Bashkia e Tiranës zhvilloi një aktivitet lidhur me sipërmarrjen në turizëm, si pjesë e të qenurit Kryeqyteti Rinor Evropian për 2022. Tirana ka marrë titullin si Kryeqyteti Rinor Evropian për vitin 2022, një çmim që do të sjellë shumë aktivitete, projekte dhe promovim të jashtëzakonshëm për kryeqytetin dhe si rrjedhojë edhe për Shqipërinë.
“Bashkia ka bërë një plan për të pritur rreth 1000 aktivitete gjatë vitit”, u shpreh Ketrina Jarazi, Drejtoreshë e Turizmit në Bashkinë e Tiranës, në aktivitetin e zhvilluar në Qendrën Rinore Tumo, me synimin për të bashkuar aktorët e ekosistemit në turizëm, për të shfaqur startup-et, bizneset dhe projektet e tyre dhe për të nxjerrë në pah problemet në lidhje me turizmin.
Një diskutim i gjatë mes të ftuarve dhe përfaqësuesve të Bashkisë nxori në pah problemet me të cilat përballen këto startup-e dhe biznese në punën e tyre të përditshme dhe mënyrat se si bashkia mund të ndihmojë në zgjidhjet. Disa nga problemet e përmendura ishin mungesa e fuqisë punëtore në hotele, mungesa e trajnimit për këtë fuqi punëtore, si dhe ritmet e larta të qarkullimit të punonjësve pas pikut të sezonit. Një tjetër çështje kryesore ishte ndotja e mjedisit, ku si zgjidhje u paraqitën disa mënyra si fushatat periodike.
Lexo edhe: Thirrje për Projekt-ide në kuadër të Tirana European Youth Capital 2022
Erisa Muzhaqi, përfaqësuese e skuadrës së Inovacionit në Bashkinë e Tiranës nënvizoi gjithashtu se fokusi i tyre do të jetë tek Nomadët Digjitalë, se si të përmirësojnë përvojën e tyre në Tiranë dhe si t’i bëjnë ata të ndiejnë se mund t’u sugjerojnë Shqipërinë nomadëve të tjerë, apo edhe emigrantëve.
Bashkia do të jetë e hapur për projekte dhe ide nga individë dhe kompani deri më 28 janar 2022.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.