Bledar Korkaj: "Situata paraqitet e komplikuar. Bizneset ende nuk janë gati për të nisur procesin e fiskalizimit." - Business Magazine Albania

Bledar Korkaj: “Situata paraqitet e komplikuar. Bizneset ende nuk janë gati për të nisur procesin e fiskalizimit.”

fiskalizimit

Intervistë me Bledar Korkaj, Ekspert Kontabël i Regjistruar në vitin 2012 dhe Partner pranë ZLA Consulting shpk nga viti 2013, mbi situatën e fillimit të fiskalizimit. Ai ka kryer studimet e larta në Genova, Itali në 2005 me rezultate maksimale, si dhe studimet Master në Financë dhe Kontroll në Pisa/Itali në 2010. Ka punuar si auditor në Shqipëri dhe Itali dhe si drejtues finance në Shqipëri. Certifikuar ACCA në vitin 2012.

Si i gjeti bizneset shqiptare dita e parë e ekzekutimit të procesit të fiskalizimit?

Aktualisht situata paraqitet e komplikuar. Është e dukshme që bizneset, sidomos ato më të vogla, ende nuk janë gati për të nisur procesin. Në fakt duket sikur asnjë nga aktorët e procesit të fiskalizimit nuk i ka bërë detyrat. Bëhet fjalë për palët e tjera të përfshira në këtë proces që janë administrata shtetërore kryesisht (tatimore & AKSHI) dhe kompanitë software. Konkretisht, AKSHI po krijon vonesa në pajisjen me certifikatën elektronike ndërsa kompanitë software duket se akoma nuk kanë zhvilluar produkte krejtësisht funksionale përveç faktit se po gjejnë vështirësi për të përballuar fluksin e kërkesave. Administrata tatimore nga ana e saj, pavarësisht përpjekjeve të bëra nëpërmjet trajnimeve online, duket sikur akoma nuk e ka realizuar qëllimin per të informuar dhe drejtuar procesin e fiskalizimit në mënyrën e duhur.

Kuadri kompletohet po të kemi parasysh edhe paqartësinë e qëndrimit të qeverisë në lidhje me periudhën fillestare të implementimit, ku natyrisht pritet që të hasen vështirësitë më të mëdha. Pavarësisht aktit normativ të nxjerrë për pezullimin e kundravajtjeve administrative deri më 1 janar 2022, ngelen shumë pikëpyetje në lidhje me vlefshmërinë e praktikave fiskale tradicionale gjate kësaj periudhe tranzicioni, p.sh. a lejohet zbritshmëria e tvsh-së për faturat e pafiskalizuara?

A mendoni se bizneset janë të qartë për këtë proces?

Mendoj se, me përjashtime të pakta, bizneset janë të bindura se fiskalizimi do të ndryshojë mënyrën e administrimit të faturimit dhe të marrjes së faturave. Por praktikisht kjo nuk është e thjeshtë, të paktën në fillim. Sikurse përmendur më sipër, administrata tatimore ka promovuar një seri trajnimesh online, por në perceptimin e bizneseve kjo ka qenë e pamjaftueshme, pasi kanë hasur vështirësi teknike për të kuptuar, p.sh. shpesh audio e padëgjueshme, orare të papërshtatshme; vështirësi për të kuptuar mirë shpjegimin nga ana e trajnuesve etj. Gjithashtu ka patur vështirësi nga ana e vetë trajnuesve për të adresuar disa problematika të ngritura nga biznese të caktuara për praktika të veçanta të hasura në përditshmëri.

Mos të harrojmë që pjesa dërrmuese e bizneseve janë të vogla dhe nuk disponojnë mjaftueshëm kulturën financiare apo atë teknologjisë të informacionit të nevojshme për të përvetësuar konceptet apo praktikat e trajtuara.

Çfarë këshilloni që procesi i fiskalizimit të përqafohet lehtësisht dhe pa dëme për bizneset shqiptare?

Procesi i fiskalizimit është një ndryshim epokal, është një revolucion që ndryshon tërësisht mënyrën e administrimit tatimor. Normalisht që ndryshime të këtyre përmasave shkaktojnë stres te bizneset. Për këtë arsye biznesit i duhet kohë në dispozicion që të përshtatet.

Nga ana tjetër, kërkohet që të gjitha kushtet e tjera duhet të jenë të plotësuara. Kam parasysh këtu zgjidhjen software nga kompanitë e liçensuara dhe përshtatjen e duhur të legjislacionit tatimor. Duhet pra që procesi i fiskalizimit të vazhdojë të zhvillohet në mënyrë pragmatike, duke lejuar përshtatjen graduale të biznesit dhe duke korrigjuar mangësitë që evidentohen në fazen fillestare të implementimit. Në eksperiencën e vendeve të tjera më të zhvilluara, kanë lejuar periudha të gjata përshtatje për bizneset, p.sh. duke lejuar disa vjet në lidhje me fiskalizimin e transaksioneve “business to government” (B2G) përpara se të kalohet në fazën tjetër B2B/B2C.

A mendoni se bizneset shqiptare janë gati për këtë proces?

Për sa përmendur më sipër, është evidente që bizneset në pjesën më të madhe të tyre nuk janë ende gati, por mendoj se pyetja duhet te përfshijë edhe aktorët e tjerë që ndikojnë drejtpërdrejt në mbarëvajtjen (dhe suksesin) e këtij procesi. A është gati administrata shtetërore, a janë gati kompanitë software? Mendoj që ende jo. Mos të harrojmë se në bazë të ligjit, çdo mangësi në lidhje me procesin e fiskalizimit është përgjegjësi e biznesit ndryshe nga palët e tjera që direkt ndikojnë në mbarëvajtjen e procesit.

