Buxheti në Kuvend. Zef Preçi: të ndërpriten diskutimet e buxhetit - Business Magazine Albania

Buxheti në Kuvend. Zef Preçi: të ndërpriten diskutimet e buxhetit


Shkruar nga Zef Preci, ACER

Siç është bërë e ditur më herët, Kuvendi i Shqipërisë fillon kësaj jave diskutimin dhe miratimin e projekt-buxhetit të shtetit për vitin 2020. Ndërkaq, ekipet e ekspertëve qeveritarë raportohet se janë duke punuar në terren për vlerësimin e dëmeve të tërmetit të 26 Nëntorit 2019.  Është e kuptueshme se përfundimi i këtij procesi nuk mund të mos ndikojë edhe në rishikimin e përparësive të shpenzimeve buxhetore si dhe në pakësimin e shumave përkatëse, sidomos fondet e destinuara për vepra të reja investimesh, etj.

Duke marrë parasysh deklarimet e ndryshme të ekspertëve të njohur të fushës së ndërtimeve, njoftimet zyrtare mbi numrin në rritje ditë pas dite të shtëpive dhe pallateve të dëmtuara pjesërisht e plotësisht, numrin e familjeve dhe të qytetarëve të mbetur pa strehë dhe të strehuar përkohësisht në ambjente të ndryshme si hotele, etj., numrin e objekteve të dëmtuara nga tërmeti në qarqe te tjera jashtë atyre në të cilat është shpallur gjendja e emergjencës nga qeveria si dhe kostot e pritshme të dëmeve të shkaktuara të tërmetit, mendoj se është koha për reflektim të përgjegjshëm nga organi kryesor kushtetues ligjëvënes i vendit – Kuvendi i Shqipërisë.

Nga diskutimet formale në Kuvend të ditës së sotme nga figurat kryesore të Komsionit të Ekonomi-Financës si dhe nga ecuria e procesit të vlerësimit në terren, mendoj se ka një perceptim të gabuar (ndoshta të qëllimshëm) të fondeve të pritshme nga donatorët e huaj (u fol për rreth 150 milionë euro, a thua se pasojat e tërmetit do të mbulohen tërësisht prej tyre?!) si dhe njëlloj qetësimi të pakuptimtë të qytetarëve mbi nevojen “për të shtrënguar rripin” për këtë shkak… Në fakt, përvoja jonë dhe e vendeve të tjera që janë përballur me sfida të tilla të fatkeqësive natyrore (edhe pse në këtë rast shkaku duket se është thuajse plotësisht njerëzor – pasojë e korrupsionit shteteror) tregon se shtrëngimi buxhetor është i pashmangshëm dhe se nevojitet të ndërmerren veprime të arsyeshme që ruajnë ekuilibrat makro-ekonomikë si dhe nuk përkeqësojnë më tej klimën e biznesit dhe nivelin e jetës në vend. Ne rastin e qeverisë tonë, personalisht nuk i besoj deklarimet patetike se nuk do të rriten më tej taksat, se nuk do të rritet borxhi publik, se nuk do të preket ndihma ekonomike për shtresat në nevojë, etj. apo më keq akoma kur shoh vendosmërinë e qeverisë se “do të vazhdojë të përmbushë detyrimet dhe premtimet e saj për investimet e pakërkuara private në sektorin publik në formën e PPP-ve…”

Duke besuar se “nuk ekziston dreka falas” dhe as se “paratë nuk rriten në pemë”, dëshiroj t’i bëj qeverisë dhe Kuvendit këto sugjerime publike:

1) Të ndërpritet diskutimi i buxhetit të shtetit në Kuvendin e Shqipërisë për të paktën një periudhë tremujore. Kjo me qëllim që të finalizohet procesi i vlerësimit të pasojave të tërmetit në terren në të gjithë vendin dhe të mund të bëhet një bilanc i plotë i burimeve financiare në dispozicion nga donatorët (jo-buxhetorë) si dhe të qartësohen parashikimet mbi rritjen ekonomike gjatë vitit 2020.

2) Të pezullohet procedura për koncesionet në proces në formën e PPP-ve, duke shtyrë vendimmarrjen ndaj tyre pas miratimit të buxhetit të shtetit për vitin 2020 të parashikuar në fillim të Marsit 2020. (kontrata të ngjashme në vendet e BE-se zgjatin jo me pak se dy vjet nga fillimi i procedurës përkatëse).

3) Të fillojë menjëherë procesi i rishikimit të kontratave koncesionare në formën e  PPP-ve në zbatim e sipër me qëllim përshtatjen e tyre me fuqinë financiare të shtetit, rishikimin e parametrave të performancës si dhe analiza e faktorëve të riskut (duke filluar me pakësimin e numrit të popullsisë së vendit dhe prognozën e këtij treguesi).

4) Me qëllim krijimin e lehtësirave të mundshme buxhetore për koncesionin e “check-up”, duke marrë parasysh që është kontratë në zbatim e sipër dhe në thelb shërben kryesisht për qëllime studimore, propozoj që kontrata të zgjatet nga 30 neë150 vjet, me kushtin që vlerësimi (check-up) të kryhet jo çdo vit por nje herë në 5 vjet (nën regjimin  e shkuar, një vleresim i ngjashëm kryhej vetëm një herë në 10 vjet). Kështu, kjo kontratë do të pakësojë peshën e pagesës nga buxheti me disa dhjetëra miliona Euro në vit.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0