Covid 19, Bota dhe Shqipëria në një javë - Business Magazine Albania

Covid 19, Bota dhe Shqipëria në një javë


Rreth tre muaj më parë u shfaq në Wuhan, Kinë virusi korona. Përhapja e shpejtë e tij ishte e frikshme. Por ndërsa tërhoqi vëmendjen ndërtimi në kohë rekord i spitaleve për të përballuar pacientët e shumtë, bota dhe ne nuk e menduan shumë zhvillimin progresiv të këtij virusi. Aq i shpejtë dhe i fuqishëm po shfaqet ky virus sa Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur atë një pandemi.

Kjo situatë e pazakontë nuk mund të mos ndiqej edhe nga Businessmag duke synuar të sjellim zhvillimet globale dhe vendase (sapo virusi u shfaq) me objektivin për të pasqyruar dinamikën e virusit, reagimet e institucioneve, dëmet aktuale dhe të mundshme të kësaj pandemie, si po i përgjigjet shoqëria dhe sipërmarrjet dhe cilat janë angazhimet e institucioneve dhe qendrave kërkimore në luftën e këtij virusi. Pa dashur të largohemi nga angazhimi ynë për të sjellë frymëzim e shpresë në atë që po ndodh, mbi të gjitha kemi synuar të përzgjedhim e transmetojmë artikuj të besueshëm, pa tituj bombastikë që marrin shumë klikime.

Lexo: Mobilizimi, spitali ndërtohet për 6 ditë

Dinamika e këtij virusi po vë në provë qeveritë, kompaninë dhe individët. Zhvillimet e këtyre ditëve, masat e marra nga kryeministra të shumë vendeve, nxorën më shumë në pah politikat sociale të qeverive, gjendjen ekonomie dhe disponibilitetin ekonomik të tyre për të mbështetur sipërmarrjet.

Karantina është kryefjala e disa javëve tashmë në nivel global, si kundërpërgjigjia më e mirë ndaj Covid 19. Por jo të gjithë kanë mbajtur të njëjtin qëndrim. Qeveria britanika ka ngjallur reagime të mëdha brenda dhe jashtë vendit për zgjedhjen e saj për t’iu përgjigjur në një formë të butë virusit, duke e lënë “të bëjë të veten”. Ndryshe nga pothuasje të gjitha vendet e tjera, të cilat karantinën e forcuan shpejt ose vonë, Britania e Madhe ka paralajmëruar qytetarët se shumë prej tyre do të humbasin të afërmit. Plani i saj është që prekja e masës nga ky virus të krijojë imunitet dhe të zbusë efektet në rastin e rishfaqjes së tij. Italia fqinje, e dyta më e goditur pas Kinës, u përball në shkurt me të infektuarin dhe vdekjen e parë.

Lexo: Të mos bëjmë gabimet e Italisë. Nevojitet solidaritet dhe vetëizolim

Masat shtrënguese të qeverisë filluan të përshkallëzohen, por ritmi duket se nuk ka qenë ai i duhuri. Shtrimet në spitale janë tej kapaciteteve dhe vdekjet kanë kaluar edhe mbi 350 në një ditë. Pak pas Italisë virusi u përhap pothuajse në të gjitha vendet e Europës dhe në vendin tonë. Vetëm një javë më parë, u diagnostikuan dy të infektuarit e parë me Covid 19, të ardhur nga Italia. Një ditë më pas zhvillohet mbledhja e jashtëzakonshme e qeverisë e cila vendos mbylljen e institucioneve arsimore dhe anulon të gjitha grumbullimet, konferenca, evente, etj.

Lexo:  Virusi Corona mbërrin në Shqipëri, konfirmohen rastet e para

Ndërsa shënohet i vdekuri i parë, 73 vjeçarja nga Durrësi, masat vijojnë të shtrëngohen më tej. Dënohen me gjobë 5000 euro të ardhurit nga Italia dhe vendet e infektuara që qarkullojnë në ambiente publike, nëse kanë më pak se 14 ditë në vend. Mbyllen bare, restorante.

Ndërsa numri i të infektuarave në vend shkon në 10, kompanitë nisin të punojnë nga shtëpia, ose mbyllen tërësisht. Të parat e ndërmarrin nismën vetë, ndërsa shumë shpejt Qeveria del me vendimin se duhet të mbyllen fabrikat dhe call center-at që nuk plotësojnë distancën1.5 metër mes punonjësish. Më të përgatitura në këtë sfidë duken kompanitë e shërbimeve të teknologjisë, IT, zhvillim software, të cilat kanë angazhuar punonjësit nga shtëpia.

Lexo: Ne e filluam punën nga shtëpia. New Media Communications dhe Businessmag ju ftojnë të punoni remote nëse mundeni

Angazhimi i qeverisë për të aktivizuar karantinën është vlerësuar brenda dhe jashtë vendit. Por shpejtësia e vendimeve nuk ka ecur në të njëjtin kah edhe në çështet ekonomike. Së fundi, një grup shoqatash sipërmarrëse i kanë dërguar një listë kërkesash qeverisë shqiptare për lehtësime në bërjen e biznesit këto muaj. Mes këtyre kërkesave përfshihet pezullimi i pagesave për 3 muaj dhe pagesa e punonjësve nga sigurimet siç aplikohet në kushtet e lejeve në rast sëmundje. Kjo është një masë që po aplikohet tashmë nga qeveria italiane, e cila ka vendosur 24 miliardë euro në shërbim të ekonomisë dhe sipërmarrjes private. Por përgjigjen më të fortë ndaj mbështetjes ekonomike e ka dhënë qeveria gjermane, e cila me një fond në dispozion prej 550 miliardë euro, (në rast nevoje edhe më shumë), ka vendosur të mbështesë plotësisht sipërmarrjet në këtë sfidë. Shqipëria vjen nga një tjetër goditje e fortë në Nëntor 2019. Dëmet e tërmetit janë llogaritur në 1 miliard euro. Por, ndërsa vendimet ekonomike pritet të jenë në ditët në vijim, emergjente mbetet kufizimi sa më shumë të jetë e mundur e të infektuarve, e cila deri më tani duket se është arrirë.

Duke ju uruar shëndet, qetësi e sa më shumë gëzim në familjet tuaja, Businessmag do t’ju raportojë zhvillimet rreth kësaj çështje, së bashku me gjetjet dhe risitë në këtë drejtim.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0