BEZHË – Një histori dashurie midis arkitekturës dhe dizanjit - Business Magazine Albania

BEZHË – Një histori dashurie midis arkitekturës dhe dizanjit

BEZHË - Një histori dashurie për natyrën, njerëzit dhe dizajnin shqiptar!

Nga Eni Muça

Kur një projekt dizajni nuk nis vetëm nga një skicë, por nga një pyetje: çfarë vlere sjellim me këtë që krijojmë? – atëherë diçka ndryshe po ndërtohet. Kështu nisi edhe rrugëtimi i BEZHË, një studio e vogël por ambicioze, e lindur nga përvoja dhe pasioni i Samuela Hidrit dhe partnerit të saj Guust Selhorst. Me rrënjë në arkitekturë dhe syrin tek peizazhi i materialeve lokale, BEZHË është më shumë sesa një hapësirë krijimi,  është një tentativë për t’i dhënë dizajnit një ritëm të ri, të lidhur ngushtë me tokën, mjeshtërinë dhe kohën që duhet për të bërë diçka me kuptim.

Na flisni pak për backgroundin tuaj profesional dhe si lindi ideja e krijimit të startup-it tuaj?

Unë vij nga fusha e arkitekturës dhe dizajnit, me përvojë në projekte të ndryshme, nga projektet interior dhe produktet, te hapësirat publike dhe ekspozitat. BEZHË u themelua nga unë dhe partneri im Guust Selhorst, si një përpjekje për të krijuar një studio ku dizajni është i lidhur me materialet natyrore, kontekstin lokal dhe praktikat e qëndrueshme. Filloi si studio dizajni, por shumë shpejt u kthye në një platformë për eksperimentim, ku bashkohet bashkëkohorja me artizanatin dhe teknikat tradicionale.

Cilat janë disa nga sfidat kryesore që keni hasur gjatë zhvillimit të BEZHË dhe si i keni kapërcyer ato?

Në një klimë ku ndërtimi shpesh ecën me ritme të shpejta dhe mungesë përkushtimi ndaj cilësisë, kemi zgjedhur të qëndrojmë besnik ndaj një filozofie të kujdesshme dhe të qëndrueshme. Prodhimi artizanal kërkon më shumë kohë dhe burime, ndaj kemi ndërtuar partneritete të forta me mjeshtër vendas dhe kemi filluar të integrojmë teknologji që na ndihmojnë të rrisim kapacitetet, pa humbur identitetin tonë. Financimi gjithashtu ka qenë sfidë, por falë fondeve si Challenge Fund dhe disa bashkëpunimeve kyçe, kemi mundur të zgjerojmë aktivitetin tonë.

Cilat janë arritjet më të mëdha të deritanishme të startup-it tuaj?

Një arritje e rëndësishme është zhvillimi i linjës sonë të produkteve të prodhuara me dorë me materiale lokale. Gjithçka nisi me abazhurin TAS, dhe sot po punojmë në shkallë më të gjerë, me një gamë më të pasur produktesh që do dalin së shpejti në treg. Një moment tjetër kyç ka qenë përzgjedhja e BEZHË si pjesë e ekipit që do përfaqësojë Shqipërinë në Bienalen e Arkitekturës në Venecia 2025, ku jemi përgjegjës për dizajnin e hapësirës ekspozuese, një projekt shumë i rëndësishëm për ne si studio.

Si e shihni zhvillimin e BEZHË në 3-5 vitet e ardhshme?

Synojmë të zgjerojmë kapacitetin e prodhimit dhe të eksportojmë produkte të dizajnuara dhe prodhuara në Shqipëri me materiale lokale. Gjithashtu, po punojmë për të zhvilluar materiale ndërtimi të qëndrueshme, që ndërthurin teknikat bashkëkohore me njohuritë artizanale.

Lexo edhe:Demo Day e Growpreneur dëshmon se startup-et shqiptare janë gati për tregun global

A keni ndonjë partneritet apo bashkëpunim që ka qenë kyç për zhvillimin e startup-it tuaj?

Po, bashkëpunimi me Jeshile Landscape Design ka ndihmuar në ndërtimin e projekteve me një qasje më të integruar mes arkitekturës dhe peizazhit. Po ashtu, partneritetet me mjeshtër vendas kanë qenë thelbësore për linjën tonë të produkteve. Destil Creative Hub ka qenë një tjetër mbështetje e rëndësishme, veçanërisht përmes programit AWE, që na ndihmoi ta kthejmë idenë tonë në një startup funksional.

Së fundmi, ju keni qenë edhe një ndër startup-et e përzgjedhura si fituese e fazës së dytë të Challenge Fund. Cilat janë projektet që keni në plan të realizoni me ndihmën e saj?

Challenge Fund ka ardhur në një moment shumë të rëndësishëm për ne. Pasi kemi realizuar disa prototipa dhe kemi hedhur në treg produktet tona të para, ky financim na jep mundësinë të zgjerojmë prodhimin dhe të rrisim prezencën tonë në treg me tipologji të reja. Me këtë mbështetje do të mund të prodhojmë sasi më të madhe abazhurësh të dizajnuara nga BEZHË dhe të forcojmë bashkëpunimet me artizanë shqiptarë, të cilët janë pjesë kyçe e procesit tonë krijues.

Cila është vizioni juaj për të ardhmen e startup-it tuaj dhe si dëshironi që të kujtohet startup-i juaj në industrinë ku operoni?

Shpresojmë që BEZHË të njihet si një studio që ka sjellë një qasje të re në dizajnin shqiptar, një dizajn bashkëkohor, i qëndrueshëm dhe i lidhur me identitetin lokal. Duam të krijojmë objekte dhe hapësira që nuk janë vetëm të bukura, por që përmirësojnë cilesinë e jetesës dhe sjellin më shumë kujdes ndaj ambientit.

BEZHË nuk është thjesht një studio dizajni. Është një mënyrë për të ngadalësuar ritmin, për të dëgjuar më shumë tokën, materialin dhe njerëzit që e punojnë atë. Në një realitet ku prodhimi shpesh vjen përpara mendimit, Samuela dhe ekipi i saj po ndërtojnë një model tjetër: atë ku objekti mbart histori, ku dizajni nuk harxhon, por qëndron. Dhe nëse BEZHË arrin të ndikojë edhe pak mënyrën si e mendojmë të bukurën, funksionalen dhe të qëndrueshmen, atëherë rrugëtimi i saj sapo ka filluar.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0