Anketa e huadhënies bankare të BEI-t për EQLJL-në, 2023: oferta e kredisë shtrëngohet ndërsa bankat në rajon synojnë zgjerimin mes shqetësimeve të rentabilitetit - Business Magazine Albania

Anketa e huadhënies bankare të BEI-t për EQLJL-në, 2023: oferta e kredisë shtrëngohet ndërsa bankat në rajon synojnë zgjerimin mes shqetësimeve të rentabilitetit

Bankat në rajon presin shtrëngim të ofertës për kredi dhe rritje të kredive me probleme gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.

Shtrëngimi i ofertës për kredi që filloi vitin e kaluar nuk ka përfunduar, por hendeku i madh ofertë-kërkesë i hasur në periudhat e mëparshme pritet të zvogëlohet. Një numër në rritje bankash synojnë të zgjerohen në mënyrë selektive në rajon, pavarësisht se përmendin përkeqësimin e rentabilitetit.

Anketa e huadhënies bankare të BEI-t për Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore për gjysmën e dytë të vitit 2023, thekson një shtrëngim të vazhdueshëm të ofertës së kredisë në rajon. Ndërsa hendeku ofertë-kërkesë është ngushtuar në krahasim me periudhat e mëparshme, oferta e kredisë mbetet e kufizuar në Serbi, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinë. Kërkesa për kredi nga klientët e bankave ka mbetur e qëndrueshme dhe pritet të përmirësohet lehtë. Investimet fikse dhe të pakicës, veçanërisht tregu i banesave, kanë kontribuar negativisht, por pritet të rifillojnë në periudhën pasuese. Ndryshe nga parashikimet negative të mëparshme, cilësia e kredive është përmirësuar gjatë gjashtë muajve të fundit. Megjithatë, duke pasur parasysh perspektivën më të dobët ekonomike dhe normat më të larta të interesit, bankat presin sërish një rritje të kredive me probleme gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.

Pavarësisht kësaj, një numër në rritje bankash shprehin synimin e tyre për të zgjeruar në mënyrë selektive operacionet e tyre në rajon (50% rritje nga 45% në raundin e fundit dhe 30% në raundin e mëparshëm) ose të ruajnë të njëjtin nivel operacionesh. Shumica e filialeve rajonale kanë rentabilitet më të lartë se grupi i përgjithshëm për sa i përket kthimit të aktiveve dhe kthimit nga kapitali, veçanërisht në Çeki, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut. Megjithatë, pikëpamja e tyre për rentabilitetin u përkeqësua ndjeshëm që nga raundi i mëparshëm i anketimit, me më shumë se 50% të bankave që sinjalizojnë tani rentabilitet më të ulët në vende të ndryshme (Shqipëri, Kroaci, Hungari, Poloni dhe Rumani) krahasuar me operacionet e përgjithshme të grupit.

Nënkryetari i BEI-t, Kyriacos Kakouris, tha: “Rezultatet e anketës tregojnë se shtrëngimi i ofertës së kredisë, që filloi në vitin 2022 për shkak të luftës në Ukrainë, inflacionit, normave më të larta dhe ngadalësimeve ekonomike është ende në proces. Të gjitha segmentet e biznesit janë prekur nga kushtet e shtrënguara të ofertës, veçanërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Këtu vjen roli i BEI Globale, e cila do të vazhdojë të ofrojë financime të favorshme përmes ndërmjetësve tanë financiarë për bizneset e vogla në rajon për t’i ndihmuar këto të adresojnë kufizimet e tyre financiare, të dekarbonizohen, të shpenzojnë dhe të krijojnë vende të reja pune. ”

Debora Revoltella, shefja e departamentit të ekonomisë e BEI-t, komentoi: “Anketa është një mjet jetik për monitorimin e tendencave të sektorit bankar, si dhe faktorët që ndikojnë në standardet dhe kushtet e kredisë në rajonin e EQLJL-së. Ajo na mundëson të kuptojmë sfidat me të cilat përballen bankat dhe ofron njohuri të vlefshme për nevojat e financimit të kompanive dhe të familjeve. Rezultatet do të kontribuojnë në vendimmarrjen e informuar dhe formulimin e politikave.”

Anketa, e kryer nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI) në bashkëpunim me bankat ndërkombëtare dhe vendase, ofron njohuri të vlefshme për aktivitetet bankare ndërkufitare, përcaktuesit e rritjes së kredisë dhe pritshmëritë e tregut. Më shumë informacion dhe specifikat për secilin shtet mund të gjenden këtu.

1.Gatishmëria e bankave për të zgjeruar kredinë

2.Gatishmëria e klientëve për të marrë kredi nga bankat

3.Ky përcaktim nuk cenon qëndrimet për statusin dhe është në përputhje me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për deklaratën e pavarësisë së Kosovës.

Informacion përshkrues

Rreth BEI-t

Banka Evropiane e Investimeve është institucioni kreditues afatgjatë i Bashkimit Evropian dhe është në pronësi të shteteve të tij anëtare. Ajo siguron financim dhe ekspertizë për projektet që kontribuojnë në objektivat e BE-së. Grupi i BEI-t punon ngushtë me partnerët e sektorit publik dhe privat për të mbështetur investimet e qëndrueshme, krijimin e vendeve të punës, rritjen ekonomike dhe inovacionin në të gjithë Evropën.

 

Rreth anketës së huadhënies bankare në EQLJL nga BEI

Anketa e huadhënies bankare në EQLJ nga BEI kryhet çdo gjashtë muaj, ku pyeten rreth 15 grupe ndërkombëtare bankare dhe 85 filiale lokale ose banka të pavarura lokale në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Ajo mbledh informacion mbi standardet e kredive, kushtet, si dhe faktorë të ndryshëm vendas dhe ndërkombëtarë që mund të jenë përgjegjës për ndryshimet në huadhënie. Është shqyrtuar edhe kërkesa për hua. Anketa përfshin pyetje specifike për cilësinë e kredisë dhe kushtet e financimit për bankat. Ajo është projektuar për ngritjen e një paneli vrojtimesh që mund të ofrojnë një vlerësim thuajse në kohë reale të gjendjes aktuale të sektorit bankar në rajonin e EQLJL-së. Kjo anketë kryhet dhe menaxhohet nga departamenti ekonomik i BEI-t, dhe është pjesë përbërëse e një sërë raportesh të hartuara së bashku me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankën Botërore për Vienna Initiative.

Anketa e huadhënies bankare të BEI-t për EQLJL-në, 2023: oferta e kredisë shtrëngohet ndërsa bankat në rajon synojnë zgjerimin mes shqetësimeve të rentabilitetit.

 

 

 

 

 

 

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0