COCOMED, nga një blog i thjeshtë në një sipërmarrje që po korr sukses - Business Magazine Albania

COCOMED, nga një blog i thjeshtë në një sipërmarrje që po korr sukses


Klea Isakaj

Sipërmarrësit e rinj hasin shumë vështirësi për të operuar me biznesin e tyre në tregun shqiptar. Duke qenë se është i vogël nuk jep mundësi të shumta për të zhvilluar një biznes, por le të themi që vend ka për të gjithë ata që janë këmbëngulës dhe inovativë. E tillë është edhe Anta Haxhiraj, themeluesja e blogut “Cocomed”, që ka arritur të kthehet në një sipërmarrje me një ecuri vërtetë premtuese, e njohur me emrin “Cocoshop”. Ai tashmë është një rrjet dyqanesh, ku ofrohen produkte kozmetike italiane, të çertifikuara organike.

Anta është e diplomuar për mjekësi të përgjithshme dhe tashmë është në përfundim të një specializimi dy vjeçar për mjekësi estetike. Dermatologjia është fusha e saj e preferuar e mjekësisë që dëshiron të angazhohet. “Mua më pëlqen shumë dermatologjia dhe atë kam pasion, ndaj kam bërë këtë specializimin dy vjeçar për mjekësi estetike, të cilën shpresoj shumë ta vendos në praktikë, shprehet Anta. Ajo na tregon rrugëtimin e “Cocoshop” që nga fillesat e tij e deri në ditët e sotme, i cili gradualisht ka fituar një popullaritet të konsiderueshëm.

Anta është vlerësuar nga media shqiptare mes 100 grave që e ndryshuan Tiranën në aspektin e aftësisë për të zotëruar një biznes të suksesshëm.

Gjithçka nisi me krijimin e një blogu, rreth 5 vite më parë nga vetë Anta, në të cilin postonte artikuj të ndryshëm për kujdesin e flokëve, lëkurës dhe trupit vetëm me produkte organike. Ajo është një fanse e madhe e tyre, pasi  mendon që këto produkte nuk sjellin dëme dhe japin një efekt të vërtetë edhe pse priren të japin rezultate për një kohë relativisht të gjatë. “Cocomed” ka qenë një ndër blogjet e para në Shqipëri në atë periudhë ndaj pati një shikueshmëri të lartë dhe postimet lexoheshin dhe ndiqeshin masivisht.

Anta thekson se një ndër gjërat që çuan në lindjen e “Cocoshop-it” ishte mungesa e produkteve organike në Shqipëri, por jo vetëm. Shumë mikesha të saj konsultoheshin me të për  të gjetur produkte kozmetike organike, pa kimikate dhe përbërës të tjerë të dëmshëm për lëkurën. “Mua nuk më pëlqejnë produktet farmaceutike, pasi e di që asgjë nuk funksionon lokalisht dhe merresha vetëm me produkte organike me aq sa mund të gjeja në tregun shqiptar 5 vite më parë  dhe duke qenë se vajzat më kërkonin dhe më pyesnin se ku të gjejmë ndonjë fondatinë apo buzëkuq organik, kështu lindi “Cocoshop-i”, thekson Anta.

Lexo: Kravata edhe për gratë. Slow fashion nga një startup italian

Në fillim, Cocoshop-i funksiononte vetëm si një dyqan online, pa pasur akoma një ambient fizik. Porositë shpërndaheshin në rrugë tek fakulteti i shkencave të natyrës nga vetë Anta dhe kjo gjë vazhdoi përreth 4 muaj me rradhë. Ishte tepër sfilitëse për të që të shpërndante porositë dhe duke qenë se ajo ishte e angazhuar me shkollën vendosi të hapte një dyqan fizik. Shërbimi online nuk u eleminua, madje vazhdon të funksionojë deri më sot ku porositë shpërndahen me anë të postës brenda Shqipërisë e jashtë.

Me hapjen e një dyqani aktual ne qytetin e Tiranës tashmë do të ishte e lehtë për klientët të blinin produktet e tyre të preferuara, por edhe për Antën, e cila nuk do të ishte më nevoja që të sfilitej duke i shpërndarë porositë në rrugë personalisht. “Cocoshop-i” tashmë gjendet në rrugën “Abdyl Frashëri”, pranë librit universitar, ku çdo klient është i mirëpritur të zgjedhë mes aq shumë produkteve  kozmetike organike dhe të konsultohen më lehtësisht me Antën për pyetjet që kanë.

