Samir Mane, miliarderi që nisi nga një kamion i mbushur me mallr... - Business Magazine Albania

Baroni i Ballkanit/ Forbes shkruan për Samir Mane: Nga refugjat në miliarder

Në fillim të viteve ’90, Samir Mane ishte një student i zakonshëm në Tiranë që vendosi të arratisej nga regjimi komunist i Shqipërisë për një jetë më të mirë në Austri. Askush, përfshirë edhe vetë atë, nuk do ta kishte imagjinuar se pas disa dekadash, ai do të bëhej miliarderi i parë, dhe ende i vetmi në historinë e vendit.

Në një ditë me diell tetori në Tiranë, Mane ecën i buzëqeshur nëpër qendrën tregtare Tirana East Gate (TEG), tempulli 112 mijë metra katrorë i kapitalizmit shqiptar që përmbledh brende ndërkombëtare si Adidas, Swarovski, Zara, H&M, KFC dhe Burger King. “Kjo është pasuria jonë kryesore. 100% e ambienteve janë të dhëna me qira,” thotë Mane, duke përmendur edhe bizneset e veta, një zinxhir elektronikësh, dyqan lodrash dhe veshjesh.

Lexo gjithashtu: Samir Mane, shqiptari i parë në listën e miliarderëve të Forbes

I veshur me xhaketë blu dhe bluzë polo Lacoste, ai mund të ngatërrohej lehtësisht me një vizitor të zakonshëm të qendrës. Por në të vërtetë, 57-vjeçari ka krijuar një perandori prej 1.4 miliardë dollarësh, sipas përllogaritjeve të Forbes, duke e renditur në listën e Miliarderëve të Botës për vitin 2025.

Nga kampi i refugjatëve në Austri, te mallrat në një kamion

Pas largimit nga Shqipëria në vitin 1991, Mane jetoi për disa muaj në një kamp refugjatësh në Vjenë, ku mësoi gjuhën gjermane dhe vazhdoi studimet për gjeologji. Por pas rënies së komunizmit, ai vuri re se shqiptarët po udhëtonin në Austri për të blerë elektronikë. Kështu nisi biznesi i tij, importonte TV, radio dhe pajisje shtëpiake nga Austria në Shqipëri, duke i transportuar vetë me kamion. “I shisnim të gjitha për tre orë,” kujton ai.

Në vitin 1996, ai hapi dyqanin e parë Neptun në Tiranë, ndërsa më pas zgjerimi vazhdoi në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi. Në fillim të viteve 2000, kishte 19 dyqane dhe të ardhura vjetore mbi 50 milionë dollarë.

Qendrat tregtare, banka, logjistikë dhe gjithçka tjetër mes tyre

Në vitin 2005, Mane u kthye përfundimisht në Tiranë për të hapur qendrën e parë moderne tregtare në vend, QTU-në, ku përfshiu dyqanin Neptun dhe supermarketin e tij Euromax. E gjitha nisi pasi zinxhirët evropianë refuzuan të vinin në Shqipëri, duke parë GDP-në e ulët të kohës. “Vendosa ta hap vetë një zinxhir supermarketesh,” thotë Mane. Sot, ai ka shitur këtë zinxhir për 48 milionë dollarë.

Që nga ajo kohë, BALFIN Group i tij është rritur ndjeshëm, me operacione në 10 vende dhe të ardhura prej 880 milionë dollarësh në vitin 2024, prej të cilave 62% nga retail, 20% nga pasuritë e paluajtshme, 9% nga bankingu dhe pjesa tjetër nga logjistika dhe menaxhimi i aseteve.

Në Shqipëri, gjurmët e tij janë të dukshme kudo, ai zotëron Tirana Bank (banka e pestë më e madhe në vend), zinxhirin Neptun, ka investuar në rezidencat luksoze Rolling Hills dhe projektin e ri Collina Verde, si dhe është duke ndërtuar një kompleks të ri luksoz pranë liqenit artificial me vlerë 240 milionë dollarë.

Ambicie që nuk ndalen në kufijtë e Shqipërisë

Mane ka zgjeruar aktivitetin e tij edhe jashtë vendit, me investime në qendra tregtare si Skopje East Gate në Maqedoni të Veriut, më e madhja në vend si dhe investime në Austri, Kanada dhe SHBA (New York dhe New Jersey).

Ai përmend si frymëzim librat e Jack Welch dhe Sam Walton, të cilët i shërbyen si udhërrëfyes për të ndërtuar një korporatë me standarde perëndimore.

Lexo gjithashtu: Shqiptari Fabian Kamberi shkruan historinë​, pjesë e Forbes ’30 Under 30′

Sukses, dyshime dhe sfida

Fillimi nuk ishte i lehtë. Edhe babai i tij nuk besonte se shqiptarët do udhëtonin me makinë për të blerë domate në një qendër tregtare. “Askush nuk e besonte,” thotë Mane. Por ai arriti të bindë Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim të investonte në projektet e tij.

Sigurisht që jo çdo investim ka rezultuar me sukses. Në vitin 2022 bleu rrjetin informativ financiar Scan TV, por e shiti me humbje një vit më vonë.

Ndërkohë, pasuria dhe ndikimi i tij kanë tërhequr edhe vëmendjen e institucioneve. Në tetor të 2024-ës, gjatë hetimeve ndaj ish-presidentit Ilir Meta për korrupsion, në dokumentet hetimore u përmend se Mane kishte ofruar një vilë në Rolling Hills për Metën dhe bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi. Megjithatë, Mane nuk është akuzuar për asnjë vepër penale.

Një vizionar që sfidoi kufijtë dhe mentalitetin

Për bashkëpunëtorët e tij, Mane është një vizionar që dinte të identifikonte nevojat e tregut në momentin e duhur. “Ai përfaqëson transformimin ekonomik të Shqipërisë,” thotë Martin Mata nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve.

Nga një i ri që fshihte mallrat në kamion dhe flinte në makinë për të kursyer para, Mane është sot simboli i kapitalizmit modern shqiptar, një histori suksesi që për shumëkënd mund të tingëllojë si e pamundur, por që për të është thjesht rezultati i përkushtimit, guximit dhe besimit tek vetja.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0