Diaspora me sytë nga Shqipëria. Anita Likmeta është një prej tyre - Business Magazine Albania

Diaspora me sytë nga Shqipëria. Anita Likmeta është një prej tyre

Anita Likmeta

 

Foto: Jacopo Brogioni

Anita Likmeta, është brezi i dytë i shqiptarëve të diasporës. Ajo ka jetuar e studiuar më së shumti në Itali, dhe ka po aq të ndezur dashurinë për Shqipërinë sa prindërit e saj. Me një fokus në startup-et e teknologjisë dhe në fushën e modës ajo është përfshirë tërësisht në fushën e sipërmarrjes dhe inovacionit. Këtë frymë kërkon ta sjellë edhe në Shqipëri. 

Së fundi, së bashku me një grup të rinjsh shqiptarë që kanë jetuar e studiuar në Itali dhe që kanë investuar në Shqipëri ajo është bërë ambasadore e Agjensisë së Kombeve të Bashkuara për Migracionin (IOM) dhe programit  Connect Albania, për diasporën, duke i ftuar shqiptarët e Diasporës të bëhen agjentë zhvillimi të vendit të tyre. 

Dipaspora mund të investojë vetë në Shqipëri, ose të nxisë sipërmarrësit e huaj. Anita është në këtë grup Ambasadorësh bashkë me Albana Muçaj-n, kryeredaktoren tonë, Fundim Gjepalaj, Rigers Kaçorri, Rigerta Loku dhe Ambasadorë të tjerë të IOM. Ne kemi zhvilluar një intervistë me Anitën. 

 

Foto: Jacopo Brogioni

Cilat janë impenjimet tuaja aktuale? Çfarë po drejtoni apo asistoni aktualisht?

Për mua, 2020 ka qenë një vit i rëndësishëm: janë vite që punoj në fushën dixhitale dhe sigurisht jam me fat, sepse kriza Covid-19 ka qenë një avantazh për sektorin tim. Dhe kjo demonstrohet nga fakti se gjatë verës së vitit 2020 me Coderblock, startup italiane që merret me mjedise virtuale dhe prej të cilit jam Partner dhe Këshilltare, kemi mbyllur një raund investimesh prej mbi 250K. Për më tepër, gjatë kësaj pandemie kam ndjekur fillimin e një projektit tim të quajtur TheAnsware, media online ku intervistoj personalitete nga sektorë të ndryshëm dhe ku përballemmi me çështjet më të vështira në krahasim me status quo-në që po përjetojmë në botë.

Cilat janë projektet tuaja të ardhshme dhe sa janë ndikuar ato nga Covid?

Projektet e mia në të ardhmen kanë të bëjnë me startup-et dhe nuk e fsheh faktin se dëshiroj shumë të investoj më tepër në Shqipëri. Përfitoj nga kjo intervistë për të ftuar të rinjtë të më shkruajnë për propozimet e tyre. Do të ishte shumë interesante nëse do të lindnin sinergji, siç është një Hub kushtuar startup-eve me Universitetin Shtetëror të Tiranës. Dëshiroj të jem një urë për sipërmarrësit e rinj shqiptarë të ardhshëm duke i lehtësuar ata në rrugën e tyre.

Si ka ndryshuar puna juaj dhe e kompanive që asistoni për shkak të Covid? Çfarë kanë humbur dhe çfarë është fituar nga kjo situatë?

Siç e përmenda, sektori im ka përfituar nga kriza Covid, pasi ne kemi mbyllur një raund investimesh në pandemi të plotë si edhe  kemi rritur numrin e bashkëpunëtorëve në të gjitha startup-et ku jam Partnere dhe Këshilltare.

Në formimin tuaj, çfarë mendoni se ka ndikuar më shumë?

Jam e sinqertë: kam një diplomë në Filozofi dhe pas studimeve të mia ndjeva nevojën, ose ndoshta thirrjen time, për të bërë biznes. Duke jetuar në Evropë si migrante në këto 22 vite shumë të gjata, u bë e qartë për mua që brezi im nuk ishte përqëndruar në qëllime konkrete. Dështimi i Perëndimit qëndron pikërisht këtu, përkatësisht mungesa e një projekti të përbashkët. Mbi të gjitha, nëse nuk dini çfarë doni, si mund ta pretendoni?!

Edhe pse jeni rritur në vende të ndryshme të Europës, kryesisht në Itali, ju vijoni të keni një dashuri të madhe për Shqipërinë. Çfarë ju nxit?

Shqipëria është atdheu im, tani kam edhe një tjetër, Italinë, e cila më ka dhënë mundësinë të rritem, të arsimohem dhe të bëhem gruaja dhe sipërmarrësja që jam sot. Shqipëria është një vend i mrekullueshëm që meriton të njohë rilindjen e saj kulturore, shoqërore dhe industriale. Dhe çfarë kohe më e mirë se tani?! Pandemia mund të jetë një mundësi e shkëlqyer për përfitimin e kompanive të huaja, ose shqiptarëve të diasporës që dëshirojnë qoftë duke jetuar jashtë vendit apo që vendosin të ri-kthehen dhe të investojnë në territor.

