Pse punonjësit më të mirë shpesh mbajnë barrën më të madhe? - Business Magazine Albania

Pse punonjësit më të mirë shpesh mbajnë barrën më të madhe?

Në çdo vend pune ekziston gjithmonë një person tek i cili të gjithë drejtohen. Është ai koleg që di të zgjidhë problemet kur të tjerët nuk munden dhe që merr përsipër situatat më të vështira.

Në fillim të karrierës, të jesh ky person duket si sukses. Dhe në fakt është. Kur je i aftë, krijohen më shumë mundësi për ty. Drejtuesit të vënë re, njerëzit të besojnë dhe reputacioni yt rritet. Por me kalimin e kohës ndodh diçka e padukshme. Sa më shumë provon aftësitë e tua, aq më shumë njerëzit fillojnë të varen nga ty. Kjo është ajo që mund të quhet “mallkimi i aftësisë”. Ky fenomen ndodh kur aftësia për të zgjidhur probleme bën që të tjerët të të besojnë pothuajse çdo sfidë. Me çdo sukses, pritshmëritë rriten. Ajo që dikur dukej e jashtëzakonshme bëhet standard. Dhe kur diçka nuk shkon perfekt, zhgënjimi është edhe më i madh sepse pritshmëritë janë rritur shumë. Në mënyrë ironike, njerëzit që mund të bëjnë më shumë, shpesh përfundojnë duke mbajtur peshën më të madhe.

Në një moment të karrierës, autorja tregon se iu kërkua të ndërtonte një sistem databaze, edhe pse nuk ishte programues. Ajo mësoi vetë dhe arriti ta ndërtonte. Por sistemi nuk ishte perfekt. Kur filluan problemet, të njëjtët njerëz që e kishin vlerësuar, filluan ta kritikojnë. Kjo është kur aftësia kthehet në presion. Nëse refuzon, dukesh pa iniciativë. Nëse pranon, pritet perfeksion.

Një tjetër fenomen që ndodh është diferenca e pritshmërive. Kur një person që zakonisht nuk merret me probleme të komplikuara arrin të zgjidhë diçka, njerëzit habiten dhe e lavdërojnë. Por kur e njëjta gjë bëhet nga dikush i aftë, konsiderohet normale. Dhe nëse rezultati nuk është perfekt, kritikat janë më të forta.

Lexo edhe:Përtej mureve dhe paragjykimeve – Si besimi dhe humanizmi po shërojnë plagët e shoqërisë sonë?

Pra, sa më i aftë të jesh, aq më shumë rritet presioni mbi ty. Pyetja që lind është: pse këta njerëz vazhdojnë të thonë “po”? Një arsye është praktike. Ata e dinë që mund t’i zgjidhin problemet. Kur je mësuar të gjesh zgjidhje, bëhet instinkt të marrësh përsipër gjërat.

Por ka edhe një arsye kulturore. Shpesh, sidomos tek profesionistët me performancë të lartë, ekziston pritshmëria që të jenë gjithmonë ata që ndihmojnë dhe mbushin boshllëqet që të tjerët shmangin. Një histori interesante e shpjegon këtë më mirë. Një person u dërgua të blinte sallatë, por solli vetëm një kokë sallate jeshile. Pas kësaj, askush nuk i kërkoi më të merrte përsipër këtë detyrë. Ideja është e thjeshtë: pritshmëritë shpesh nuk vendosen nga të tjerët, por nga ajo që ne zgjedhim të bëjmë vazhdimisht. Ndonjëherë, mënyra më e mirë për të vendosur kufij është të mos japësh gjithmonë maksimumin në çdo gjë, por vetëm atë që është e nevojshme. Një tjetër mënyrë për ta kuptuar është përmes një shembulli: imagjino që ke një karrocë dore. Çdo detyrë që pranon, e vendos aty. Me kalimin e kohës, ajo mbushet aq shumë sa përmbyset. Kapaciteti yt është i kufizuar. Nëse vazhdon të shtosh pa ndalur, do vijë një moment që nuk mban më. Zgjidhja nuk është të ndalosh së qeni i aftë. Por të zgjedhësh me kujdes çfarë merr përsipër.

Para se të thuash “po”, mendo:
A është diçka që vetëm unë mund ta bëj?
A mund të ndihmoj si këshillues, pa e bërë vetë?
A duhet ta marrë dikush tjetër këtë përgjegjësi?

Jo çdo problem kërkon që ti të jesh i përfshirë plotësisht. Një ndryshim i rëndësishëm është të kalosh nga “do ta bëj unë” në “mund të ndihmoj me këshilla”. Kështu vazhdon të kontribuosh, por nuk mban gjithë peshën mbi vete. Dhe nëse vendos të përfshihesh, është e rëndësishme të jesh i qartë që në fillim. Mund të thuash: “Jam i gatshëm të ndihmoj, por kjo nuk është pjesë e rolit tim kryesor dhe nuk premtoj perfeksion. Përgjegjësia duhet të jetë e ndarë.” Kjo shmang zhgënjimet më vonë. Aftësia është një cilësi shumë e vlefshme. Ajo të bën një lider më të fortë, tregon që ke gjykim të mirë dhe di të përballesh me situata të paqarta.

Por pa kufij, kjo forcë mund të kthehet në dobësi. Të jesh i aftë duhet të të hapë mundësi, jo të të lodhë dhe të të mbingarkojë. Në fund, lidershipi nuk ka të bëjë me të bësh më shumë gjëra, por me të bësh gjërat e duhura. Sfida e vërtetë është të dish kur duhet të ndërtosh “të gjithë sallatën” dhe kur mjafton të sjellësh vetëm “rukolën”.

FC

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0