Në një kohë kur ekonomia e Kosovës po pëson rënie si pasojë e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, roli i diasporës në ekonominë e Kosovës vazhdon të jetë tejet i madh. Përveç remitencave të cilat kanë shënuar rritje gjatë pandemisë, vërehet rënie në investimet e diasporës në pasuritë e patundshme në Kosovë dhe blerje të pajisjeve për familjarët. Ajo çfarë mbetet më me ndikim për ekonominë e Kosovës, janë të ardhurat nga shpenzimet që bën diaspora gjatë vizitave në Kosovë, e të cilat kanë rënë ndjeshëm. Para pandemisë, shpenzimet e diasporës në Kosovë llogariteshin të kapnin vlerën mbi 328 milionë euro apo 4.6% të PBB-së në vit. Ndërsa këtë vit, përfitimi i ekonomisë së Kosovës pritet të jetë i vogël, rreth 0.55% deri 1.83%. Përveç frikës nga virusi korona, pengesë për ardhjen e diasporës gjatë verës ishin masat e ndërmarra nga Kosova dhe shtetet tjera për qytetarët që e vizitojnë Kosovën. Rritja drastike e numrit të të infektuarve para sezonit së verës bëri që shumë shtete në Evropë ta kualifikojnë Kosovën si një ndër vendet me rrezikshmëri të lartë të përhapjes së infeksionit.
Shkurtimi i qëndrimit të diasporës në Kosovë ka pasoja të dukshme në ekonominë e Kosovës dhe i ka ndikuar negativisht sektorë të ndryshëm të ekonomisë duke filluar nga hoteleria, tregtia me pakicë, derivatet, gastronomia, etj.
LEXO: Kosova, nga një krizë virusi në një krizë ekonomike
Në mënyrë që të shfrytëzohet potenciali financiar i diasporës, Kosova duhet: të hartojë politika që nxisin ridestinimin e remitencave drejt investimeve dhe kursimit, duke krijuar platforma investuese apo emituar obligacione qeveritare për diasporën; të ulet kosto e transferimit të remitencave dhe të rriten programet mbi edukimin financiar të familjeve pranuese të remitencave; Qeveria e Kosovës duhet ta finalizojë regjistrin e diasporës, i cili duhet të përmbajë fushat e tyre të punës, përvojën profesionale, dhe gatishmërinë për zhvendosje të përkohshme etj; të krijohen rrjete profesionale dhe plane me qëllime konkrete për inkuadrimin e diasporës në ekonomi; të përmirësohet ambienti i biznesit me theks në forcimin e sundimit të ligjit, të drejtave të pronësisë intelektuale dhe transparencës.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.