Disney ka emëruar Josh D’Amaro, aktualisht kryetar i Disney Experiences, si CEO-n e saj të ardhshëm, duke i dhënë fund një procesi të gjatë dhe shumë të ndjekur për pasardhësin e Bob Iger.
Emërimi i D’Amaro-s hyn në fuqi më 18 mars, gjatë mbledhjes vjetore të kompanisë. Iger do të vazhdojë të jetë këshilltar i lartë dhe anëtar i bordit deri në largimin e tij përfundimtar nga kompania më 31 dhjetor. Ky është rasti i dytë brenda gjashtë viteve që Disney përzgjedh një pasues për Iger. Përpjekja e mëparshme, emërimi i Bob Chapek, u shndërrua në një krizë të hapur qeverisjeje korporative, që çoi në rikthimin e Iger në krye të kompanisë në vitin 2022. “Josh D’Amaro është një lider i jashtëzakonshëm dhe personi i duhur për të qenë CEO-ja i ardhshëm i Disney-t,” tha Iger në një deklaratë zyrtare. “Ai ka një ndjeshmëri të lindur ndaj brand-it Disney dhe një kuptim të thellë të asaj që rezonon me audiencën, të kombinuar me rigorozitetin operacional të nevojshëm për të realizuar projektet tona më ambicioze.”
Një proces i gjatë përzgjedhjeje
Për disa vite me radhë, bordi i Disney-t, i drejtuar nga ish-CEO i Morgan Stanley, James Gorman, ka shqyrtuar kandidatë të shumtë, kryesisht nga radhët e drejtuesve të lartë të kompanisë. Katër raportuesit direkt të Iger – D’Amaro, drejtuesi i ESPN Jimmy Pitaro, si dhe bashkë-drejtuesit e Disney Entertainment Dana Walden dhe Alan Bergman, u intervistuan nga komiteti i pasardhësve që në vitin 2024. Në muajt e fundit, gara ishte ngushtuar mes D’Amaro dhe Dana Walden. Walden u emërua njëkohësisht presidente dhe shefe kreative (Chief Creative Officer), rol i ri që do të fokusohet ekskluzivisht në motorin kreativ dhe përmbajtjen e Disney-t, duke raportuar drejtpërdrejt te D’Amaro. “Nëse mendon se çfarë është zemra e Disney-t, ajo është kreativiteti,” u shpreh Gorman për CNBC. “Është pasuria e jashtëzakonshme e pronësisë intelektuale e ndërtuar ndër dekada.”
Lexo edhe: Pagat minimale në Europë për këtë vit, Shqipëria e fundit mes vendeve kandidate
Sfida përpara dhe pesha e trashëgimisë së Iger
D’Amaro merr drejtimin e Disney-t në një moment kompleks. Edhe pse kompania raportoi fitime dhe të ardhura mbi pritshmëritë, të mbështetura nga parqet tematike dhe streaming, aksionet e Disney-t ra me 7%. Njësia Experiences, që përfshin parqet tematike, resortet dhe linjat e kroçerave, gjeneroi për herë të parë mbi 10 miliardë dollarë të ardhura tremujore, duke u shndërruar në shtyllën më të fortë financiare të kompanisë.
Disney po planifikon:
- një park të ri tematik dhe resort në Abu Dhabi,
- investime prej 60 miliardë dollarësh në parqet tematike gjatë dekadës së ardhshme,
- si dhe dominimin e box office-it në vitin 2025.
Megjithatë, sfida kryesore mbetet biznesi i medias dhe tranzicioni nga televizioni tradicional drejt streaming-ut fitimprurës.
Pasuesi i Bob Iger: një rol që nuk fal gabime
Bob Iger ka drejtuar Disney-n për rreth 20 vite, në dy mandate. Në periudhën e tij të parë, ai e transformoi kompaninë përmes blerjeve strategjike dhe lançimit të Disney+, duke e kthyer Disney-n në një superfuqi globale të argëtimit.
Rikthimi i tij në vitin 2022 solli:
- shkurtime kostosh prej 5.5 miliardë dollarësh,
- ristrukturim organizativ,
- rikthim në krye të box office-it,
- dhe stabilizim të biznesit të streaming-ut.
“I rëndësishëm sa vetë drejtimi i kompanisë është procesi i pasardhësisë,” ka deklaruar më herët Iger, duke theksuar se qëllimi i tij ishte të linte Disney-n të fortë për liderin e ardhshëm. Tani, kjo përgjegjësi bie mbi Josh D’Amaro – njeriun që do të udhëheqë Disney-n në kapitullin e saj të ardhshëm.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto