Amnistia për bizneset, ja kush e përfiton dhe kushtet - Business Magazine Albania

Amnistia për bizneset, ja kush e përfiton dhe kushtet


Tatimpaguesit që janë dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykata, për fshehje të ardhurash, evazion tatimor ose kontrabandë, nuk do të përfitojnë nga ligji për faljen e detyrimeve tatimore që do të miratohet së shpejti në parlament.

Projektligji “Për fshirjen e pjesshme të detyrimeve tatimore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë, si dhe procedura e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes së detyrimeve tatimore” parashikon dy lloj faljesh, atë me kushte dhe atë pa kushte për biznesin.Po cilët janë përfituesit e kësaj amnistie që u kritikua nga FMN-ja në muajin qershor? Zbardhen të gjithë përfituesit në draftin e plotë të Ministrisë së Financave. Zbatimi i amnistisë sipas draftit do të shtrihet në dy periudha; falja pa kushte për detyrimet e krijuara para 2011-ës dhe falja me kushte për detyrimet pas 1 janarit 2012. Ndërkaq, tatimpaguesit të cilët sipas një vendimi të administratave përkatëse, nuk përfitojnë nga falja sipas këtij ligji, kanë të drejtë të ankohen në Gjykatën Administrative sipas legjislacionit të fushës në fuqi.

Falja pa kushte
Në faljen e detyrimeve tatimore pa kushte, neni 5 i amnistisë përcakton jo vetëm gjobat, por edhe tatimin dhe kamatëvonesat përpara dhjetorit 2011, pavarësisht datës së konstatimit të tyre, duke përjashtuar nga kjo falje detyrimet për kontributet shoqërore dhe shëndetësore si dhe rastet kur në këtë ligj përcaktohen ndryshe.
Sipas relacionit, siç janë gjobat që falen pa kusht, janë gjithashtu edhe detyrimet tatimore, kamatëvonesat dhe dënimet për tatimpaguesit që rezultojnë të çregjistruar nga QKR/QKB, me vendim gjykate ose pranë administratës tatimore. Përfshihen edhe gjobat, të llogaritura automatikisht nga Tatimet në masën 10 mijë lekë për çdo deklaratë të dorëzuar me vonesë. Për detyrimet doganore, falen pa kusht ato para dhjetorit 2011, përfshirë detyrimet që aplikohen në import.

Falja me kushte
Projektligji parashikon në nenin 6 detyrimet që falen me kusht. Sipas relacionit, për detyrimet pas dhjetorit 2011, falet 30% e tatimit të papaguar, kamatëvonesës dhe gjobës, me kusht që 70% e detyrimit dhe kamatëvonesat për to të paguhen brenda datës 31 mars 2017. Falen me kusht gjobat që janë pjesë e detyrimeve në doganë, me kusht që detyrimet që paguhen në import të tilla si taksa doganore, TVSH, akcizë, taksë ambalazhi, taksa qarkullimi, taksë karboni dhe detyrimet e akcizës dhe interesat e lidhura me to, t’u përkasin periudhave pas datës 31 dhjetor 2011 dhe të paguhen brenda datës 31.03.2017.Sipas relacionit, falen me kusht gjobat që janë pjesë e detyrimeve të pagueshme në doganë, për mjetet të cilat kanë hyrë në territorin doganor shqiptar në mënyrë të parregullt nën regjimin e lejimit të përkohshëm, me kusht që detyrimet që paguhen në import, si TVSH dhe interesat e lidhura me to, të paguhen brenda datës 31 mars 2017.

Detyrimet tatimore që falen pa kusht
1. Detyrimet tatimore sipas pikës 1 të nenit 2 të këtij ligji, që rezultojnë të papaguara dhe që u përkasin periudhave tatimore dhjetor 2011 e më parë, pavarësisht datës së konstatimit apo evidentimit të tyre, por që rezultojnë të regjistruara në llogarinë e tatimpaguesve në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, përveç kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë ligj.

2. Dënimet administrative (gjobat) për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të aplikuara sipas ligjit nr.9920, datë 19.08.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, që u përkasin periudhave tatimore dhjetor 2011 e më parë.

3. Janë gjithashtu objekt i faljes sipas këtij neni, detyrimet tatimore të mëposhtme që janë të regjistruara në llogarinë e tatimpaguesit në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji pavarësisht periudhës që i përkasin:

a. detyrimet tatimore përfshirë tatimin/kontributin/taksën, kamatëvonesën dhe dënimet administrative për tatimpaguesit persona fizikë ose juridike, të cilët rezultojnë të çregjistruar nga QKR/QKB, me vendim gjykate, ose që janë të çregjistruara në administratën tatimore.

b. Dënimet administrative (gjobat) tatimore, përfshirë edhe dënimet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të llogaritura automatikisht nga sistemi për deklarim të vonuar sipas nenit 113 të ligjit nr. 9920, datë 19.08.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.

c. Janë objekt i kësaj pike edhe dënimet administrative për deklarata të padorëzuara me kusht që çdo deklaratë e padorëzuar të dorëzohet deri në datën 31.12.2016.

Detyrimet tatimore që falen me kusht

1. Detyrimet tatimore të papaguara sipas pikës 1 të nenit 2 të këtij ligji, që u përkasin periudhave tatimore duke filluar nga janar 2012, të evidentuara në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, falen nëse tatimpaguesi brenda datës 31.03.2017 paguan 70% të tatimit/taksës dhe kamatëvonesës përkatëse.

2. Dënimet administrative (gjobat) për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të personave fizikë dhe juridikë, që janë të evidentuara deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe i përkasin periudhës pas dhjetorit 2011, falen me kushtin që kontributi i papaguar dhe kamatëvonesat përkatëse, pavarësisht periudhës që i përket, të paguhet brenda datës 31.03.2017. Dënimet administrative të aplikuara sipas nenit 119, pika 2 të ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, i nënshtrohen faljes sipas kësaj pike, me kushtin që të jenë të evidentuara ose të regjistruara në llogarinë e tatimpaguesit deri në datën 31 korrik 2016.

3. Dënimet administrative (gjobat) që nuk aplikohen mbi një lloj tatimi/kontributi/takse të papaguar, të cilat janë dënime për kundërvajtje administrative tatimore sipas kreut XIV të ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, si dënime pa tatim, ose dënime të aplikuara sipas ligjeve të veçanta tatimore, që u përkasin periudhave tatimore duke filluar nga janari 2012, të evidentuara ose regjistruara në llogarinë e tatimpaguesit deri në datën 31 korrik 2016.

4. Me qëllim përfitimin e faljes së gjobave sipas këtij neni, kushti i pagesës së detyrimit tatimor të papaguar prej 70% të përcaktuar në pikën 1, llogaritet dhe zbatohet mbi vlerën totale të tatimit dhe kamatëvonesës, për të gjitha detyrimet që i përkasin të njëjtit tatimpagues.

burimi: acp.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0