Çfarë po ndodh me tregun e reklamave, televizionin, gazetat dhe web-in sot? - Business Magazine Albania

Çfarë po ndodh me tregun e reklamave, televizionin, gazetat dhe web-in sot?


Shikuesit e lexuesit sa vijnë e po bëhen më kërkues dhe përzgjedhës. Media online e ka bërë shumë të lehtë përhapjen e informacionit brenda pak sekondash, duke konkurruar fort shtypin e shkruar, por edhe televizionet informative. Teknologjia ka shtuar alternativat edhe për shikuesit, që përveçse kanë mundësi të ndryshojnë kanalin, mund të zhvendosin vëmendjen në internet, YouTube, kanalet dixhitale, Netflix dhe të shohin filmat e fundit e zgjedhje të tjera pa fund.

Në këtë evolucion të shpejtë, televizionet e gazetat gjenden përballë kufizimeve për të reaguar e për t’u përshtatur. Tregu i reklamave, burimi kryesor i të ardhurave të tyre, vijon të mbetet i frenuar prej disa vitesh radhazi. Shumë kompani po shkurtojnë buxhetet e marketingut, të parat që preken në kohë krize. Shpresat e televizioneve kanë mbetur te kompanitë e telekomunikacionit dhe bankat, që kanë dhe buxhetet më të mëdha në dispozicion për marketing e reklama, ndërsa reklamuesit e rinj numërohen me pikatore.

Gjithsesi, televizionet e mëdha po arrijnë të rezistojnë dhe të marrin pjesën kryesore të tortës së buxheteve të reklamuesve.

Për vitin 2015, xhiro e tre televizioneve kryesore në vend (Top Channel, Klan, Vizion Plus) u rrit me 8.1%, pas tkurrjes po me 8% një vit më pare, sipas të dhënave nga bilancet e tyre. Në 2015-n u zhvilluan zgjedhjet lokale dhe gjithmonë në periudha elektorale, të ardhurat e televizioneve kanë tendencë rritjeje. Por, ndonëse kanë ruajtur të ardhurat, televizionet kanë sakrifikuar fitimet. Këto të fundit ranë me gati 30% për tre televizionet në fjalë.

Për vitin 2016, të dhënat parapake nga monitorimet e kohës së reklamave për 11-mujorin, nga Idra Media, tregojnë për një rritje të lehtë të kohës së reklamimit për 8 televizionet kryesore në vend. Frenimi i buxheteve të marketingut të bizneseve duket se ka prekur dhe televizionet informative, që ishin në lulëzim deri pak kohë më parë.

Krizën po e vuan më së shumti media e shkruar, ku pjesa më e madhe e gazetave kanë parë rënie të të ardhurave dhe fitimeve në 2015-n, ndërsa të dhënat e monitorimeve të 11-mujorit 2016 tregojnë rënie drastike të sipërfaqes së reklamave.

Reklamat jashtë dyerve (outdoor) kanë vijuar për të dytin vit radhazi me rënie, të thellë për disa, duke u prekur më shumë nga shkurtimi i buxheteve të marketingut të kompanive.

Pas një rritjeje në 2014-n, edhe radiot kryesore kanë parë një reduktim të të ardhurave në vitin 2015. Në ndjekje të një tendence globale, i vetmi segment që po kalon ditë të mira është ai i reklamave online, që po i gëzohet rritjes së numrit të përdoruesve online dhe po përfiton duke joshur klientët – reklamuesit, që janë të dëshpëruar të maksimizojnë koston e arritjes së një klienti potencial – me tarifat që ende mbeten të ulëta. Të dhënat e monitorimeve nga Idra Research flasin për një rritje me 40% të sipërfaqes së reklamuar në mediat online dhe 70% në vlerë për 11-mujorin 2016.

TREGU I REKLAMAVE RRITET LEHTË ME 3%

Në total, tregu i reklamave në vend në vitin 2015 vlerësohet të ketë arritur në rreth 38 milionë euro, nga rreth 37 milionë euro që ishte vitin e mëparshëm, me rritje të lehtë me rreth 3%, i udhëhequr nga përmirësimi i të ardhurave të televizioneve dhe rritjes së fortë të online, ndonëse nga nivele të ulëta.

Vlerësimi i tregut të reklamave për 2015 është bërë, duke u nisur nga tregues direkt të matur nga disa drejtime:
-të ardhurat e kategorive kryesore të tij, televizioneve, shtypit të shkruar, outdoor dhe online, të matura në pjesën kryesore nga xhiro që aktorët kryesorë kanë deklaruar në bilancet e tyre të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).
-shpenzimet e kompanive kryesore për marketing, kryesisht telekomunikacione, banka, produktet që lëvizin shpejt nga rafti (FMCG), sipas raportimeve të detajuara në bilancet përkatëse.
-monitorimet në bazë të numrit të spoteve të transmetuara në mediat televizive dhe reklamave në shtypin e shkruar, sipas të dhënave të siguruara nga kompania monitoruese Idra Media, kanë shërbyer për të vlerësuar tendencën për vitin 2016.

Televizioni
-Nga të ardhurat e deklaruara në bilanc nga televizionet kryesore në vend, vlerësohet se të ardhurat e televizioneve ishin 29-30 milionë euro, në vitin 2015, me një rritje prej rreth 7% me bazë vjetore, duke e marrë veten pas tkurrjes së një viti më parë. Ky përmirësim erdhi dhe nga fakti që 2015-a ishte një vit me zgjedhje lokale, i shoqëruar me shpenzime të Bashkive për spote publicitare. Edhe kompanitë më të mëdha të telekomunikacionit rritën buxhetet e marketingut në 2015-n, duke u dhënë një dorë televizioneve. Shikueshmëria e lartë e telenovelave turke ka qenë një tjetër magnet për reklamuesit që kapim një audiencë të ndjeshme me një kosto relativisht të ulët. Vizion Plus dhe Klan i kanë dhënë hapësira dhe orare në ‘prime time’ në programacion këtyre telenevoleva, ndërsa Top Channel vijon t’i rezistojë, duke u përqendruar te prodhimet e veta.

Shtypi i shkruar
-Të ardhurat e shtypit të shkruar vlerësohen në rreth 2.7 milionë euro në vitin 2015, me një rënie vjetore prej rreth 10%, në bazë të të ardhurave të deklaruara në bilanc nga mediat kryesore në vend dhe monitorimeve nga Idra Media. Përveç Panorama Grup dhe Unipress (Shekulli), gazetat e tjera kanë deklaruar rënie dyshifrore të të ardhurave.

Outdoor
-Tregu i outdoor vlerësohet në rreth 3 milionë euro, i llogaritur në bazë të të ardhurave të deklaruara në bilanc nga kompanitë kryesore që veprojnë në këtë kategori. Ky segment ka njohur dhe rënie të fortë të të ardhurave, për të dytin vit radhazi, me rreth 10%, pas tkurrjes me 12% në 2014-n.

Internet
-Reklamat në faqet kryesore të internetit në vend vlerësohen në rritje të shpejtë, ndonëse mbeten ende të ulëta, duke arritur në 1.7 milionë euro në 2015-n, sipas të dhënave nga monitorimet e Idra Media. Të dhënat e 11-mujorit 2016 të Idra Medi flasin për një zgjerim të fortë të këtij tregu me rreth 70% në vlerë, duke qenë segmenti me rritjen më të shpejtë.

Radio
-Radio vlerësohet të tërheqë rreth 1 milion euro në vit, sipas të ardhurave të deklaruara nga radiot më të mëdha në vend, me një rënie prej rreth 7% në 2015.

1

Kompanitë e telekomunikacioneve (operatorët celularë plus Albtelecom) mbeten reklamuesit më të mëdhenj në vend, me një buxhet total për shpenzime publiciteti prej rreth 20 milionë eurosh në vitin 2015, sipas të dhënave të nxjerra nga bilancet e tyre, me një rritje të lehtë prej 0.6% në krahasim me 2014-n, si rrjedhojë e zgjerimit të buxhetit të operatorëve të mëdhenj. Buxheti i bankave është rreth 9.4 milionë euro.

TELEVIZIONET, RËNIE E NDJESHME E FITIMEVE

Pasi panë një rënie të të ardhurave në 2014-n, televizionet kryesore në vend kanë arritur të rikuperojnë një vit më pas, të ndihmuara nga zgjedhjet lokale, por dhe nga rritja e buxheteve të dy reklamuesve më të mëdhenj në vend, Vodafone dhe Telecom Albania. Edhe vetë televizionet kanë shtuar përpjekjet, duke bërë oferta më tërheqëse për bizneset dhe duke investuar në pasurimin e programacionit.

Por, rritja e të ardhurave nuk i ka ndihmuar aspak televizionet kryesore, që në pjesën më të madhe kanë parë një rënie të ndjeshme të fitimeve për të dytin vit radhazi, duke qenë larg niveleve të vitit të mbarë 2013.

Top Channel
Top Channel mbetet televizioni më i madh në vend sipas të ardhurave, me një xhiro të deklaruar prej 1.65 miliardë lekësh (gati 12 mln euro), me një rritje të lehtë prej 2% në 2015-n, që vjen pas tkurrjes prej gati 8% në vitin e mëparshëm. Numri i sekondave reklamë të transmetuara në 2015 shënoi një rritje me 6%, sipas të dhënave nga Idra Media (shih grafikun: Televizionet kryesore, sipas sekondave të reklamave të transmetuara, 2015). Teksa të ardhurat janë rritur lehtë, shpenzimet janë zgjeruar me ritme më të shpejta, duke bërë që fitimi pothuajse të përgjysmohet në 9 milionë nga 14 milionë lekë në 2014-n, duke qenë shumë larg niveleve prej rreth 141 milionë lekësh në 2013-n. Norma e fitimit në 2015-n ishte minimale, më pak se 1%.

TV Klan
Televizioni i dytë më i madh në vend nga të ardhurat është TV Klan, me një qarkullim vjetor prej 997 milionë lekësh në 2015-n, me një rritje prej 17% në raport me një vit më parë, duke pasur performancën më të mirë nga të gjithë televizionet për tërheqjen e më shumë reklamave. Eptan Lohja, drejtor i marketingut të Tv Klan tha se rritja e shikueshmërisë dhe larmishmëria e programacionit kanë ndihmuar në shktimin e të ardhurave nga reklamat, ndërsa tendenca vijon të jetë pozitive.

Të ardhurat u rritën pavarësisht se sekondat e reklamave të transmetuara ranë me 15% për të njëjtën periudhë, sipas të dhënave nga Idra Media.

Edhe Klan nuk i ka shpëtuar tendencës së rënies së fitimeve. Në vitin 2014, TV Klan rezultoi me një fitim prej 118 milionë lekësh (normë fitimi 12%), nga 175 milionë lekë vitin e mëparshëm. Rritja e shpenzimeve të personelit dhe shpenzimeve të tjera operative janë arsyet kryesore të përkeqësimit të treguesit të përfitueshmërisë. Ndërsa në 2013-n, ai renditej ndër 100 kompanitë me fitime më të larta, me 303 milionë lekë.

Vizion Plus
I treti televizion më i madh në vend, sipas të ardhurave, është Vizion Plus, që ka parë rritje të të ardhurave me 14%, në 472 milionë lekë. Edhe sekondat e reklamave të transmetuara janë zgjeruar me 11.3%, sipas të dhënave të Idra Media.

Ndryshe nga dy televizionet e mëdha, Vizion Plus ka shënuar një rritje të fitimeve nga 3.2 në 8.8 milionë lekë në 2015-n. Megjithatë, ato janë shumë më poshtë nivelit prej rreth 23 milionë lekësh në 2013-n. Norma e fitimit në 2015-n ishte vetëm 1.9%.

Jerina Lalaj, drejtoreshë e shitjeve dhe marketingut në Vizion Plus e konfirmon tendencën në rritje të reklamave edhe për 2016-n, duke përmendur disa nga arsyet si “riorganizimi i programacionit, spektakli “Tu Si Que Vales” këtë vit ka qenë me pjesëmarrje dhe numra të jashtëzakonshëm. “Al Pazar” vazhdon të jetë spektakël i preferuar i publikut. “Apartamenti 2XL” mbizotëron ndjeshëm të martave me humorin atipik. Janë shtuar 2 telenovela turke në fashën e pasdites me produksione të famshme njëra e zhanrit dramë dhe tjetra e zhanrit komedi”.

2TELEVIZIONET E LAJMEVE, NEWS 24 RUAN KRYESIMIN DHE RITMET E LARTA TË RRITJES

Pesë vitet e fundit, investimet në televizionet informative u shtuan ndjeshëm dhe ato njohën një rritje të audiencës dhe të të ardhurave.

