Çfarë do të ndryshojë në mënyrën e të udhëtuarit dhe të bërit turizëm pas Covid 19? - Business Magazine Albania

Çfarë do të ndryshojë në mënyrën e të udhëtuarit dhe të bërit turizëm pas Covid 19?

turizem

Prof. Dr. Klodiana GORICA, Universiteti Tiranës, Fakulteti Ekonomisë

Sipas një raporti të UNWTO, udhëtimet ndërkombëtare duke rënë në masën deri 30% për vitin 2020 në nivele ndërkombëtare, do të pasohen me humbje për diku tek 300-450 bilionë milionë usd të cilat janë shumë më të larta se sa humbjet që i korrespondojnë periudhës së virusit të Sarsit, periudhë në të cilën rënia nga udhëtimet ishte diku tek 0.4% në nivele botërore.

Nisur nga këto të dhëna, Këshilli Botëror i Udhëtimeve dhe i Turizmit WTTC parashikon se në nivele botërore:

  • humbjet që do të pasojnë rënien e udhëtimeve do të shoqërohen edhe me humbjen e vendeve të punës rreth 2 milion vende pune.
  • pas kalimit të periudhës së covid 19 do të duhen të paktën 10 muaj që turizmi në nivele botërore të mund të kthehet në gjendjen normale. Ky konsiderohet si rasti më i mirë, pasi situatat mund të jenë shumë të ndryshme nga një vend në tjetrin, dhe mund të zgjasë më tepër.

Ndikimi shkatërrues i pandemisë COVID-19 në turizmin global ka vazhduar në vitin 2021, me të dhëna të reja që tregojnë një rënie prej 87% të mbërritjeve të turistëve ndërkombëtarë në janar të këtij viti krahasuar me vitin 2020. Kështu nga vendet tona kërkohet një vijueshmëri dhe ndjekje strikte e kordinimit më të fortë mbi protokollet e udhëtimit midis vendeve për të siguruar rifillimin e sigurt të turizmit dhe për të shmangur një vit tjetër të humbjeve masive për sektorin. Sipas raportimit të UNWTO në mars 2021, pas një fundi të vështirë të vitit 2020, turizmi global pësoi pengesa të mëtejshme në fillim të vitit ndërsa vendet forcuan kufizimet e udhëtimit në përgjigje të shpërthimeve të reja të virusit. Sipas botimit të fundit të Barometrit Botëror të Turizmit në UNWTO, të gjitha rajonet botërore vazhduan të përjetojnë rënie të mëdha të mbërritjeve turistike në muajin e parë të vitit. Testimi i detyrueshëm, karantinat dhe në disa raste mbyllja e plotë e kufijve, të gjitha kanë penguar rifillimin e udhëtimeve ndërkombëtare. Për më tepër, shpejtësia dhe shpërndarja e vaksinimit ka qenë më e ngadaltë se sa pritej, duke vonuar më tej rifillimin e turizmit.

Çfarë do të ndryshojë në të ardhmen dhe si duhet t’i paraprijmë ndryshimit?

Përveç vendeve të punës, të tjera parashikime që lidhen me turizmin në të ardhmen dhe trendet e reja konkludoj shumë të rëndësishme:

  • Do të ketë rënie të udhëtimeve të konferencave dhe biznesit, aq më tepër edhe për shkak të përdorimit të metodave online, kjo do të ndryshojë mënyrën jo vetëm të të bërurit bisnes por edhe të komunikimit në turizëm, qoftë kjo edhe për arsye shkencore si konferencat;
  • Do të shmangen udhëtimet në grupe të mëdha dhe destinacione të populluara. Tashmë, marrja e vendimit për të udhëtuar nuk do të varet kryesisht më nga çmimi. Udhëtarët do të jenë të gatshëm të paguajnë më shumë dhe qëndruar më pak në zona të sigurta, atraktive, të shëndetshme dhe të ndryshme nga ajo çkanë parë dhe prekur më parë nga zonat e mbipopulluara. Vendi ynë mund të përfitojë përmes një mirëshpërndarjeje të turistëve në më shumë vende, duke tërhequr veçanërisht turistët që vinin kryesisht në Kroaci apo Greqi;
  • Do të ketë tendencë në rritje për udhëtime në vendet në zhvillim dhe destinacionet e reja. Këtu kanë mundësi vende si Lindja e mesme apo rajone specifike, ndërsa për këtë arsye në Ballkan mund të njohë një rritje në vitet në vijim Mali Zi dhe Shqipëria.
  • Do të ketë një rritje të udhëtimeve familjare në krahasim krahasuar me më parë, gjë e cila mund të pasohet me ulje të aktiviteteve me 5 yje, rritje të aktiviteteve në natyrë, duke përbërë fëmijët si segment mjaft të rëndësishëm nga e cila do të varet edhe vendimarrja për çmimet dhe vendet e përzgjedhura.

