Vjoldi Danaj, themelues i Excellence Solutions
Vitet e fundit gjithmonë e më shumë po dëgjohet të flitet për inovacionin dhe kreativitetin. Nuk ka shpëtuar as Shqipëria nga kjo dukuri, shumë njerëz kanë filluar të abuzojnë me këto terma dhe e paraqesin veten e tyre si “profetë” të inovacionit dhe kreativitetit, pa e kuptuar as vetë se çfarë është njëra dhe çfarë tjetra, ku fillojnë e ku mbarojnë. Pedagogë apo studiues të ekonomisë janë kthyer në “inovatorë” me metodat e vjetra të të shpjeguarit, monologjet dhe populizmin e tyre që asnjëherë nuk bëhen burim risie. Shpeshherë inovacioni dhe kreativiteti përdoren si sinonim i njëra-tjetrës, kur në të vërtetë janë dy gjëra të ndryshme dhe të pandara nga njëra-tjetra.
Mungesa e njërës do të bënte të pamundur ekzistencën e tjetrës. Inovacioni është proçesi që bën të mundur realizimin e një ideje të re, e ardhur falë kreativitetit të individit ose grupit të individëve. Analizat ekonomiko-financiare të tregut, të konsumatorit, kërkimet dhe zhvillimet e mëtejshme të idesë janë hapat që bëjnë të ndodhë inovacioni. Ndërsa kreativiteti është një mënyrë sa më origjinale e të menduarit përtej çdo kufiri ose pengesë që do ta kufizonte atë. Kreativiteti shkon gjithmonë përtej “kornizave” duke shfrenuar imagjinatën e qenies njerëzore. Nëse do të mund të përkufizohej kreativiteti me një imazh, ai do të ishte një tablo kaotike dhe shumëngjyrëshe, që ka nevojë për proçesin e inovacionit për të mos mbetur kaq kaotike dhe e pakuptimtë.
Lexo: Serena Leka, shqiptarja që triumfoi në Samitin Botëror të Inovacionit në Kinë
Kur flasim për “Inovacion” mendja na shkon direkt tek teknologjia dhe me të drejtë sepse teknologjia sot është kthyer në bazën e gjithëçkaje, por inovacioni duhet parë në 360°. Ne çdo ditë jetojmë me mundësi pa fund për të sjellë risi, inovacioni na ndihmon për ta bërë punën tonë sa më të lehtë dhe përmirëson jetën tonë. Ne mund të kërkojmë të sjellim risi në ambientet ku punojmë, në familjet tona, në ambientet ku kalojmë kohën e lirë, në shkolla ose çerdhe, në restorante apo supermarkete, në dyqanet e lagjes dhe pikat e shitjes së karburantit, etj. Të sjellim risi do të thotë që të përmirësojmë një produkt ose të krijojmë një të ri, në bazë të nevojës së konsumatorit, një shërbim, një proçes, krijimin e një nevoje ende të pakuptuar tonën ose të konsumatorit nëse flasim për bizneset. Të gjejmë një mënyrë të re të organizuari ose të ndryshojmë routinën tonë, të ndryshojmë mënyrë tonë të të menduarit, pra të përpiqemi të shtojmë vlerë te gjithëçka që ne bëjmë.
Nëse do të flisnim për inovacionin brenda një kompanie private, atëherë hapi i parë është të njohim në fillim se ku jemi për të kuptuar se ku do të shkojmë. Inovacioni sot është pika kryesore ku mbështeten sipërmarrjet për të ruajtur epërsinë e tyre dhe pozicionin Leader në tregjet ku operojnë. Strategjia e sipërmarrjeve të mëdha europiane për të realizuar misionin e tyre dhe për të vazhduar udhëtimin drejt vizionit që kanë është e lidhur ngushtë me proçesin e inovacionit, ose më saktë mbështetet tek kjo shtyllë e domosdoshme e ekonomisë.
Nëse do të flisnim për strukturën e një shteti, inovacioni duhet të fokusohet në mënyrën se si sillen shërbimet te qytetari, se si menaxhohen burimet ekonomike për rritjen e mirëqenies, se si organizohen institucionet publike për të qenë sa më efikase dhe me rendiment të lartë. Dixhitalizimi është hapi kryesor drejt rrugës së “ndryshimit inovativ”.
Nëse dikush do të më pyeste se a mund të ndodhë e të përqafohet inovacioni gjithandej, përgjigja ime do të ishte “sigurishtë që jo”. Që inovacioni të pranohet duhen të ekzistojnë disa faktorë: në radhë të parë duhet të tregohemi mendjehapur dhe të pranojmë se nuk dimë gjithëçka dhe se ajo që kemi bërë deri më sot mund të bëhet edhe më mirë; të jetojmë në një ambient të qetë, stimulues dhe larg stresit dhe presionit; të mbajmë sa më larg mediokritetin dhe njerëzit e tillë, ta ndjejmë veten pjesë të domosdoshme të grupit shoqërore, të familjes apo të kompanisë ku punojmë; të ndihemi të vlerësuar dhe të pëlqejmë atë cfarë ne bëjmë; kur shpenzimet e bëra për procesin e inovacionit mos të trajtohen si kosto por si investim. Inovacioni ndodh kur elementët e mësiperme realizohen. Inovacioni është proçes i gjatë dhe duhet durim sepse benefitet që ai sjell janë shumë herë më të mëdha sesa mundi dhe investimi.
Jane ende më të pakta bizneset që inovacionin e kanë pjesë te kulturës së tyre dhe në vlerat e tyre bazë kane nxitjen e kreativitetit.
Në Shqipëri sot në shumë sektor si: nxjerrja e mineraleve, fasoneria, bujqësia, transporti, sektori i shërbimeve, etj vazhdojmë të jemi ende te Industria 2.0, ndërsa në botë flitet për Industrinë 4.0, pra për robotikën. Por, edhe në vendin tonë pritshmëritë janë produktive, nëse ka vullnet ndryshimet mund të ndodhin shumë shpejt. Nuk duhet ta kemi frikë ndryshimin, duhet ta përqafojmë atë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.