Konkurrenca u shtua ndjeshëm dhe brenda pak minutash lajmet dhe pamjet për vrasjet apo aksidentet, apo deklaratat politike transmetohen në të gjitha televizionet informative.

Por, pas rritjes së shpejtë, disa televizione informative kanë filluar të ndiejnë krizën e reklamuesve, teksa po konkurrohen fort nga mediat online, por edhe nga njëri-tjetri. “Televizionet informative do vazhdojnë të bien, është trend natyral. Informacionin tashmë e gjen kudo”, thotë Lalaj e Vizion Plus.

Të ardhurat e ABC News ranë me 6% me bazë vjetore, në 123 milionë lekë, ndërsa ai vijon të jetë me humbje.
Pas konflikteve dhe ndarjes së pronarëve Ai Report (TV Ballkan) ka deklaruar rënie të të ardhurave me 19% në 78 milionë lekë dhe humbje të larta prej rreth 22 milionë lekësh.

Por, të mëdhenjtë duket se po rezistojnë dhe po konsolidojnë pozitat në një treg ku konkurrenca sa vjen e shtohet.
Neës 24, televizioni më i madh informativ në vend, ka vijuar me rritje 30% të të ardhurave në 2015-n, i ndihmuar dhe nga zgjedhjet lokale. Ndonëse monitorimet e Idra Media flasin për një rënie të sekondave të reklamave të transmetuara për 11 mujorin 2016 me 5%, Vilma Mesareja, drejtoreshë marketingu në News 24 thotë se të ardhurat rezultojnë në rritje me 17% për 2016 dhe tendenca pritet në zgjerim edhe vitin e ardhshëm, teksa kërkesa e lartë nga reklamuesit ka mundësuar mbajtjen e çmimeve më të shtrenjta. Shtimi i të ardhurave, sipas znj.Mesareja, ka ardhur si rrjedhojë e larmisë dhe freskimit të programacionit dhe rritjes të shikueshmërisë, ku News 24 ka arritur të jetë i dyti në audiencë dhe në oraret e mbrëmjes, ndonëse konkurrenca është e lartë nga televizionet e përgjithshme në ‘prime time’.

Me ecuri pozitive ka rezultuar Ora News, që ka njohur një rritje të të ardhurave me 41% në 227 milionë lekë, ndërsa për herë të parë ka dalë me një fitim prej rreth 26 milionë lekësh.

Televizioni me profil ekonomik Scan ka raportuar rritje të ardhurash me 4%, në 98 milionë lekë, teksa ka parë dhe një katërfishim të fitimeve.

MË PAK SEKONDA REKLAME NË VITIN 2015

Në mëngjes, përgjatë ditës, apo në orarin më të ndjekur të darkës, 8 televizionet kryesore kanë transmetuar për teleshikuesit rreth 21 milionë sekonda reklama në vitin 2015, sipas të dhënave të monitoruara nga Idra Media, me një rënie prej 6% në raport me 2014-n.

Top Channel është televizioni që ka transmetuar më shumë kohë publicitare, duke ia kaluar Klan, që mbizotëronte në 2014-n. Në vend të tretë, për nga koha e publicitetit të transmetuar renditet News 24, e ndjekur nga Vizion Plus dhe Ora News.

3

Sektorët më të mëdhenj reklamues, sipas kohës së reklamave të transmetuara, vijojnë të mbeten telekomunikacionet, të ndjekura nga tregtia me pakicë, që në 2015-n ka shënuar rritje të ndjeshme, si rrjedhojë e zhvillimit të zinxhirëve të organizuar të supermarketeve. Më pas renditen televizionet (kryesisht reklamat e DigitAlb dhe Tring TV), kujdesi shëndetësor, të ndjekura nga pajisjet elektronike, dyshekët, pijet farmaceutike etj., sipas grafikut të mëposhtëm. Shumë kategori, si telekomunikacionet, televizionet, kujdesi shëndetësor, pijet joalkoolike, rezultojnë të kenë ulur kohën e reklamimit në 2015-n. Në rritje të ndjeshme ishin tregtia me pakicë, bankat dhe ushqimet.

Për numër spotesh, e para, sipas të dhënave të IDRA Media në 2015-n, renditej Top Shop (Studio Moderna), reklamat për produktet e së cilës mund t’i gjesh në çdo orë të ditës në pjesën më të madhe të televizioneve. Megjithatë Studio Moderna (Marka “Top Shop”) ka një buxhet modest në raport me reklamuesit e tjerë, ajo arrin të përfitojë kohë më të madhe televizive, për shkak se zgjedh oraret e paradites apo drekës, kur tarifat e kohës publicitare janë të ulëta.

Dy kompanitë e telekomunikacionit, Albtelecom dhe Vodafone, renditen më pas për numër spotesh, të ndjekura nga Digitalb.

4

TENDENCA E 2016-s

Të dhënat e monitorimeve nga Idra Media për 11-mujorin 2016 tregojnë se koha reklamuese e transmetuar në pjesën më të madhe të televizioneve ka rënë në krahasim me 11-mujorin 2015. Kësaj tendence i kanë rezistuar TV Klan, Vizion Plus e ABC News, që kanë arritur të transmetojnë më shumë reklama. Këto kanë ndikuar që koha totale e reklamave të transmetuara të rritet me 5% për 11-mujorin 2016, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

TV Klan ka kaluar sërish si reklamuesi më i madh, për sa u përket sekondave publicitet të transmetuara në 11 muajt e 2016-s.

5

Telekomunikacionet, televizionet dhe tregtia me pakicë, rezultojnë të kenë ulur kohën e transmetimit të reklamave në 11 muajt e 2016-s. Rënia e tyre është kompensuar nga të tjerë sektorë që kanë kërkuar më shumë hapësirë televizive për të reklamuar produktet e shërbimet e tyre, si ushqimet, bankat, pijet alkoolike, produktet e kujdesit shëndetësor etj.

Nga kompanitë reklamuese më të mëdha, tkurrjen më të lartë të kohës reklamuese e ka shënuar Studio Moderna (Top Shop). Vodafone dhe Telecom Albania kanë kaluar si reklamuesit më të mëdhenj, edhe për sa i përket kohës televizive në 2016-n.

6

SHTYPI I SHKRUAR NË NGËRÇ, REZISTOJNË VETËM TË MËDHATË

Shtypi i shkruar nuk po arrin të dalë nga ngërçi, ku e ka futur jo vetëm konkurrenca nga interneti, që po i largon lexuesit tradicionalë, por edhe shkurtimi i buxheteve nga reklamuesit.

Totali i sipërfaqes së reklamuar në median e shkruar në vitin 2015 (për 36 gazeta e revista) ra me 26% me bazë vjetore, sipas të dhënave të monitorimit nga Idra Media.

Në bazë të monitorimeve të Idra Media dhe të dhënave nga bilancet e gazetave kryesore, të ardhurat nga reklamat e shtypit të shkruar vlerësohen në rreth 2.7 milionë euro në vitin 2015 , me një rënie vjetore prej rreth 10%.

7

Vodafone, Albtelecom dhe Telecom Albania rezultojnë me një ulje të sipërfaqes së reklamuar, ndërsa Credins është bërë reklamuesi më i madh në 2015-n për nga sipërfaqja, sipas Idra Media. Rritje të lartë ka shënuar dhe sipërfaqja e reklamuar nga grupi Kastrati.

8

Në bazë të të ardhurave, grupi më i madh i medias së shkruar është Panorama Group (me median kryesore gazeta Panorama, më e madhja në vend nga tirazhi, dhe Panorama Sport) me një qarkullim vjetor prej 288 milionë lekësh, duke shënuar rritje prej 12.3% me bazë vjetore. Edhe fitimet e grupit janë rritur ndjeshëm nga rreth 340 mijë lekë në gati 12 milionë lekë. Burime nga grupi pohojnë se ndonëse ndihet kriza në rënien e shitjeve janë shtuar reklamuesit e mëdhenj, ndërsa tkurrja e shtypit të shkruar është kompensuar nga rritja e ndjeshme e klikimeve por dhe reklamave në online.

Edhe media e dytë më e madhe në vend Unipress (Gazeta Shekulli dhe publikime të tjera të grupit) ka parë rritje të qarkullimit vjetor me 23%, në gati 110 milionë lekë. Fitimi para tatimeve pothuajse u katërfishua në 32 milionë lekë.
Ndërsa të mëdhatë po i rezistojnë krizës, mediat e tjera kanë shënuar rënie dyshifrore të të ardhurave, sipas bilanceve të 2015-s. Me tkurrje kanë rezultuar Koha Jonë, Shqiptarja.com, Sport Ekspres, Gazeta Dita.

Menaxherët e shtypit të shkruara konfirmojnë rënien e ndjeshmje të shitjeve. Gazeta më e madhe në vend (Panorama) ka zbritur në rreth 10 mijë kopje, ndërsa e tyra nuk ka tirazh më të lartë se 4 mijë kopje (gara mes Sot dhe Dita).

2016 shënoi dhe viktimën e parë të madhe të shtypit të shkruar, me mbylljen e gazetës “Shqip”. Në fillim të këtij viti, një analizë kosto-përfitime e “Shqip” ka çuar në vendimin e aksionerëve për mbyllje të gazetës së tretë më të madhe në vend nga të ardhurat. Shpenzimet vjetore prej rreth 400 mijë eurosh (apo rreth 33 mijë euro në muaj, sipas bilancit 2015), kapitali negativ, rënie e të ardhurave me 23% në vitin 2015, humbjet prej 7 milionë lekësh po atë vit, rënia e tirazhit dhe e numrit të reklamave kanë qenë argumente të mjaftueshme për të orientuar pas 10 vitesh këtë media vetëm në segmentin online, nga korriku 2016.

Redi Gjuzi, zv/kryeredaktor i gazetës “Panorama” pohon se shtypi i shkruar duhet vetëm të rezistojë dhe të vazhdojë të jetë serioz dhe i vërtetë. “Është vetëm çështje kohe mbingopja nga informacioni i ylbertë, kaotik dhe jashtë çdo rregulli dhe konfirmimi minimal që japin shumica e portaleve të panumërta online. Dita që konsumatorët do të neveriten nga kjo lloj dyndje me informacion pa vlerë do të vijë shpejt. Shtypi i shkruar serioz duhet thjesht të ruajë qartësinë e vet”, thotë Gjuzi.

9

RËNIA THELLOHET NË VITIN 2016

Rënia e sipërfaqes së reklamuar në shtypin e shkruar nuk po arrin të ndalet. Sipas të dhënave të Idra Media, për 11-mujorin 2016 rezulton një tkurrje drastike e sipërfaqes së reklamuar në shtypin e shkruar me 26%, për gazetat dhe revistat që janë monitoruar.

Pothuajse të gjitha mediat, me pak përjashtime, kanë parë tkurrje të sipërfaqeve të reklamave, sipas grafikut të mëposhtëm, ndërsa shumë prej tyre po ristrukturohen që të përshtaten ndaj konkurrencës, që shpesh e kanë dhe me vetveten (faqet përkatëse online).

10

Reklamues tradicionalë si Vodafone, Albtelecom, Telekom Albania rezultojnë të kenë shkurtuar ndjeshëm buxhetet e tyre në median e shkruar. Edhe bankat, ndërtimi, publikimi, pijet, telefonia fikse dhe e internetit kanë ulur ndjeshëm sipërfaqen e reklamuar në shtypin e shkruar në 11 muajt e 2016-s, në përpjekje për optimizimin e kostove, por edhe si rrjedhojë e zhvendosjes drejt internetit.

RADIOT, TOP ALBANIA ME RËNIE, CLUB FM NË RRITJE

Radiot kryesore kanë shënuar ecuri të ndryshme në vitin 2015.

Radio më e madhe në vend, Top Albania, pa një rënie të të ardhurave me 8.6% në 67 milionë lekë.

Radio e dytë më e madhe në vend (sipas të ardhurave nga reklama), Club FM, ka rritur në 2015-n të ardhurat për të dytin vit radhazi. Ajo është zgjeruar me 33%, në 54 milionë lekë.

2015-a ka qenë më pozitive për Radion+2, që u rrit me 9.3% në 12 milionë lekë, ndonëse mbetet shumë larg nivelit të të ardhurave të dy të mëdhenjve.

LULËZIMI I INTERNETIT, REKLAMAT PO ARRIJNË SHTYPIN E SHKRUAR

Nëse ka një segment, që po lulëzon për momentin, është ai i reklamave në internet. Reklamuesit po ndjekin trendin e lexuesve që preferojnë të informohen kudo që ndodhen përmes smartphone, apo nga kompjuteri i zyrës e shtëpisë, një tendencë kjo që konstatohet në mbarë botën.

Në Shqipëri, rritja e penetrimit të internetit vitet e fundit, sidomos te të rinjtë, ka bërë që reklamuesit të synojnë të kapin atë treg të synuar të grupmoshës relativisht të re, që dhe më parë nuk ishte lexuese e rregullt e shtypit të shkruar.