Të gjithë elementët e mësipërm do të kushtëzojnë mënyrën dhe specifikat e marketingut të turizmit të destinacioneve turistike, të cilat kanë nevojë të targetojnë mirë dhe qartë segmentet e tyre të synuar, të ofrojne produktet/shërbimet/destinacionet në mënyrë të diferencuar me një vlerë të propozuar që mbështetet në elementët e shëndetit, të sigurisë, origjinalitetit dhe mirëpërfaqësimit të vlerave të rajoneve.

Lexo: Verërat shqiptare të “paralizuara” nga pandemia

Politikat afatshkurtra dhe afatmesme të turizmit shqiptar

Padiskutim që vemendja e qeverisë në çdo lloj plani, politike apo vendimarrje afatshkurtër duhet të jetë e fokusuar dhe në mbështetje të bisnesit, veçanërisht të të gjitha kategorive të bisneseve në turizëm. I referohemi periudhës deri në fund të pranverës 2021, duke konsideruar edhe zgjatjen. Përtej kredive të pashlyera, mos pagimit të taksave dhe tatimeve, vështirësive të tjera financiare, mbështetja duhet të jetë më e zgjeruar, duke eleminuar mundësinë e falimentimit dhe rritur frymën e optimizmit drejt rimëkëmbjes së ekonomisë shqiptare. Nga ana tjetër, mbështetja me promovimin e Shqipërisë në trevat dhe në Ballkan duhet të jetë po aq e fortë, pavarësisht faktit nëse do të jenë ata pjesë e turizmit për këtë vit 2021.

Ndërsa plani afatmesëm duhet të prioritizojë patjetër turistët. Kështu, në funksion të kësaj:

  • Duhet bërë promovimi i destinacioneve të Shqipërisë ku të theksohet siguria që ofrojnë këto zona. Pas kësaj periudhe, sigurisht që marrja e një vendimi për turizëm nuk do të jetë më si më parë, do të konsiderohen bazike fokusimi tek elementët e sigurisë dhe shëndetit, apo shtetet e sigurta mund të sigurohen përmes një çertifikate shëndetësie e garancie;
  • Duhet të përdoren konkretisht disa kritere kyçe për të patur anembanë vendit një politikë të shpërndarë të arritjes së turizmit të qëndrueshëm, sepse kjo politikë nuk do të jetë vetëm për periudhën afatmesme, por do të shërbejë si pikënisje e një politike dhe strategjie afatgjatë. Pra, duhet të sigurohemi se për çdo afat të vendosur si objektiv, politika e paracaktuar të jetë e mirëanalizuar dhe e kujdesshme mbi të gjitha për të manaxhuar sa më mirë ndryshimet e ardhshme;
  • Në funksion të pikës së mësiperme, duhet të kihen parasysh dhe zbatohen disa parime të turizmit të qëndrueshëm në funksion jo vetëm të treguesit ekonomik të SDG-ve, por edhe të shpërndarjes së mirëqënies sociale në mbarë vendin dhe rritjes së ndërgjegjësimit mjedisor. Kështu, për të arritur dhe iniciuar një stad të ri jo vetëm të zhvillimit të qëndrueshëm në vendin tonë, por të përdorimit të turizmit si instrument të shpërndarjes së zhvillimit të qëndrueshëm në mbarë vendin, duke e kthyer turizmin e qëndrueshëm në këtë rast jo vetëm mission të arritshëm por edhe si strategji dhe politikë të shpërndarjes së të ardhurave, outputit dhe rritjes së punësimit në mbarë Shqipërinë, tregues si manaxhimi i kërkesës, kapaciteti pritës dhe demarketingu janë ndër më të rëndësishmit për të filluar të aplikohen;
  • Duhet të ketë një bashkëpunim midis institucioneve dhe agjensive turistike në mënyrë që paketat t’u përshtaten kushteve të situates;
  • Parimi i partneritetit publik privat i rikonceptuar dhe modeluar ndryshe dhe në mbështetje të sipërmarrjeve turistike është më i rëndësishëm se kurrë më parë. Në këtë mënyrë edhe objektivat e UNWTO mundësohen të realizohen, duke rritur dhe imazhin e politikës shqiptare në mbështetje të turizmit;
  • Tour-operatorët duhet të mbajnë kontakte me klientet në mënyrë që të ulet numri i anullimeve duke u shtyrë rezervimet;
  • Fokusi duhet të jetë në nxitjen e udhëtimeve brenda vendit për të ndihmuar sektorin, pavarësisht në uljen e valutës së huaj në vend, dhe efektit jo pozitiv në ekonomi që mund të ketë.