A mendoni se ky proces është i nevojshëm dhe pozitiv?

Procesi i fiskalizimit synon të ndihmojë në uljen e informalitetit dhe të evazionit tatimor. Si shtetas normalisht jemi të interesuar që procesi i mbledhjes të të ardhurave buxhetore të administrohet në mënyrë më eficiente.

Gjithashtu fiskalizimi synon të ndihmojë administratën tatimore të ketë akses direkt në verifikimin e informacionit tatimor. Kjo bën që edhe kontakti fizik me tatimorët të tentojë të reduktohet pasi shumë praktika kontrolli supozohet të bëhen nga zyra dhe jo më në terren. Si profesionist në shërbim të biznesit, mund të them se kjo është pozitive për qetësinë e biznesit për të ndjerë sa më pak prezencën fizike të tatimorëve pranë ambienteve të tij.

Për sa i përket pastaj avantazheve të këtij procesi në lidhje me administrimin e bizneseve mund të them se ato do të jenë të prekshme pas një periudhe dy/tre vjeçare.

Si ka për të ecur ky proces në terma afatshkurtër?

Në terma afatshkurtër, me gjasa do të mbizotërojë paqartësia dhe stresi tek bizneset. Varet shumë edhe nga ana e qeverisë, administratës shtetërore si dhe të shoqërive të certifikuara për zgjidhjen software. Duhen ofruar sa më shpejt zgjidhje për shumë problematika tashmë të evidentuara nga grupet e interesit si dhomat e tregtisë apo shoqata të profesionistëve të sektorit. Duhet të jepen zgjidhje software dhe zgjidhje proceduriale që të lehtësojnë përmbushjen e detyrimeve ligjore.

Si ka për të ndikuar ky proces në terma afatgjatë?

Automatizimi i proceseve dhe dixhitalizimi sigurisht që ofrojnë avantazhe të rëndësishme në rrafshin e efiçiencës dhe të sigurisë së informacionit. Në terma afatgjatë pritet që të ndryshojë rrënjësisht edhe mënyra e përpunimit të të dhënave dhe raportimit financiar. Në aspektin praktik do të ulet ndjeshëm nevoja për arkivimin fizik të dokumentave e cila kërkon hapësirë dhe shkakton kosto në kohë dhe gabime. Gjithashtu lëshimi i faturave dhe marrja e informacionit tatimor/financiar do të jetë online, pra i mundshëm ngado, mjafton një lidhje me internetin. Integrimi i sistemeve do të sjellë efiçenca madhore që do të përkthehen në kursime apo rikonceptim të detyrave brenda departamentit të finances të biznesit, ku prioritet do t’i jepet analizave apo kontrollit financiar/operacional dhe minimalisht angazhime për rakordime apo verifikime të të dhënave tatimore/financiare. Fiskalizimi do të rrisë akoma më tej shtysën drejt kulturës së digjitalizimit dhe për rrjedhoje edhe mënyrën e të punuarit të administratës duke rritur kështu produktivitetin.

Në pikëpamjen e administratës tatimore, edhe në eksperiencën e vendeve të tjera, pritet që në terma afatgjata fiskalizimi të krijojë lehtësira për tatimpaguesit në lidhje me procedurat tatimore, të cilat do të mund të jenë më të thjeshta.

Cilat jane këshillat tuaja për bizneset dhe për shtetin shqiptar gjatë kësaj periudhe?

Mendoj që bizneset duhet ta kuptojnë që duhet të përshtaten me kohën. Sot po jetojmë një revolucion teknologjik dhe dixhitalizimi është një proces i pashmangshëm. Nuk mund të mbyllim sytë përpara kësaj që po ndodh. Avantazhet që ofron teknologjia janë pikasur tashmë edhe nga qeveritë në mbarë botën, normalisht që aktorët e tjerë, përfshirë edhe bizneset, me hir apo me pahir, do të jenë pjesë e sistemit. Në këtë kuadër bizneset duhet të investojnë sa më shpejt në rritjen e kapaciteteve duke dedikuar të paktën më shumë kohë dhe vëmendje drejt risive teknologjike që ndikojnë tek ata. Ky ndoshta është momenti që të nxiten forma bashkëpunimi midis bizneseve në lidhje me përvetësimin e teknologjisë, p.sh. duke qenë pjesë më aktive në shoqata apo bashkëpunime me profesionistë për të bërë trajnime IT.

Për sa i përket shtetit, duhet të kuptohet që këto ndryshime madhore kërkojnë kohë që biznesi të përshtatet. Procesi i tranzicionit duhet të jetë më i gjatë dhe më i koordinuar me kompanitë software dhe vetë bizneset duke përcaktuar etapa të arsyeshme të procesit që të lejojnë një përshtatje më graduale. Më pak fjalë aktualisht në gjykimin tim, bëhet prioritet riskedulimi i procesit të fiskalizimit. Gjatë kësaj kohe duhet që kompanitë software të liçencuara të përfundojnë zhvillimin e programeve dhe të kenë gati të gjitha zgjidhjet e kërkuara nga biznesi. Mundësisht duhet që shteti të bëjë verifikim tërthor dhe strikt përpara se të aprovojë liçencën përkatëse. Gjithashtu mendoj se do të ishte më praktike që fiskalizimi të zbatohej me shkallë, duke filluar nga bizneset VIP dhe më pas duke zbritur gradualisht te pjesa tjetër.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0