Por kur jemi te bashkëpunimi ekonomik, duhet pasur parasysh edhe fuqinë prodhuese të të dy shteteve, sidomos te Kosova. Por më shumë mund të bëhet për të evituar disa barriera që paraqiten kohë pas kohe.
Rritje e bashkëpunim ekonomik nuk pati në mënyrë të theksuar edhe pas mbajtjes së mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive. Këto mbledhje më shumë duket se kanë një karakter simbolik dhe përçojnë mesazhe politike sidomos tek fqinjët.
Kosova është përcaktuar si një partner strategjik i Shqipërisë, ku vlera e mallrave të eksportuara në Kosovë për vitin 2015 është në masën e 150 milionë eurove apo rreth 20 milionë euro më shumë se sa në vitin paraprak. Ndërsa, në tremujorin e parë të këtij viti eksporti për në Kosovë kap vlerën e 22.4 milionë eurove.
Shifra prej 150 milionë eurosh të eksportuara në Kosovë e rendisin atë si partnerin e dytë tregtar të Shqipërisë për vitin 2015, pas Italisë.
Ndërkaq, shifrat e importeve nga Kosova në Shqipëri kapin vlerën e 39.3 milionë eurove.
Tendenca për rregullimin e fushës së tregtisë në mes këtyre dy vendeve shqipfolëse daton shumë herët.
Që në vitin 2003 Kosova dhe Shqipëria nënshkruan marrëveshjen bilaterale të tregtisë së lirë, e cila është pasuar me shumë të tjera deri më sot. Në shkëmbimet tregtare bilaterale, kryesisht dominojnë metalet dhe lëndët bazë.
Në portfolion e eksporteve të Kosovës drejt Shqipërisë dominon hekuri mbeturinë si dhe sasi të limituara të gypave të çeliktë, ndërsa hekuri është po ashtu materiali dominues në importet e Kosovës nga Shqipëria, mirëpo në këtë rast hekuri është i destinuar për sektorin e ndërtimit. Pra merret i përpunuar.
Llojet e bizneseve nga Shqipëria që janë të regjistruara në Kosovë
Bazuar në të dhëna zyrtare shihet se produktet e Shqipërisë çdo ditë e më shumë janë të pranishme në Kosovë. Ndërkaq, Kosova në Shqipëri kryesisht eksporton mbeturina të metalit për riciklim.
Sipas statistikave zyrtare të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) shihet se në Kosovë janë të regjistruara 893 biznese të Shqipërisë.
Sipas tyre, 256 biznese për veprimtari kanë tregtinë, 141 biznese kanë ndërtimin, 117 akomodim e hoteleri, 107 shërbime administrative, 74 veprimtari profesionale dhe 198 të tjera merren me veprimtari të tjera biznesi në Kosovë.
Aktualisht, Kosova importon nga mbi 130 vende të botës, ndërkaq produktet e prodhuara në Kosovë, kanë arritur në tregjet e mbi 60 vendeve të botës.
Lidhur me eksportin dhe importin e Kosovës për vitin 2015, vendet nënshkruese të CEFTA-s vazhdojnë të jetë partnere kryesore tregtare me mbi 35 për qind për eksport dhe import 24.5 për qind, të pasuara nga vendet e BE-së me një pjesëmarrje prej 20 për qind për eksport dhe 43 për qind për import.
Politikbërësit të ndërmarrin hapa konkret, nuk mjaftojnë mbledhjet e përbashkëta
Lulzim Beqiri magjistër i ekonomisë, ka thënë për tesheshi.com se bashkimi ekonomik i shqiptarëve është obligim për politikbërsit e të gjitha trojeve ku banojnë dhe jetojnë shqiptarët. Ai thotë se nuk mjaftojnë vetëm mbledhjet e përbashkëta të qeverive tona, por duhet të vihen në praktik gjërat.
“Bashkimi ekonomik do të thotë ndikimi i të gjitha forcave të shoqërisë në përmirësim të situatës ekonomike, sidomos të Kosovës dhe Shqipërisë, pa harruar edhe Luginën e Preshevës, shqiptarët në Malin e zi dhe shqiptarët në Maqedoni e Çamëri. Kosova dhe Shqipëria duhet urgjentisht të fillojnë t’i bashkojnë dhomat ekonomike dhe të kenë një strategji të përbashkët të zhvillimit të shqiptarëve kudo që ata jetojnë”, thotë Beqiri.
Ai thotë se ky mosbashkëpunim në nivelin jo të duhur nuk është për shkak të fuqisë prodhuese të dy vendeve, por duhet një vullnet më i madh nga politikbërësit.
Beqiri thotë se numri i ndërmarrjeve të regjistruara në të dy anët duhet të jetë më i madh, për vendet e vogla si Shqipëria dhe Kosova dhe se promovimi i eksporteve është tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, gjë që reflektohet në krijim të vendeve të punës dhe mbi të gjitha në rritje ekonomike.
“Rritja e eksporteve ndikon drejtpërdrejt në ngritjen e produktivitetit të kompanive dhe njëkohësisht është një shtytës shumë i mirë i krijimit të mundësive për specializim dhe ngritje të kualitetit të produkteve të ofruara”, theksoi Beqiri.
Shkruar nga Bashkim Kastrati në tesheshi.com
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.