Përsa i përket produkteve, “Cocoshop” ka tri linja nën distribucion për Shqipërinë dhe Kosovën. “Purobio Cosmetics” ishte linja e parë kozmetike italiane që Cocoshop siguroi distribucionin dhe ekskluzivitetin në Shqipëri. Anta ndiqte disa blogere të huaja italiane dhe në atë periudhë “Purobio Cosmetics” kishte fituar shumë popullaritet dhe ka bërë revolucion pasi çdo firmë tjetër makeup-i organik që ekzistonte para kësaj kompanie nuk ka pasur performancë të lartë, edhe pse përbërësit ishin organikë. “Purobio-ja po bënte namin sepse kishte dhe performancë të lartë edhe ishin organike, ndaj ka bërë kthesë në kozmetikën organike në Itali por edhe në Europë,”shprehet Anta. Shitjet qenë të menjëhershme. “Unë në fillim e kam nisur me shumë pak produkte dhe porositë e para që kam marrë i pata shitur të gjitha brenda dy ditësh, ndaj bëja porosi vazhdimisht”, tregon Anta. Kompania ishte e surprizuar me interesimin aq të madh të klientëve shqiptarë për produktet kozmetike organike. “Nga frika porosisja shumë pak produkte dhe detyrohesha të bëja çdo javë porosi, ndaj ata më thonin: “Oh wow, çfarë po ndodh në Shqipëri kështu?”, shprehet duke buzëqeshur Anta.

Kur u vendos të hapej një ambient fizik për të tregëtuar produktet, Anta fillon kërkimet për një tjetër linjë organike për kujdesin ndaj flokëve, lëkurës dhe trupit, pasi “Purobio-ja” zotëronte një sasi shumë të pakët produktesh. Mbas shumë kërkimeve, ajo njihet me një nga kompanitë e para italiane të kozmetikës eko-biologjike, e cila quhet “Biofficina Toscana”. Më pas, edhe kjo linjë vendoset të merret nën distribucion nga “Cocoshop” dhe kështu filloi të progresojë akoma edhe më shumë. “Domus Olea Toscana”, një linjë kozmeceutike italiane do të përbënte linjën e tretë që Cocoshop-i ka nën distribucion. “Të treja linjat janë të kërkuara dhe tepër të veçanta sepse janë organike dhe të çertifikuara. Ato kanë një performancë të njëjtë më një produkt që mund ta blesh në farmaci, por ndryshimi është se efekti që japin në lëkurë është i vërtetë,” tregon ajo.

“Cocoshop-i” është i pajisur edhe me një kanal në Youtube me qëllimin për të prezantuar efektivitetin e produkteve me anë të bashkëpunimeve me blogere të njohura shqiptare si Estela Ujka, Stela Sallaku dhe vlogger-ja shqiptare më në zë këto kohët e fundit, Sara Karaj. “Në fillim hidhnim video te kanali ynë, pasi atëherë kanali i Sarës ishte akoma i vogël dhe nuk kishte shumë të abonuar. Kanali i Youtube i “Cocoshop-it” solli një risi atë periudhë pasi realizuam për herë të parë tutoriale makeup-i në shqip, gjë që nuk mendohej ndonjëherë të ndodhte. “Na shkoi mirë pasi ne ishim të parët që ofronim diçka të tillë në shqip,” thekson Anta.

Ajo tregon se rolin më të madh në rritjen e “Cocoshop-it” e kanë luajtur rrjetet sociale. Aktualisht, kjo sipërmarrje ka llogari të sajat zyrtare në rrjete sociale të tilla si Facebook, Youtube dhe  Instagram, ku vetëm në këtë të fundit numërohen rreth 22 mijë ndjekës. Faqja u rrit me ritme të shpejta pasi në periudhën kur u hap “Cocoshop-i”, Instagrami ishte me algoritme komplet të tjera  dhe rrjedhimisht ndjekësat shtoheshin më shpejt. Sigurisht, edhe kurimit të imazhit të kësaj kompanie i është kushtuar një kujdes tepër i veçantë.

“Ne bashkepunojmë me një kompani që merret me bërjen e fotove dhe kurimin e tyre, organizojmë mënyrën se si do të shkojë ideja e feed-it të Instagramit”, shprehet Anta. Gjithashtu, rezulton se vetëm rrjetet sociale janë më lehtësisht të kontrollueshme dhe e masin në mënyrë të saktë feedback-un që marrin nga audienca.“Kemi provuar revistat online, ndërsa televizionin akoma jo sepse besojmë që nuk ka aq impakt të madh se çka pasur dikur”, thekson Anta. Ndaj, gjithmonë përpiqen të jenë sa më kreativë me rrjetet sociale.

Së fundi, është hapur dhe “Cocoshop-i” i ri në Prishtinë, ku çdo gjë ka nis nga e para për Antën dhe stafin e saj. “Aty është një vend i ri dhe nuk na njohin shumë dhe çdo gjë fillon nga zeroja. Megjithatë, jemi vërtetë optimistë që çdo gjë do të shkojë mirë”, shprehet Anta. Pasioni i saj e solli atë në një stad tjetër të jetës së saj, ku krahas ushtrimit të profesionit të saj si mjeke, po menaxhon biznesin e saj të suksesshëm. Mbyllja më e bukur e këtij artikulli do të ishte shprehja: “Përderisa keni pasion, besim dhe jeni të gatshëm të punoni shumë, mund të bëni gjithçka që dëshironi në këtë jetë“. Asgjë nuk është e pamundur!

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0