Connect IT afron universitetet me sektorin privat. 6 universitete po bashkëpunojnë me kompani shqiptare në nevojë të digjitalizimit - Business Magazine Albania

Connect IT afron universitetet me sektorin privat. 6 universitete po bashkëpunojnë me kompani shqiptare në nevojë të digjitalizimit

Connect IT

Në mes të muajit dhjetor në mjediset e universitetit Polis, u zhvillua workshop-i i parë i projektit Connect IT 2.0, një projekt i mundësuar dhe mbështetur nga qeveria Gjermane nëpërmejt GIZ Shqipëri, programi ProSEED 2.0 në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë. Në të morën pjesë 26 ekipe të drejtuara nga 5 pedagogë nga Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, si dhe Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës.

Qëllimi i këtij workshop-i të parë ishte një prezantim i studentëve me arritjet e projektit gjatë fazës pilot, mbështetur nga programi EU for Innovation, njohjes me kompanitë e ardhura nga projekti CoSolve-19,  një tjetër iniciativë e përbashkët e programeve dypalëshe të Bashkëpunimit gjermano-shqiptar për Zhvillim, përkatësisht ProSEED dhe SRD për të mbështetur NMVM-të e prekura rëndë nga pasojat e krizës së COVID-19 në Shqipëri dhe sfidave të tyre digjitale, si dhe hartimi i një plani të punës për vijimësinë për çdo grup.

Dr. Elona Karafili – Universiteti Polis, drejtuese e programit, tha se kjo është një mundësi shumë e mirë për universitetet, studentët dhe vetë kompanitë. Sipas saj, “Universitetet janë gjithnjë e më të ndërgjegjshme për rëndësinë e bashkëpunimit me industrinë/sektorin privat dhe aftësimin e studentëve për nevojat e tregut. Aplikimi i metodologjisë “problem-based learning” – pra të mësuarit nëpërmjet problemeve konkrete është një mënyrë shumë e mirë për ta bërë këtë. Kjo është akoma më e mundur në sektorin e IT. Falë kësaj, Connect IT 2.0 përfshin më shumë universitete, studentë dhe ndërmarrje, krahasuar me projektin pilot”.

Connect IT është një nga programet e pakta që implementon qasjen Triple-helix në ekosistemin lokal, duke angazhuar kompani, universitete dhe pjesëmarrës aktivë të ekosistemit për të zhvilluar zgjidhje digjitale për ndërmarrjet e mesme, të vogla dhe mikro.

Përgjatë projektit, studentët do të mentorohen dhe monitorohen nga pedagogët e Universiteteve të tyre dhe skuadra e projektit. Vetë programi, është parashikuar i ndarë në dy cikle, në mënyrë që të përshtatet me ndarjen semestrale të universiteteve, duke u bërë pjesë e kurrikulës si projekt mësimor apo praktikë profesionale, duke përfituar kredite, në varësi të universitetit.

Prof. Asoc. Dr. Edlira Martiri, pedadoge në Fakultetin Ekonomik, Universiteti i Tranës, tha se kjo është një mundësi shumë e mirë për studentët, për të zhvilluar më shumë aftësitë e tyre praktike që kur janë në bankat e shkollës. Ajo pranoi se ka raste suksesi kur studentët janë punësuar apo kanë realizuar projekte të caktuara për ndërmarrje

Deri më tani, në ciklin e parë, në program janë angazhuar: 26 grupe, 23 kompani, 5 profesorë nga FEUT dhe UAMD. Në vijim do të zhvillohen edhe 2 workshop-e të tjerë, ku studentët do të punojnë dhe praktikohen hands-on në sfidat digjitale përkatëse dhe prezantojnë ato para studentëve të tjerë, kompanive dhe ekosistemit lokal.

Christoph Boenig, Këshilltar pranë Proseed/GIZ tha në një intervistë për Businessmag se, “kriza që solli pandemia na tregoi se digjitalizimi është më i nevojshëm se kurrë më parë. Pavarsisht nëse ndodhesh në karantinë apo jo, nëse ke mundësinë e të pasurit të produkteve në një faqe online apo aplikacion, ti mund të identifikosh klientë të rinj dhe të krijosh marrëdhënie të reja biznesi, prandaj digjitalizimi dhe aftësia e të përshtaturit kanë një peshë të madhe në kohët që po jetojmë”. Ai kujtoi se, GIZ vuri në jetë këtë program në mënyrë që të asistonte biznese të realizonin zgjidhje konkrete digjitale si: faqe online, sisteme kontabiliteti, aplikacione. Shumë prej bizneseve të cilat marrin pjesë në ciklin e parë të tij të Connect IT 2.0,  janë pjesë e projektit mbështetës CoSolve-19, dhe si të tillë janë udhëzuar për të ndërtuar e aplikuar një “plan përshatshmërie” (change plan), ndaj janë shumë të qartë se çfarë u duhet, në aspektin e zgjidhjeve dixhitale.

Bizneset kanë qenë në një proces këshillimi me trajnerë, ku janë diskutuar mundësitë e secilit për digjitalizim dhe jemi të lumtur që kemi mundur të mbledhim skuadra me studentë nga 6 universitete për t’i ndihmuar në implementimin e zgjidhjeve digjitale të propozuara. “Mendoj që kjo do t’i bëjë bizneset ta kenë më të lehtë t’u përshtaten situatave të ndryshme dhe ka shumë mundësi për ta në të ardhmen”, tha Boenig.

Lexo: Tesla po humb avantazhin e pikave të furnizimit, ndërsa Mercedes dhe GM njoftojnë ndërtimin e rrjetit të tyre

Ai tha se, CoSolve-19 ka mbështetur 700 biznese gjithësej, nëpërmjet një procesi këshillimi me trajnerë biznesi si shkak i krizës që solli pandemia, dhe midis 700 bizneseve rreth 90 rezultuan të kishin nevoja konkrete për digjitalizim. Ndaj, tani bëjmë lidhjen e tyre me studentë, pa qenë nevoja të kërkojmë në treg por duke gjetur zgjidhje në sistemin arsimor.

Ynte Bakhuizen, ekspert i atashuar me Preneurz.Amsterdam/Hollandë tha në një intervistë për Businessmag se: “Ne kemi bërë tashmë një projekt pilot me shumë kompani, kryesisht në Tiranë. Ndryshimi midis projekteve që kam bërë në Hollandë apo Gjermani qëndron në faktin se kompanitë atje janë mësuar të punojnë me studentë, po ashtu edhe studentët me kompanitë. Por, vitet e fundit po theksohet gjithnjë e më shumë rëndësia e të fituarit eksperiencë profesionale me kompani reale në projekte reale, për të kuptuar se si është të punosh në një ambjent profesional, të punosh me klientë, të cilët kanë kërkesa për bizneset e tyre”. Ai theksoi se, “ata e kanë më të lehtë të kenë akses në shumë kompani dhe shumicën e kohës kompanitë paguajnë për të punuar me studentë, sepse e dinë që studentët mund të jenë shumë më të përgatitur se profesionistët dhe mund të ndihmojnë në nxitjen e inovacionit. Ndërkaq, në Shqipëri shohim që kompanitë nuk kanë shumë eksperiencë me të punuarit me studentë dhe kanë një stepje, mendojnë “a do të na ndihmojë vërtetë kjo qasje apo do të na harxhojë kohë? Por, kemi parë që sapo një kompani përfshihet në projekt dhe u ofron ndihmë studentëve, studentët janë ata që e ndihmojnë kompaninë të hedhë një hap drejt inovacionit dhe botës digjitale”.

 

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0