Çfarë është Connect Albania dhe pse vendosët ta mbështesni?

IOM në Shqipëri ka prezantuar Connect Albania, një program të ri për rritjen e investimeve në Shqipëri. Programi Connect Albania do të angazhojë si Agjentë Zhvillimi anëtarët e Diasporës Shqiptare në të gjithë botën, me një fokus të veçantë, në fazën e tij të parë, në Diasporën Shqiptare që jeton në Itali, duke marrë parasysh që Programi i Diasporës së IOM në Shqipëri financohet nga Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim. Nëpërmjet këtij mekanizmi, diaspora shqiptare do të tërheqë investimet e huaja në vendin e tyre.

Përveç kësaj, Connect Albania ka krijuar Zyrën e Programit të Connect Albania nën Dhomën e Biznesit të Diasporës Shqiptare (ADBC) në Tiranë, për të mbështetur Agjentët e Zhvillimit dhe përmes tyre, investitorët e mundshëm të huaj dhe investitorët e diasporës. Zyra e Programit Connect Albania shërben si zyrë mbeshtetëse/front desk për anëtarët e diasporës dhe investimet e huaja. Ajo ofron informacione ligjore, sektoriale dhe informacione të tjera të kërkuara në lidhje me hapat dhe procedurat e krijimit të një biznesi të ri në Shqipëri, me synimin për të lehtësuar qasjen e parë të investitorëve në tregun shqiptar.

Lexo: Programi Connect Albania, një mekanizëm ri për të investuar në Shqipëri

Pra, është krijuar mundësia dhe struktuara; ajo çfarë ne duhet të bëjmë është që t’i bindemi zërit tonë të brendshëm. Kudo që jemi, gjithmonë na thërret zëri ynë i brendshëm. Ai që kërkon shtëpinë tonë, vendin tonë. Ndonëse jetoj në Itali, unë kam zgjedhur të investoj në vendin tim dhe të jem ambasadore për zhvilllimin e Shqipërisë, duke mbështetur programin Connect Albania. Mendoj që gjithësecili nga ne mund të jetë një ambasador i vendit te tij, një urë lidhëse mes vendit ku jeton dhe Shqipërisë.

Çfarë planifikon të bësh në këtë drejtim? A mendon se mund të sjellësh ndonjë kompani mode, apo startup teknologjie në Shqipëri? A ke në plan të investosh vetë në Shqipëri?

Për mua është një nder dhe privilegj që më kanë zgjedhur si ambasadore për Connect Albania nga IOM – Agjensia e OKB-së për Migracionin, sepse më lejon të jem një zë për atdheun tim. Qëllimi im është të sensibilizoj sipërmarrësit italianë dhe shqiptarë, në mënyrë që ata të zgjedhin Shqipërinë për të krijuar kompanitë e tyre. Unë besoj fort se Shqipëria mund të përfaqësojë një mundësi të madhe për Partnerët tanë Europianë. Shqipëria është një pikë e mesme midis Lindjes dhe Perëndimit dhe meriton të rizbulojë atë qendër historike, në një nivel kulturor dhe mbi të gjitha ekonomik.

Pse mendon se diaspora duhet të investojë në Shqipëri?

Në fakt, ne shqiptarët jemi një pakicë etnike në botë dhe kontributi i Diasporës Shqiptare është thelbësor në këtë moment historik. Ftesa ime për të gjithë qytetarët shqiptarë në të gjithë botën për të luftuar për një qëllim të përbashkët: atë të dhënies së mundësisë Shqipërisë dhe shqiptarëve për të rritur dhe zhvilluar kompani të afta për të tërhequr investime të huaja. Nuk është një ëndërr, unë besoj shumë në realitetin, besoj në mundësinë e bashkëpunimit për një të mirë më të madhe: për të rivendosur dinjitetin në vendin tonë dhe për të filluar ndërtimin e diçkaje të fortë për brezat e ardhshëm.

Çfarë mesazhi keni për Diasporën Shqiptare? Po për të rinjtë që vijojnë të mendojnë për t’u larguar nga Shqipëria?

Shpresoj që kjo krizë botërore të mund të na drejtojë të reflektojmë mbi rëndësinë e miratimit të zgjidhjeve që synojnë përmirësimin e jetës sonë, rivlerësimin e marrëdhënieve. Shpresoj që ky moment historik të jetë në gjendje të na bashkojë dhe të na kujtojë pikënisjen tonë. Unë gjithmonë kam qenë e bindur se njerëzit janë vlera e vërtetë e kompanive dhe kështu pyes veten dhe ju pyes: a nuk ka ardhur koha të besojmë dhe të fillojmë së bashku?

Dua ta mbyll këtë intervistë me një citim nga Victor Hugo që shkruante: 

“Nuk ka bar të keq ose njerëz të këqinj. Ka vetëm prodhues të këqinj”.

Mesazhi im për shqiptarët e diasporës është mbledhur në këto fjalë: bëhu bujku i mirë i tokës sonë.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0