në sfidë e madhe në këtë epokë konsumizmi), ata që e ndihmojnë komshiun nëse është vetëm, apo i pamundur për të lëvizur.

E shikon xhan, edhe pse në një ekonomi pa zhvillim të madh, jemi prekur nga efektet e një botë moderne. Por kjo vlen edhe për mirë.  Ke po aq mundësi të jesh pjesë e një kompanie ndërkombëtare nëse bëhesh i mirë në fushën që do.

Pra sfidat janë, por edhe mundësitë. Për të kaluar shëndetshëm këto sfida e për të arritur deri tek mundësitë, të kërkoj të duash veten, e të besosh shumë tek ajo. Ajo të mban në këmbë, ajo të rrëzon. Unë jam në këtë sfidë, e shumë të tjerë që më rrethojnë, edhe pse të rritur. Nëse duam veten do të mund të duam edhe të tjerët.

(Dedikuar në veçanti Enios dhe Davidit)  

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0