Çfarë nënkupton AI për rritjen dhe punësimin - Business Magazine Albania

Çfarë nënkupton AI për rritjen dhe punësimin

Çfarë nënkupton AI për rritjen dhe punësimin

Disa ekonomistë të njohur argumentojnë se revolucioni në inteligjencën artificiale – veçanërisht zhvillimi i shpejtë i AI-së gjenerative – do të ketë vetëm efekte të moderuara në rritjen e produktivitetit, por ndikime të pandërprera negative në punësim, për shkak të automatizimit të shumë detyrave dhe vendeve të punës. Ne nuk biem dakord me asnjërin prej këtyre argumenteve.

Sa i përket rritjes së produktivitetit, ndikimi i AI-së mund të veprojë përmes dy kanaleve të veçanta: automatizimi i detyrave në prodhimin e mallrave dhe shërbimeve, dhe automatizimi i detyrave në prodhimin e ideve të reja. Kur Erik Brynjolfsson dhe bashkëpunëtorët e tij shqyrtuan së fundmi ndikimin e AI-së gjenerative te agjentët e shërbimit ndaj klientit në një kompani softuerike amerikane, ata zbuluan se produktiviteti ndër punonjësit që kishin qasje te një asistent AI u rrit me pothuajse 14% gjatë muajit të parë të përdorimit, dhe më pas u stabilizua në një nivel rreth 25% më të lartë pas tre muajsh. Një studim tjetër tregon përfitime po aq të fuqishme në produktivitet ndër një grup të ndryshëm punonjësish të dijes, ku punonjësit me produktivitet më të ulët përjetuan efektet fillestare më të mëdha, duke reduktuar kështu pabarazinë brenda kompanive. Duke kaluar nga niveli mikro në atë makro, në një punim të vitit 2024, ne (Aghion dhe Bunel) shqyrtuam dy alternativa për të vlerësuar ndikimin e AI-së në rritjen potenciale gjatë dekadës së ardhshme. Qasja e parë përdor paralelet mes revolucionit të AI-së dhe revolucioneve të mëparshme teknologjike, ndërsa e dyta ndjek kornizën e bazuar në detyra të Daron Acemoglu-t, të cilën ne e konsideruam në dritën e të dhënave të disponueshme nga studimet empirike ekzistuese. Bazuar në qasjen e parë, ne vlerësojmë se revolucioni i AI-së duhet të rrisë rritjen agregate të produktivitetit me 0.8-1.3 pikë përqindjeje në vit gjatë dekadës së ardhshme. Po ashtu, duke përdorur formulën e bazuar në detyra të Acemoglu-t, por me interpretimin tonë të literaturës empirike të fundit, ne vlerësojmë se AI duhet të rrisë rritjen agregate të produktivitetit me 0.07 deri në 1.24 pikë përqindjeje në vit, me një vlerësim median prej 0.68. Krahasimisht, Acemoglu parashikon një rritje prej vetëm 0.07 pikë përqindjeje. Për më tepër, vlerësimi ynë median duhet parë si kufiri më i ulët, pasi nuk merr parasysh potencialin e AI-së për të automatizuar prodhimin e ideve. Nga ana tjetër, vlerësimet tona nuk llogarisin pengesat e mundshme për rritje, veçanërisht mungesën e konkurrencës në segmente të ndryshme të zinxhirit të vlerës së AI-së, të cilat tashmë janë nën kontrollin e kompanive superyje të revolucionit digjital. Po për sa i përket ndikimit të AI-së në punësimin total? Në një studim të ri mbi të dhënat në nivel firmash franceze të mbledhura midis viteve 2018 dhe 2020, ne tregojmë se adoptimi i AI-së lidhet pozitivisht me një rritje të punësimit dhe shitjeve në nivel firme. Ky rezultat është në përputhje me shumicën e studimeve të fundit mbi efektet e automatizimit në kërkesën për punë, dhe mbështet pikëpamjen se adoptimi i AI-së nxit përfitime të produktivitetit duke ndihmuar firmat të zgjerojnë fushën e biznesit të tyre.

Lexo edhe:Kompanitë me numrin më të lartë të punonjësve në botë

Ky efekt produktiviteti duket të jetë më i fortë se efektet e zhvendosjes që mund të shkaktojë AI-ja (ku AI merr përsipër detyra që lidhen me disa lloje pune dhe punonjësish, duke reduktuar kështu kërkesën për punë). Ne zbulojmë se ndikimi i AI-së në kërkesën për punë është pozitiv edhe për profesione që shpesh klasifikohen si të cenueshme ndaj automatizimit, si kontabiliteti, telemarketingu dhe puna sekretariale. Sigurisht, ndërsa disa përdorime të AI-së (si për sigurinë dixhitale) çojnë në rritje pozitive të punësimit, përdorime të tjera (si për proceset administrative) priren të kenë efekte të vogla negative. Por këto dallime duket se burojnë nga mënyra se si përdoret AI-ja, më shumë sesa nga karakteristikat e brendshme të profesioneve të prekura. Në tërësi, rreziku kryesor për punëtorët është që ata do të zëvendësohen nga punonjës të firmave të tjera që përdorin AI, dhe jo drejtpërdrejt nga AI-ja vetë. Ngadalësimi i ritmit të adoptimit të AI-së ka të ngjarë të jetë kundërproduktiv për punësimin vendas, pasi shumë firma do të konkurrojnë ndërkombëtarisht me adoptues të AI-së. Ndërsa interpretimi ynë i të dhënave tregon se AI mund të nxisë si rritjen ashtu edhe punësimin, realizimi i këtij potenciali do të kërkojë reforma të përshtatshme politike. Për shembull, politika e konkurrencës duhet të sigurojë që firmat superyje që dominojnë segmentet e larta të zinxhirit të vlerës të mos pengojnë hyrjen e novatorëve të rinj. Studimi ynë tregon se adoptuesit e AI-së janë kryesisht shumë më të mëdhenj dhe më produktivë sesa ata që nuk adoptojnë, duke sugjeruar se ata që janë tashmë në krye janë të pozicionuar për të qenë përfituesit më të mëdhenj të revolucionit të AI-së. Për të shmangur rritjen e përqendrimit të tregut dhe fuqisë së konsoliduar të tregut, duhet të inkurajojmë adoptimin e AI-së nga firmat më të vogla, gjë që mund të arrihet përmes një kombinimi të politikës së konkurrencës dhe politikës industriale që përmirëson aksesin në të dhëna dhe fuqinë kompjuterike. Për të rritur potencialin e punësimit të AI-së dhe për të minimizuar efektet e saj negative tek punëtorët, qasja gjithëpërfshirëse në arsim cilësor, së bashku me programe trajnimi dhe politika aktive të tregut të punës, do të jenë thelbësore. Revolucioni i ardhshëm teknologjik tashmë ka nisur. E ardhmja e të gjitha vendeve dhe ekonomive do të varet nga gatishmëria dhe aftësia e tyre për t’u përshtatur me të.

Philippe Aghion është profesor në College de France, INSEAD dhe London School of Economics. Simon Bunel është ekonomist në Banque de France. Xavier Jaravel është Profesor i Ekonomisë në London School of Economics.

Copyright: Project Syndicate, 2025.
www.project-syndicate.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0