Suksesi i vërtetë i AI janë njerëzit, mesazhet nga 'Leadership Forum 6' - Business Magazine Albania

Suksesi i vërtetë i AI janë njerëzit, mesazhet nga ‘Leadership Forum 6’

Nga Fatima Gorezi/ Në një epokë ku teknologjia po merr gjithnjë e më tepër rol qëndror në jetën tonë të përditshme, edicioni i 6-të i Leadership Forum, organizuar nga JM Solutions, mblodhi disa nga mendjet më të spikatura të rajonit dhe më gjerë për të diskutuar mbi temën sfiduese dhe aktuale: “Flourishing in an AI Era” (Të lulëzosh në epokën e inteligjencës artificiale). Forumi u zhvillua në ambientet e Hotel Rogner në Tiranë, ku personalitete të njohur të botës së teknologjisë, biznesit dhe inovacionit sollën perspektivat e tyre mbi ndikimin dhe potencialin e inteligjencës artificiale (AI) në jetën njerëzore dhe zhvillimin ekonomik. Josh Miekley u shpreh: “AI nuk është më zgjedhje – është domosdoshmëri”.

Fjalën përshëndetëse e mbajti Josh Miekley, themelues i JM Solutions dhe njëkohësisht bashkëthemelues i vetë Leadership Forum, i cili theksoi se tani nuk jemi më në fazën kur pyesim nëse duhet të përdorim AI. Sipas tij pyetja tani është si do ta përdorim AI-në në mënyrë etike, të zgjuar dhe njerëzore.

Miekley e përshkroi inteligjencën artificiale si një instrument që po ridimensionon jo vetëm tregun dhe ekonominë, por edhe mënyrën sesi njerëzit mësojnë, punojnë dhe ndërveprojnë. 

Panelet: Inovacioni dhe sfidat në praktikë

Nën moderimin e Franceska Korance, përfaqësuese e EIT Community Hub Albania, paneli i parë solli në skenë zërat e sipërmarrjes dhe teknologjisë në rajon.Diana Xhumari, themeluese e kompanisë teknologjike Tegeria, ndau eksperiencën e saj mbi mënyrën sesi teknologjia mund të përdoret për të fuqizuar bizneset dhe për t’i përgatitur ato për një të ardhme gjithnjë e më digjitale.

“Inovacioni nuk është vetëm të kesh një ide të re – është të ndërtosh mbi idetë ekzistuese me qëllim për të përmirësuar jetën e përditshme të njerëzve,” – theksoi ajo.

Nga Kosova, Ermal Sadiku, themelues i LinkPlus IT, solli shembuj konkretë mbi mënyrën sesi kompanitë e vogla dhe të mesme në Ballkan mund të përfitojnë nga automatizimi dhe të dhënat e mëdha për të rritur efikasitetin.
Ndërsa Ivana Karalieva, nga Maqedonia e Veriut, tregoi historinë e suksesit të Boksy, një startup që ndërthur teknologjinë me kreativitetin.

Diskutimet vijuan me panelin e dytë, të moderuar nga Bujar Bakiu, themelues i Data Max, një kompani që vepron në Shqipëri dhe Gjermani, i cili orientoi debatet drejt sfidave ndërkombëtare të transformimit digjital.

Lexo edhe: ACT NOW 2025: Një kapitull i ri për Shqipërinë Digjitale

Ville Korpela, drejtor ekzekutive i DMCC AI Centre në Dubai, ndau eksperiencat nga një prej qendrave më të avancuara të teknologjisë në botë.

“Të mendosh globalisht, por të veprosh në mënyrë lokale – ky është çelësi për të përqafuar AI me sukses,” – u shpreh ai.

Aida Velaj, Ex CEO of Happy and Business Consultant, dhe Kristina Awwad, Eksperte e Transformimit Digjital, theksoi se AI duhet të jetë e lidhur ngushtë me objektivat strategjikë të biznesit, jo thjesht një zgjedhje teknologjike. Ajo prezantoi një qasje të strukturuar që përfshin unifikimin e lidershipit, vlerësimin e gatishmërisë për AI dhe pilotimin e rasteve me ndikim, duke theksuar gjithashtu ndërtimin e kapaciteteve të brendshme si faktor kyç për sukses afatgjatë dhe ndau shembuj praktikë për të treguar se si një qasje e strukturuar dhe e bazuar në strategji sjell rezultate reale dhe të qëndrueshme.

Panelet vunë në dukje se është sektori privat ai që po e përqafon më shumë AI sesa ai publik,i cili duket të jetë i painvestuar dhe i ngadaltë në përqafimin e ndryshimeve teknologjike

 

Një moment emocionues,çmimi Gerti Bogdani

Emocionet kulmuan në momentin e ndarjes së çmimit për lidership, që mban emrin e ndjerit Gerti Bogdani, një figurë e respektuar për përkushtimin dhe vizionin e tij në shërbim të shoqërisë. Çmimi iu dorëzua të riut Daniel Bundo, si një simbol i brezit të ri të liderëve shqiptarë që shpresohet të ndjekin vlerat që Bogdani përfaqësoi, nga bashkëshortja e tij, Edlira Çepani, e cila, me emocion u shpreh: “Gerti besonte te të rinjtë. Ky çmim është një mënyrë për të mbjellë shpresë dhe për të vazhduar atë që ai la pas.”

Suksesi i vërtetë i AI janë njerëzit

Leadership Forum këtë vit nuk u kufizua në diskutime teknike. Mesazhi i përgjithshëm qëndroi i qartë: Inteligjenca artificiale ka vlerë vetëm kur vendoset në funksion të njeriut.

Forumi ishte një dëshmi se përtej kodeve, algoritmeve dhe robotëve, qëndron njeriu me etikën, ndjeshmërinë dhe aftësinë për të dhënë drejtim. Dhe pikërisht ky bashkëudhëtim i teknologjisë me humanizmin është ajo që do të përcaktojë se kush “do të lulëzojë në epokën e re të AI-së’’.

 

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0