Bliss, një startup i teknologjisë së shëndetit mendor me qender në Finlandë dhe i themeluar fillimisht në Shqipëri, ka siguruar $270,000 financim angel për të ndërtuar një platformë të re të inteligjencës artificiale për terapi.
Raundi i investimit udhëhiqet nga Keiretsu Forum Southeast Europe, Finest Love VC dhe Plug and Play, dhe përfshin gjithashtu grante nga programe inovacioni si EU4Innovation & Startup Albania. Ky investim shënon një moment të rëndësishëm për ekosistemin shqiptar të startup-eve: është investimi i parë në një startup shqiptar nga këta investitorë ndërkombëtarë dhe një nga rastet e para kur një kompani e themeluar nga Shqipëria arrin të tërheqë kapital nga rrjete globale të këtij niveli. Bliss është gjithashtu një nga startup-et e rralla në rajon të udhëhequra nga një solo female founder.
Një ide që nisi nga diaspora shqiptare
Bliss u krijua fillimisht për të adresuar një problem që shumë njerëz në diasporë përjetojnë: mungesën e aksesit në terapi në gjuhën dhe kontekstin e tyre kulturor. Më shumë se 800 milionë njerëz në botë jetojnë jashtë vendit të tyre të origjinës, ndërsa shumica e platformave të terapisë dhe mjeteve të shëndetit mendor janë ndërtuar për tregje homogjene dhe kryesisht anglishtfolëse. Sipas Bliss, përkthimi nuk është i mjaftueshëm. Kultura, mënyra e komunikimit dhe përvoja e migrimit kanë një rol të madh në terapi, dhe shpesh mungojnë në zgjidhjet ekzistuese. Platforma fillimisht u fokusua te komunitetet e diasporës shqiptare, por sot po zgjerohet për të mbështetur komunitete ndërkombëtare dhe kompani me ekipe globale.
Kombinimi i terapistëve dhe AI
Bliss kombinon psikologë të licencuar nga mbi 10 vende me sisteme AI që ndihmojnë në përputhjen e përdoruesve me terapistë që ndajnë gjuhën dhe kontekstin e tyre kulturor. Por inovacioni kryesor që kompania po zhvillon janë “digital companions” të trajnuar nga terapistët.Këta janë sisteme AI të mbikëqyrura që trajnohen sipas stilit dhe qasjes së një terapisti dhe mund të ndihmojnë përdoruesit mes seancave, duke e bërë mbështetjen psikologjike më të aksesueshme dhe të vazhdueshme.
“Nuk po ndërtojmë një chatbot tjetër,” thotë themeluesja Jona Doda, alumni e London School of Economics dhe ish-growth leader në startup-e fintech dhe proptech në Evropë. “Po ndërtojmë AI që kupton shtresën kulturore të shëndetit mendor, sepse pikërisht aty shumica e sistemeve dështojnë.”
Arritjet e para në treg
Bliss raporton se deri tani ka:
- 50+ psikologë të licencuar në platformë
- përdorues në 10 vende të ndryshme
- bashkëpunime të hershme B2B me organizata si Raiffeisen Bank dhe We Love Mondays
- zhvillimin e versionit të parë të kompanionit të mbikëqyrur me AI
Kompania operon mes Tiranës dhe Helsinkit, duke kombinuar ekosistemin e avancuar teknologjik të Finlandës me talentin dhe potencialin në rritje të skenës së startup-eve në Shqipëri.
Mbështetur nga investitorë globalë
Keiretsu Forum është një nga rrjetet më të mëdha në botë të investitorëve angel, me kapituj në Amerikën e Veriut, Evropë dhe Azi.
Finest Love VC, i drejtuar nga themeluesi i Slush dhe krijuesi i Angry Birds Peter Vesterbacka, dhe vizionari pas tunelit Helsinki-Tallin, Kustaa Valtonen, investon në inovacione ndërkufitare që lidhin vendet nordike me tregjet globale.
Plug and Play, platforma e inovacionit nga Silicon Valley e njohur për investimet e hershme në PayPal dhe Dropbox, është gjithashtu ndër mbështetësit e këtij raundi.
“Jona është një themeluese e jashtëzakonshme me një këmbëngulje të rrallë. Njerëzit tashmë po i drejtohen AI për mbështetje emocionale, por shumica e sistemeve nuk janë ndërtuar për kujdes real. Bliss po ndërton modelin që duhet të ekzistojë në të ardhmen: AI e bazuar klinikisht, e vetëdijshme për kulturën dhe e mbështetur nga mbikëqyrje e fortë njerëzore.” – Dr. Ravik Mima, CEO, Keiretsu Forum SEE
Me financimin e ri, Bliss planifikon të:
- lançojë versionin e parë të kompanionëve AI të trajnuar nga terapistët
- zgjerohet në tregje të tjera të diasporës dhe në SHBA
- rrisë partneritetet B2B me kompani ndërkombëtare
- forcojë kornizat e sigurisë dhe qeverisjes së AI
Tek sa tregu i aplikacioneve të shëndetit mendor po bëhet gjithnjë e më i mbushur, Bliss po pozicionohet si një platformë që e përdor AI-në për të zgjeruar ekspertizën njerëzore, jo për ta zëvendësuar atë.
Rreth Bliss
Bliss është një platformë terapie e ndërtuar për komunitete të diaspores, duke ndihmuar individët dhe kompanitë me ekipe globale të kenë akses në kujdes për shëndetin mendor që kupton gjuhën, kulturën dhe kontekstin e tyre. Me psikologë të licencuar në disa vende dhe me sisteme AI të dizajnuara për të përforcuar ekspertizën njerëzore, Bliss synon të ridefinojë mënyrën se si terapia mund të shkallëzohet në një botë gjithnjë e më globale.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto

