Keni arritur ndonjëherë të rishikoni impaktin e internetit në jetën tuaj dhe të bëni një analizë personale për mënyrat sesi jeni përfshirë në botën virtuale që prej fillimeve tuaja të të naviguarit?!
Kompleksitetet e rrjetit më të madh që njerëzimi ka ndërtuar mund të krahasohen me grimcat e rërës në një plazh, ose me miliarda yje në qiell. Jetojmë në epokën që bota ka rënë në dashuri me mediat sociale dhe të gjithë automatikisht drejtohen nga platformat online për të kërkuar dhe për të blerë produkte apo shërbime.
Teorikisht, jemi pjesë e lëvizjes së madhe që po bën ndryshimin, stimulatorët më të mëdhenj të hapave gjigandë të kibernetikës dhe sinkronizuesit idealë të platformave elektronike. Sa do e patrajtshme apo e papërputhshme që mund të duket, Interneti është gjeneratori më i madh i mundësive për këdo sot. Vendi ku u jepet një mundësi e mrekullueshme tregtarëve që të angazhojnë audiencën dhe të inkurajojnë promovimin e produkteve të tyre dhe ku njëkohësisht hapet sfida e madhe për të mbajtur veten të përditësuar në ritmin që imponon kjo shpejtësi.
Çfarë ndodh online për 24 orë?
Nuk ka dyshim se faktori më i thellë që ndikon në jetën moderne është aftësia për të kopjuar dhe ruajtur të dhënat thuajse pa kosto. Ky revolucion në informacion na ka dhënë një lumë përfitimesh dhe mundësish për një çmim marxhinal tepër të ulët. Me kosto zero, ne arrijmë të lidhemi me një dyqan global ku mund të gjesh të gjitha njohuritë njerëzore së bashku.
Ne arrijmë të ndajmë mendimet tona për botën me miqtë dhe familjen tonë nëpërmjet rrjeteve sociale, email-eve dhe mjeteve të tjera të komunikimit pa pothuajse asnjë kosto. Kjo nuk ka qenë e mundur gjatë gjithë ekzistencës njerëzore dhe është e mundur vetëm tani për shkak të shkallës së pabesueshme të evoluimit të komunikimt. Ndërsa të gjithë ne bëjmë ndërlidhjen, këto aktivitete individuale ndihmojnë për të sjellë të ardhura për gjigantët e teknologjisë botërore supersonike.
Madhësia dhe shkalla përfundimtare e trafikut të internetit sot është pothuajse e pakuptueshme për trurin e njeriut. Në vitin 1995, më pak se 1% e popullsisë së botës ishte online.
Interneti ishte një kureshtje, e përdorur kryesisht nga njerëzit perëndimorë. Sot, pas 20+ vitesh, më shumë se 3.5 miliardë njerëz kanë një lidhje interneti, gati sa gjysma e të gjithë njerëzve në planet dhe numri është në rritje me një normë prej rreth 10 njerëzish në sekondë.
Për çdo 24 orë online ndodh:
• dërgohen 294 miliardë e-maile.
• 2 milionë postime blogjesh të shkruajtura – mjaftueshëm për të mbushur revistën ‘Times’ për 770 vite.
• 4.7 miliardë minuta të kaluara në Facebook, 532 milionë statuse, 250 milionë foto të ngarkuara. Nëse imazhet do të printoheshin dhe do të viheshin njëri mbi tjetrin, gjatësia e fotove do të shkonte 80 herë sa ‘Kulla Eiffel’.
• 864,000 orë video ngarkohen në Youtube, e barabartë me 98 vite shikim pa ndërprerje.
• shiten 378,000 iPhone, më shumë se bebe të lindura (371,000).
Statistikat janë befasuese dhe sigurisht gjithëpërfshirëse duke qenë se të gjithë bëjmë pjesë në këto numra. Në këtë valë zhvillimesh të mëdha që po ndryshojnë rrjedhën e njerëzimit, Interneti mbetet një vend i ethshëm, ku çdo moment miliona njerëz janë duke kërkuar, duke upload -uar dhe dërguar email-e, të gjitha në të njëjtën kohë.
Ne nuk e dimë nëse jeta jonë do të ishte me të vërtetë më sociale në mungesë të internetit, por dimë sigurisht që është shumë më e thjeshtë për të kaluar materiale të ndryshme, për të gjetur çfarëdolloj gjëje që ke dashur ndonjëherë të gjesh, sikurse është më e pranueshme për të mos dalë më fare nga shtëpia.
Pa Internet?
Sipas profesorit William Dutton nga Universiteti Shtetëror i Michigan, autor i librit “Shoqëria dhe Interneti”, një nga problemet më të mëdha me internetin sot është se njerëzit e marrin atë thjesht si të mirëqënë dhe kështu është e pamundur që ta kuptojmë shkallën në të cilën interneti është lejuar të depërtojë pothuajse në çdo aspekt të jetës tonë.
Ndonëse interneti nuk është i paprekshëm, në teori, ‘ai’ mund të asgjësohet, në shkallë globale apo kombëtare, për një periudhë kohe. Sulmet kibernetike janë një mundësi. Haker- at keqdashës mund të ndalojnë internetin duke lëshuar softuer-e që synojnë dobësimin e pajisjeve që përcjellin trafikun.
Mbyllja e serverave, e domain -eve apo e librave të adresave të internetit, do të shkaktonin përçarje masive. Humbja e ‘lidhjes’ mund t’i bëjë njerëzit më socialë në situata specifike, si psh: detyrimi i dy kolegëve për të folur gojarisht me njëri-tjetrin në vend që të dërgojnë mesazhe elektronike.
Gjithsesi, përgjithësisht përvoja ka të ngjarë të jetë shqetësuese. Humbja e internetit do t’i bënte njerëzit të njohin realisht rëndësinë e tij në jetën e tyre. Bota nuk do të thërrmohej nëse ne nuk do të kishim akses interneti për një ose dy ditë, por për shumicën e njerëzve edhe një ditë pa të do të ishte e tmerrshme.
Shkrim nga Olger Hidri, PR Manager në Tirana Last Mile.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.