Tregu i reklamave po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt internetit, dhe ai vlerësohet të ketë arritur në 1.5-1.7 milionë euro deri në fund të 2015-s, sipas monitorimeve të Idra Media. Rritja ka qenë e fortë sidomos për 11-mujorin 2016, ku reklamat në internet, sipas Idra Media, vlerësohen të kenë arritur në 2.5-2.8 milionë euro, pothuajse sa reklamat në shtypin e shkruar.

Nga monitorimet e sipërfaqes rezulton se portali Anabel.al kishte më shumë reklama për 11-mujorin 2016, e ndjekur nga shqiptarja.com., lapsi.al (me një rritje të ndjeshme), noa.al. Megjithatë, sipas të ardhurave, kryesimin vijon ta mbajë Balkanëeb, për shkak të tarifave të shtrenjta që ka. Sipas të dhënave nga grupi, të ardhurat e Balkan Web nga reklamat janë mbi 30 mijë euro në muaj dhe tendenca është në rritje.

Pothuajse të gjitha portalet kanë parë një rritje dyshifrore të sipërfaqes së reklamuar në 2016-n.

11

Telefonia e lëvizshme, bankat, produktet e kujdesit shëndetësor, telefonia fikse dhe e internetit, ushqimet, pijet, agjencitë e udhëtimit, edukimi, rezultojnë të kenë rritur dukshëm vëmendjen ndaj reklamave online.
Vodafone është reklamuesi më i madh në internet, për sa i përket sipërfaqes, i ndjekur nga Telecom Albania, Banka Credins, Raiffeisen, duke konfirmuar tendencën e të mëdhenjve drejt rritjes së shfaqjes online.

12

Sipas të dhënave të publikuara nga Internet World Stat në Shqipëri, përdorimi i internetit arriti në rreth 63% në vitin 2015. Rezulton se 1.8 milionë shqiptarë kanë përdorur internetin vitin e kaluar, më shumë se gjysma e popullsisë në vend. I lartë është dhe përdorimi i Facebook, ku rezulton se kishte 1,400,000 përdorues të Facebook deri më 30 qershor 2016, me një penetrim prej 46.1%.

Dalina Buzi, administratore e Anabel.al, që disa vite më parë vendosi të mbyllë publikimin mujor në print dhe të përqendrohej tek version online, sot është shumë e kënaqur me këtë zgjedhje. Kursimet mujore vetëm nga shtypshkronja janë 400 mijë lekë, ndërsa reklamat tani janë shumë më të targetuara dhe efekti është i matshëm. Me revistat e shtypura, thotë ajo, tregu ishte i padrejtë, pasi cilido deklaronte tirazhin që i interesonte. Ndryshe ndodh me klikimet, ku matja është më e saktë. “Jemi të parët që kemi filluar me mesazhe promocionale, nuk shesim vetëm hapësira, por jemi të përqendruar te materialet editoriale promocionale, që tashmë janë të dallueshme për lexuesin, që janë me pagesë”.

Vëmendja për të reklamuar online nga kompanitë është shtuar, thotë ajo, ndonëse nuk janë të gatshëm të paguajnë dhe kërkojnë tarifa të lira. Interesi për televizionin mbetet i lartë, edhe pse në internet e mat efektin menjëherë dhe ka kosto më të ulët dhe arritje direkte te klienti.

Buzi thotë se problem është fakti që tregu i mediave online është i parregulluar nga ana ligjore dhe kjo lë shteg për abuzime, si nga tatimet, ashtu dhe aktorët e tregut.

REKLAMAT NË HAPËSIRË, NË RËNIE

Tre operatorët kryesorë që menaxhojnë reklamat në hapësirë (outdoor), Albartex, La Strada, Metro SHA, kanë raportuar për të dytin vit radhazi rënie të ndjeshme të të ardhurave, duke reflektuar tkurrjen e buxheteve të kompanive në këtë kategori.

Aktorët e tregut pohojnë se kjo tendencë ka vijuar dhe në vitin 2016. Ata shtojnë se ky treg është shumë informal dhe lehtësisht i manipulueshëm dhe një pjesë e buxheteve nuk arrin fare në destinacion.

13

/Shkruar nga Ornela Liperi për monitor.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0