Analizë për modele afatmesme në vend të vendimmarrjeve të nxituara. Varësi apo jo nga shteti?

Nevoja për të qënë të kujdesshëm dhe strategjik lidhet me efektin domino të turizmit. Në fakt, si një sektor që ndikon dhe ndikohet nga shumë sektorë të tjerë, turizmi nuk është i vetmi që kalon përmes kësaj situate. Kështu, turizmi duke qënë sektori i vetëm prej të cilit varen edhe shumë sektorë të tjerë, rrjedhimisht edhe shumë vende pune dhe profesione të sektorëve të tjerë, këto efekte negative do të kalojnë shkallë shkallë tek të gjithë furnizuesit e zinxhirit të vlerës të turizmit. Këto efekte negative do të kalojnë edhe në këto sektorë që e rrisin efektin domino të rënies apo ngritjes për shkak të turizmit. Kështu psh., nqse do të ulet numri i turistëve që vizitojnë Himarën apo Sarandën, do të ulet numri i produkteve artizanale të shituara nga komuniteti, do të ulet numri i përdoruesve të shërbimeve taksi, etj.

Covid 19 ka çuar drejt një efekti global domino, duke kërcënuar jetë dhe mirëqënien e gjithsecilit prej nesh në mbarë botën. Udhëtimi dhe turizmi krijojnë 1 në 10 vende pune, por 75 milionë vende pune tashmë janë në rrezik. Komunitetet janë pjesa më e ndjeshme që varet dhe lidhet direkt me këtë efekt domino të sektorit të turizmit. Efekti domino i covid 19 do të arrijë të prekë të gjithë nivelet e industrisë tonë të turizmit, përfshirë që nga ato më të ndjeshmet dhe më tej, shopping, mirëmbajtjen, pastrimin, agjentët e udhëtimit, guidat, restorantet, shërbimet taksi, etj, duke bërë që efekti domino të shtrihet më tej.

Cili është në të vërtetë efekti domino që krijon mungesa e udhëtimeve?

  • Nëse nuk ka udhëtime, asnjë e ardhur nuk shkon tek komunitetet dhe zonat që veçanërisht kanë më shumë nevojë;
  • Nëse nuk ka udhëtime, nuk do të ketë udhëtarë/turistë që blejnë e konsumojnë produkte lokale;
  • Nëse ska udhëtime krociere, mijëra porte nuk do të funksionojnë duke u ndikuar veçse negativisht, duke dëmtuar ekonomitë lokale që janë të ndjeshme dhe të varura nga ky sektor;
  • Nëse ska udhëtime, ska hotele të hapura, ska udhëtarë e turistë, dhe rrjedhimisht produktet lokale që furnizojnë këto njësi akomoduese nuk do të konsumohen;

Një gjë është mëse e sigurtë: pa turizëm dhe udhëtime, ekonomitë në mbarë botën do të përballen me një rrezik të madh.

