Kjo orë përshkruhet si “tërësisht emocionale” dhe studentët vlerësohen me nota bazuar në ndershmëri dhe ndjeshmëri.
Universiteti i Stanford – Stanford University’s Graduate School of Business (GSB) – përmban një varietet të gjerë orësh mësimi apo klasash (terminologji e përdorur në anglisht për orët e leksionit / mësimit) me tituj teknikë të tilla si:
Financial Reporting and Management Control – Raportim Financiar dhe Kontroll i Menaxhimit
Taxes and Business Strategy – Taksimi dhe Strategji Biznesi
Economics of Organization – Ekonomiksi i Organizatës
Dhe më pas vjen Sjellje Organizative 374: Dinamikat Ndërpersonale – Interpersonal Dynamics.
E quajtur “Touchy-Feely” (Prek-Ndjej) nga studentët, kjo klasë fokusohet ekskluzivisht në ndërtimin e marrëdhënieve, komunikimin, njohjen e vetvetes dhe në dhënien e marrjen e Feedback-ut.
“Fokusi i kësaj lënde është të rrisë aftësitë personale për të ndërtuar marrëdhënie më efektive,” – shkruhet në katalogun vjetor të lëndës.
“Të mësuarit realizohet kryesisht nga informacioni i shkëmbyer me anëtarët e tjerë të grupit. Ky kurs është shumë angazhues dhe herë pas here mund të jetë emocional.”
“Të qënit emocional” – nuk është një frazë që përdoret zakonisht për të përshkruar një lëndë biznesi. Studentët që e kanë kaluar këtë lëndë tregojnë se gjatë mësimit të ndodh të hasësh rrëfime me lot në sy, përballje të forta, argumente të nxehta apo heshtje të gjata, përgjatë seksioneve të përjavshme 3-orëshe.
Megjithatë kjo lëndë është më e ndjekura në Stanford (GSB). Pothuaj 90% e studentëve e marrin atë nga lëndët me zgjedhje duke e kthyer kursin në një Laborator trajnimi për të zhvilluar aftësi menaxheriale dhe ndërpersonale.
Nëpërmjet leksioneve, ushtrimeve dhe diskutimeve të lira mes grupeve të vogla, Touchy-Feely (Prek-Ndjej) trajton pyetje të cilat shpesh ia drejtojmë vetes dhe rrallë kemi mundësinë të gjejmë përgjigje:
Si mund të takoj njerëz? Si mund të komunikoj siç duhet? Çfarë mendojnë vërtet të tjerët për mua? Si t’u tregoj të tjerëve çfarë unë mendoj vërtet për ta?
Një nga objektivat e lëndës ështё pajisja e studentëve me mjetet për të dhënë feedback në kohë reale. Nëse dikush shpreh diçka që ju shqetëson apo nuk ju pëlqen, ju duhet t’ia thoni atij menjëherë këtë.
Ju bëni praktikë për të ofruar feedback konstruktiv në debat e sipër; kolegët e klasës praktikojnë të marrin feedback të papritur dhe të kthejnë përgjigje në çast me korrigjimet përkatëse.
Mendim i ndershëm në një ambient të sigurtë
Nuk është habi ta dini se kursi angazhon “roje sigurie” për t’u siguruar qё proçesi të mos degradojë dhe të jetë nën kontroll të plotë. 2 trajnues ndërmjetësimi, të specializuar në komunikimin ndërpersonal caktohen si përgjegjës për secilin grup prej 12 personash. Çdo student betohet për konfidencialitet të plotë. Asgjë nga ato që ndodh gjatë seancave Touchy-Feely (Prek-Ndjej), madje as emrat e pjesëmarrësve, nuk duhet të dalin nga dhoma.
/Artikulli u publikua më parë në faqen 44 të numrit 11 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 11 të saj.
Në këtë hapësirë të sigurtë, mbase edhe për disa e shenjtë, studentët munden të flasin lirisht për veten dhe për të tjerët. Ata sfidohen të jenë të drejtёpërdrejtë dhe të ndershëm me njëri-tjetrin, me qëllime të mira. Atyre u kërkohet të dëgjojnë të vërtetat e vështira që mund t’u shfaqen aty.
Touchy-Feely (Prek-Ndjej) mund të jetë ndër lëndët e vetme në një shkollë biznesi në botë ku nota bazohet në vullnetin e studentit për të qenë i ndershëm, i hapur dhe i ndjeshëm.
Popullariteti i madh i kursit flet për një ndërgjegjësim në rritje se “Soft Skills” (Mjeshtëritë / Aftësitë e buta) mund të jenë armët tuaja më të vlefshme në botën e biznesit. Dinamikat Ndërpersoale ofrojnë një mundësi për të provuar trajnim intensiv të këtyre aftësive në një ambient të sigurtë.
Leksione të aplikuara për punën dhe shtëpinë
Për sipërmarrësit në veçanti, të cilëve u nevojitet të dalin fitues mbi skepticizmin e investitorëve, partnerëve, klientëve apo anëtarëve të familjes, aftësia për të komunikuar dhe për të zgjidhur konfliktet në mënyrën e duhur është një detyrim. Bisedat e ashpra janë një përvojë e përditshme.
Të dish si të sillesh mes tyre, dhe t’i orientosh drejt një rezultati pozitiv, mund t’ju bëjë të jeni më efektivё si në zyrë ashtu edhe në shtëpi.
Touchy-Feely (Prek-Ndjej) është një nga përvojat më sfiduese për çdo student të sajin në Universitetin e Stanford. Ata e kujtojnë si një periudhë ku zhvillohen si njerëz, për të qenë më tё përgatitur për role menaxhimi dhe lidershipi si edhe role në familje dhe prindërim.
Ndaj nuk përbën habi që Stanford vazhdon t’i zgjerojë kapacitetet e kësaj lënde pasi të gjithëve ne mund të na nevojitet një përvojë e tillë si Touchy-Feely.
/Artikulli u publikua më parë në faqen 44 të numrit 11 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 11 të saj.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.