Bujtina Gjana, një destinacion agroturistik në Ujmisht të Kukësit - Business Magazine Albania

Bujtina Gjana, një destinacion agroturistik në Ujmisht të Kukësit

Gjana

Bujtina Gjana ndodhet në fshatin Ujmisht, të krahinës së Lumës. Është 22 km larg nga qyteti i Kukësit, në rrugën e rikonstruktuar dhe asfaltuar pak vite më parë, që lidh Kukësin me Dibrën. Bujtina gjendet në lartësinë rreth 700 m mbi nivelin e detit dhe prej aty ka një sheshpamje të gjerë, prej nga duken Lartësitë e Lurës, malet që rrethojnë Gjallicën dhe Bjeshkët e malet që afrojnë me Korabin. Ujmishti është pjesë e Bajrakut të Tejdrinës, një ndër shtatë Bajraqet e Lumës, sot pjesë e organizimit administrativ të Bashkisë Kukës. Ujmishti njihet në historikun e Lumës për traditën vendase, për pjesëmarrjen në betejat për të qenë e lirë si trevë prej nga kanë dalë ndër shekuj burra të njohur, që nga Mahmut Pashë Rrotulla, deri tek nacionalisti Muharrem Bajraktari.

Bujtina është një rikonstruksion i kullës së ndërtuar në gjysmën e parë të shekullit të kaluar nga Idriz Jemini, djali i Jemin Sul Gjanës, i njohur si një prej krerëve udhëheqës të Lumës, në betejat antiosmane dhe antiserbe të zhvilluara në këtë trevë. Fisi Gjana është i ardhur në Ujmisht rreth 280-300 vjet më parë nga Shala e Shosha e Shkodrës, sot pjesë e Malësisë së Madhe. Familja katolike në ato fillime, sot e besimit mysliman, është vendosur fillimisht në kufirin mes Ujmishtit dhe Fanit të Mirditës, dhe pasi ka ndërruar katër vendbanime, është vendosur aty ku gjenden sot, diku aty nga fundi i viteve 1800. Luma në tërësinë e vet është një ndër trevat më pak të eksploruara, që ia vlen të njihet për historinë dhe traditën e saj, si dhe për lidhjet natyrore e të ngushta me Hasin, Dibrën, Kosovën, me të cilat kanë pasur të përbashkët ndër shekuj jetesën, traditat, tregun dhe luftërat. Karakteristikë e bujtinës është mikëpritja e turistëve sipas traditës së sofrës kuksiane, me produkte tipike të zonës së fermës dhe shërbime akomodimi.

Shtëpia ka filluar rikonstruktimin në vitin 2015 dhe ka mbaruar në fillim të vitit 2018. Është një sipërmarrje familjare me nismën e pronarit të bujtinës Dulejman Gjana. Ai ka bërë vetë pothuajse të gjithë rikonstruksionin.

Hajri Gjana, djali i familjes, tregon se: “Duke parë kërkesat e turistëve që ndalonin aty për të fjetur brenda në kullë, por dhe jashtë me tenda, përpara se të fillonte rikonstruktimi, lindi ideja për ta kthyer në bujtinë dhe për ta provuar këtë sipërmarrje”.

Shtëpia ka mirëpritur edhe më parë turistë të huaj që ndalonin aty.

Më vonë, numri i vizitorëve ka filluar të rritet dhe kishin interes për zonën, për ta parë, për të mësuar mbi historinë e kullës dhe të vendit.

Bujtina ka 8 dhoma fjetje dhe mund të akomodojë 20 persona.

“Partneri kryesor me të cilin punojmë për ardhjen e turistëve është Booking. Në Booking aktualisht kemi një vlerësim 9.3 dhe mbi 180 reviews”, thekson Gjana.

Artikulli u publikua më parë në faqen 57 të numrit 32 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë digjitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund Abonoheni dhe të Shfletoni Këtu nr. 32 të saj.

Për të lexuar artikullin e plotë abonohu në një nga paketat tona.
Kliko këtu për t'u abonuar.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0