Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) prezantuan projektin e ri “BE për Ekonominë Qarkulluese dhe Ekonomia Qarkulluese për Zhvillimin Urban të Qendrueshëm”.
Projekti po zbatohet nga GIZ Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë. Me një kohëzgjatje 3.5 vite dhe financim 14.6 milionë euro projekti do të ndihmojë Shqipërinë të zvogëlojë mbetjet dhe të kalojë drejt modelit të ekonomisë qarkulluese përmes:
- Zhvillimit dhe përmirësimit të kuadrit ligjor për menaxhimin e mbetjeve në përputhje me standardet e BE-së, përfshi trajnimin për zbatimin dhe monitorimin;
- Prezantimit të modeleve të biznesit të gjelbër Përgjegjësinë e Zgjeruar të Prodhuesit (EPR) për tre rryma mbetje;
- Mbështetjes së masave të ekonomisë qarkulluese në 15 bashki partnere, për shërbimet e menaxhimit të mbetjeve, zhvillimit dhe përmirësimit të masave ricikluese si Impjante Kompostimi dhe Trajtimi të Mbetjeve.
Projekti do të punojë me bizneset, organizatat jofitimprurëse dhe akademinë për të nxitur zhvillimin e produkteve inovative me bazë gjinore, shërbimet dhe modelet e biznesit te ekonomise qarkulluese.
“Menaxhimi i mbetjeve është thelbësor në kalimin drejt një të ardhme më të shëndetshme dhe më të pastër. Sot në Shqipëri, vetëm 76% e mbetjeve shtëpiake mblidhen çdo vit, dhe vetëm 18% riciklohet. Duke përpunuar dhe ripërdorur këto mbetje, ne jo vetëm mund të zvogëlojmë ndikimin në mjedis, por gjithashtu mund të krijojmë dhjetëra mijëra vende të reja pune. BE, si udhëheqësi global i mjedisit është e lumtur të mbështesë Shqipërinë në zhvillimin e ekonomisë qarkulluese, për të përmirësuar jetesën e shqiptarëve në perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE,” u shpreh Hubert Perr, Shef i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri.
“Zbatimi i parimeve të ekonomisë qarkulluese në menaxhimin e mbetjeve do të zvogëlojë përdorimin e burimeve natyrore dhe do të nxisë një ekonomi të fortë dhe ripërtëritëse, duke krijuar vende të reja pune në vend. Projekti “BE për Ekonominë Qarkulluese dhe Ekonomia Qarkulluese për Zhvillimin Urban të Qendrueshëm” do të mbështesë transformimin e kuadrit ligjor të Shqipërisë dhe zbatimin e strategjive të kapitullit 27 – mjedisit, në përputhje me Direktivën e BE-së. Kjo do të shërbejë si një shembull për të gjithë rajonin dhe më gjerë.” deklaroi Znj. Marion Fleuth-Leferink, Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ).
Të pranishëm në ceremoninë e prezantimit të projektit të ri Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro dhe Ambasadori gjerman në Shqipëri Karlfried Bergner vlerësuan projektin e ri, i cili do të kontribuojë në zbatimin e standardeve evropiane mjedisore dhe parimet e ekonomisë qarkulluese në Shqipëri.
Mbi Bashkimin Evropian në Shqipëri:
Bashkimi Evropian është partneri më i rëndësishëm i Shqipërisë në fushën e zhvillimit, duke ofruar më shumë se 100 milionë euro çdo vit asistencë përmes granteve, për të mbështetur qyetarët shqiptarë dhe për të ndihmuar Shqipërinë të përshtasë dhe të zbatojë reformat politike, institucionale, shoqërore dhe ekonomike për t’u përafruar me vlerat e BE-së dhe rregullat e saj.
Më shumë informacion mbi projektet e financuara nga BE-ja në Shqipëri dhe bashkëpunimi BE-Shqipëri mund të gjeni në Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri | EEAS (europa.eu).
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.