Cila është arsyeja pse shqiptarët janë mosbesues te leku? - Business Magazine Albania

Cila është arsyeja pse shqiptarët janë mosbesues te leku?

~6 minuta lexim


Tendencën e kursimtarëve shqiptarë për t’u mbështetur në monedha të huaja dhe një lloj mosbesimi për atë shqiptare, ekspertët e lidhin me historinë, ku ngjarje të caktuara kanë qenë një lloj treguesi për besueshmërinë dhe prirjen e sjelljes ndaj lekut. Goditjen e parë për monedhën vendase, shqiptarët e morën në fillimet e emetimit të saj, në kohën e Zogut, kur në vitin 1926, ai mblodhi arin në këmbim të sasive të mëdha të kartëmonedhave. (Me rikrijimin e Bankës Kombëtare të Shtetit Shqiptar në vitin 1925, një vit më pas, u bë e mundur edhe futja në qarkullim e lekut dhe u emetua kartëmonedha shqiptare në lekë dhe franga ar në sistemin: 5 lekë = 1 franga dhe 20 franga = me monedhën e artë ndërkombëtare, që në shqip, njihet si: napoloni flori). Këto kartëmonedha, më pas u zhvlerësuan ndjeshëm, duke bërë që kursimtarët të mbeteshin me një tufë parash të pavlera në duar, çka bëri që të humbnin besimin te kartëmonedhat vendase.

Psikologjia e këtij veprimi u rrënjos thellë në mentalitetin e shqiptarëve të asaj kohe dhe ndikoi dhe në sjelljen e tyre të mëvonshme. Pas vitit 1944, shqiptarët do të merrnin dhe një tjetër goditje, teksa shumë panë që monedhat e tyre të fshehura të floririt u morën nga regjimi komunist dhe ata u detyruan të bashkëjetonin me lekun shqiptar. Ky i fundit, që në emetimin e parë të monedhës kombëtare shqiptare në vitin 1926, kishte një raport: 1 frang = 5 lekë . Ky kurs këmbimi mbeti i pandryshuar deri në vitin 1990. Nga viti 1945 e deri në vitin 1990, kushdo që ka çuar franga ari dhe argjendi për t’i këmbyer në Bankën Kombëtare të Shqipërisë, në këmbim të një frange monedhë, merrte 5 lekë të reja, duke i zhvlerësuar kështu indirekt monedhat e floririt. Pikërisht në këtë periudhë filloi dhe një dashuri e re e shqiptarëve ndaj Dollarit Amerikan, monedhës që shihej si simbol i jetës së lakmuar dhe të ëndërruar (por rreptësisht të ndaluar) perëndimore. Në atë kohë, një dollar kishte një kurs fiks këmbimi prej 7 lekësh të reja.

Pas viteve 1990, kur kursi i këmbimit u la i lirë dhe inflacioni u rrit me hapa galopantë, dollari fitoi vendin e dëshiruar fshehurazi në kohën e komunizmit. Monedha amerikane që pas viteve ‘90 ishte pika e fortë mbështetëse për shumë shqiptarë. Pagat më të preferuara ishin ato që jepeshin në dollarë, sidomos në organizatat ndërkombëtare; kursimet preferoheshin të mbaheshin në këtë monedhë, që perceptohej si e fortë; shtëpitë, tokat, makinat shiteshin në këtë monedhë; kredia ishte e preferuar po në dollarë. Kjo “mani” e shqiptarëve për monedhën amerikane shpjegohej nga ekspertët me varësinë që ata kishin pasur dikur te floriri dhe besimin e paktë te monedha vendase (që po zhvlerësohej me shpejtësi), ku efekti psikologjik i floririt pas viteve ‘90 ishte transferuar te dollari.

Por, që prej vitit 2002, shumë individë panë kursimet e tyre në dollarë të zhvlerësoheshin, si rrjedhojë e nënçmimit të dollarit; pagat që po uleshin në vlerë reale, ndonëse vazhdonin të merrnin të njëjtën sasi në vlerë; të shisje një pasuri në dollarë nuk fitoje më si më parë. Për një dollar, nga 143 lekë që merrje mesatarisht në vitin 2001, në vitin 2005 mund të merrje vetëm 99 lekë, një zhvlerësim prej gati 30% dhe aktualisht ai luhatet rreth 100-110 lekëve.

Në mënyrë të natyrshme, shqiptarët e braktisën “floririn” amerikan, për t’u mbështetur te një monedhë tjetër e re dhe e fortë, ajo europiane. Më shumë sesa afërsia gjeografike ishte intuita prej tregtari, ajo që i udhëhoqi shqiptarët drejt euros, që prej vitesh tashmë është më e fortë se dollari. Që nga viti 2003, makinat, shtëpitë, tokat filluan të shiteshin në euro; kursimet gradualisht u zhvendosën drejt monedhës europiane, edhe pagat më të preferuara po ashtu, kredia filloi të merrej në euro, duke e bërë atë edhe sot monedhën dominuese në transaksionet e mëdha.

burimi: monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0