Do të jete shteti dhe nivelet përkatëse publike që në fakt do të përcaktojnë shpejtësinë e ringritjes, adaptimit apo rifillimit të një starti të ri pas kësaj periudhe. Për këtë arsye i vihet theksi analizave që duhet të ndërmarrë shteti ynë me qëllim që të analizojë të gjitha opsionet që po ndërmarrin vendet fqinje, politikat e BE si dhe të konsultohet me bisneset turistike dhe të gjithë aktorët e vlerës në turizëm për të diskutuar mbi të gjitha skenarët e mundshëm dhe opsionet për t’u konsideruar. Pikërisht në lidhje me këtë, theksohet dhe fakti se kjo periudhë e Covid 19 për mjaft vende mund të shërbejë si “një shportë mundësish dhe shansesh” për të synuar tregje të reja, rikonceptuar modelet e zhvillimit, ndryshuar sjelljen e turistëve mbi bazën e standartit të ri të të bërurit turizëm, si dhe drejt një qasje të re dhe “agresive” për një turizëm që lë impakt në komunitet dhe zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme.

Vëmendja duhet të jetë pikërisht e përqëndruar drejt kësaj qasje, me qëllim që çdo strategji, politikë apo plan i ndërmarrë nga vendimarrja publike duhet të konsiderojë këtë efekt paraprakisht. Pra, strategjitë, politikat dhe planet duhet të hartohen në atë mënyrë që efektet (dukuria domino) pozitive të shtrihen në çdo degë që ka lidhje me sektorin.

Në fakt, në Europë, por jo vetëm edhe në nivele botërore, dekada e fundit u shoqërua me ndryshime të mëdha në mënyrën e të bërurit turizëm, duke variuar dhe u ndikuar shumë sa nga teknologjia, po aq edhe nga format e marketingut të destinacioneve, llojet e produkteve të preferuara, tendencat për t’u larguar nga turizmi masiv, afërsia me komunitetin dhe asetet lokale. Këto tendenca jo vetëm që do të thellohen por do të ndikojnë në sjelljen e turistit.

Lexo: AgroTimeAl, aplikacioni për agroturizmin shqiptar

Turizmi është një fenomen që lidhet me politikën, por ai lloj turizmi drejt të cilit do të synohet të shkohet në mënyrë masive, ose e thënë ndryshe me karakteristikat e mësipërme, turizmi i qëndrueshëm, përbën totalisht fenomen politik sepse lidhet direkt me tranferimin e të ardhurave nga një zonë drejt tjetrës brënda të njëjtit komb. Qeveritë me synimin e tërheqjes të më shumë turistëve drejt vendeve të tyre do të mundohen të tërheqin më shumë tregje dhe segmente turistësh drejt më shumë destinacioneve, duke synuar promovimin e destinacione të reja dhe difersifikimin e ofertës turistike. Kjo do të thotë se bashkë me orientimin e udhëtimeve të turistëve drejt disa zonave, do të transferohen të ardhurat, punësimi dhe zhvillimi. Kjo do të ketë efekte positive në nivele makro sepse do të shpërndajë mirëqënien në të gjithë vendin, por në nivele mikro do të ketë efekte negative sepse do të prioritizohen zona të caktuara të pazhvilluara më parë. Prandaj, është thelbësore që operatorët dhe bisneset turistike së bashku me nivelet lokale publike të riorganizohen në formate të reja të DMO për të marrë në dorë prioritizimin e zhvillimit të turizmit në zonat e tyre. Kështu, kësaj bashkësie operatorësh publike dhe private i duhet të veprojë në mënyrë sa smart (të mençur dhe ndryshe) aq edhe bazuar në një qasje proaktive, në sensin për t’i paraprirë këtij ndryshimi, për të qënë të parët në tërheqjen e turistëve “të rinj”, dhe rrjedhimisht për të mbajtuar zhvillimin për shkak të turizmit në vendin e tyre duke mos e lënë të shkojë në rajone të tjera brenda Shqipërisë.

E gjithë analiza më lart identifikon dhe përcakton rolin e qeverisë në udhëheqje të këtij proçesi, po aq dhe “shkëputjen” dhe të vepruarit smart të rajoneve për të manaxhuar vetë kërkesën e re turistike.

Është koha që turizmi duhet të flasë shqip, të vijojë rrugëtimin e nisur që në 2020, edhe këtë vit të vështirë për turizmin shqiptar: na duhet ne të ndryshojmë rrjedhën e turizmit në Shqipëri, jo të gjithë ne e njohim Shqipërinë, bukurinë e brendshme të mikpritjes dhe vlerave të trashëgimisë. Është moment post kritik që duhet të ndryshojë edhe mënyra e të menduarit tek ne në të bërurit turizëm sikurse edhe në edukimin e brezave.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0