Shpresa Rupar është trajnere e Programit Neurolinguistik. Pas një serie trajnimesh dhe formimesh, vitin e kaluar ajo zhvilliu trajnimet e para në Shqipëri. Në një intervistë për Businessmag, Shpresa flet për udhëtimin e saj të gjatë, i cili ka nisur që në fillim të viteve ’90. Rënia e komunizmit sipas saj rrënoi ëndërrat e të rinjve, (nëse mund t’i quajmë ëndërra të asaj kohe), ku pritshmëria në anën profesionale ishte thjesht një vend pune deri në ditën e daljes në pension. Me hapjen e kufijve filluan investimet private. Këtu fillon edhe lidhja e saj me sipërmarrjen, ku në këto 25 vite e ka gjetur veten në role të ndryshme, e punësuar, menaxhere, 2 herë si themeluese e kompanive të saj, pavarësisht se sapo ishte diplomuar në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja.
Gjatë kësaj periudhe, Shpresa tregon, “kam kuptuar avantazhet dhe kurthet me të cilat ndeshet biznesi. Natyra ime kureshtare dhe analiste më shtynin të kërkoja shkaqet e rezultateve, gjithmonë me qëllimin e përmirësimit të bilanceve të fundvitit, pasi në fund të fundit, këto rezultate janë ato që pozicionojnë një kompani në treg, si dhe individin brenda një kompanie”. Sipas saj, rezultatet garantojnë stabilitet, siguri, por edhe zhvillimin në nivele të ndryshme.
Artikulli u publikua më parë në faqen 14 të numrit 23 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 23 të saj.
Përmirësimi i rezultateve ka qenë arsyeja kryesore që ka ndjekur studime të ndryshme në fushën e biznesit. Por, njëkoëhëisht është tërhequr fort nga funksionimi i trurit, marrëdhëniet mes njerëzve, komunikimi. Kjo e ka shtyrë të ndjekë seminare e trajnime të ndryshme në Slloveni apo në vende të tjera të Europës.“Gjithësesi kombinimin më të bukur dhe paketën e plotë të të gjitha këtyre, pra mendësia, komunikimi, biznesi, suksesi në shumë nivele, e gjeta me Programimin Neuro Linguistik, të cilin mund ta quaj thjesht një program të përsosmërisë”, thotë Shpresa.
Në kërkim drejt plotësimit, “me NLP-në filloja të kuptoja veten, të analizoja ku dhe çfarë do ishte mirë tc ndryshoja, dhe unë fillova të përmirësoja ato gjëra, të cilat nuk më pëlqenin në sjelljen time, duke filluar që nga gjërat më të thjeshta si lënia e cigares, kujdesi për shëndetin e të tjera. Fillova të punoja me veten në një nivel që deri atëhere nuk e kisha menduar. Falë kësaj pune me veten them se kam arritur nivele, të cilat nuk i kisha menduar kurrë”. Pas ndryshimeve që pa tek vetja dhe pjesëmarrësit e tjerë të grupit dhe pas kritikave dhe komenteve negative që lexonte për Shqipërinë, nga vetë shqiptarët ajo vendos të publikojë një Blog me përmbajtje ndryshe. Qëllimi ishte: të njihte komunitetin shqiptar me këto njohuri ndryshe. “Për të qenë në pozicionin e kritikut është shumë e thjeshtë. Por, duke e ditur që në fakt ndryshimi ndodh, jo duke kritikuar, por duke kontribuar, vendosa të marr këtë pozicion të fundit, pasi Shqipëria më ka formuar. Unë sot jam ky produkt që jam, falë edhe këtij vendi dhe pse të mos jap sadopak kontributin tim. Ndoshta kjo botë e krijuar dhe e gjetur jashtë kufijve të Shqipërisë më hapi rrugën drejt Shqipërisë, drejt shtëpisë, pasi shtëpinë ngado që të shkojmë e mbajmë me vete”, thotë ajo.
Sot ajo nuk është thjesht Life & Business Coach, por Trajnere Ndërkombëtare e Liçencuar nga Insitituti i Programimit Neuro Linguistik, nga bashkëthemeluesi i saj Dr. Richard Bandler. Një udhëtim aspak i lehtë, por me imenjim të jashtëzakonshëm, si kohor edhe financiar. Ajo nuk mendon se mbarojnë investimet personale.
Cilat kanë qenë mësimet më të rëndësishme në jetën tuaj të cilat mund t’i ndani me ne?
Shumë shpesh marr mesazhe të ndryshme “ti je shpresa për mua”, “njerëzit si ty janë shpresa e këtij vendi”, dhe natyrisht i falenderoj të gjithë dhe u jam mirënjohëse. Por, shpresa e këtij vendi jemi ne të gjithë.
Pse e them këtë? Po ashtu si edhe emri im, në jetën time, asnjëherë nuk më ka munguar shpresa. Por, shumë shpejt kuptova se duke u mbajtur vetëm tek shpresa, nuk do kisha shumë shpresa për një të ardhme ndryshe. Unë jam optimiste e lindur dhe sot jam e bindur që ky optimizëm dhe kjo shpresë për një të ardhme më të bukur janë përbërësit e recetës së suksesit tim. Optimizmi më bëri të dal mbi pritshmëritë e shoqërisë shqiptare të viteve 90. Optimizmi më jep shpresa edhe sot për një të ardhme shumë më të bukur për gjithësecilin prej nesh dhe si rezultat edhe për Shqipërinë tonë. Dhe nëse unë, një vajzë e thjeshtë, nga një familje e thjeshtë, nga një qytet i vogël, pa “përkrahje & miq”, të cilët mund të më ndihmonin për të siguruar këtë apo atë kontratë, pa asnjë ndihmë financiare (në ato kohë as kreditë nuk njiheshin), por me optimizmin dhe shpresën time, dhe mbi të gjitha me një punë dhe displinë thuajse ushtarake ndaj vetes, arrita t’ia dal, jam e bindur që edhe kushdo tjetër mundet.
Gjithmonë e theksoj që askush nuk e ka arrritur suksesin i vetëm, as unë. Pavarësisht se ndoshta njerëzit e afërt nuk mund të më jepnin ndihmën finanaciare, mbështetja nga ana e tyre në mënyra të tjera, fjalët e miqve, librat pa fund, këshillat e profesorëve të ndryshëm, kritikat e ndryshme, janë pjesëza të kësaj krijese me emrin Shpresa. Nëse doni të arrini suksesin, cilido qoftë koncepti i suksesit për ju, si në fushën personale apo profesionale, mos hezitoni të investoni tek vetja. Kërkoni ndihmë tek njerëz të ndryshëm. Kërkoni mentorë të fushave të ndryshme. Mos hezitoni t’ju zgjasni dorën njerëzve, të cilët kanë ecur në atë rrugë. Sot e di që, nëse do të investoja në kohën e duhur tek mentorë të ndryshëm, për të më ndihmuar të kapërceja barrierat mentale që kisha brenda vetes, nuk do kisha pasur nevojë të isha aq kritike ndaj vetes sime. Nëse nuk do mbaja me vete valixhen e mbushur me bindje kufizuese, me perceptime të gabuara për veten, ky udhëtim do ishte shumë më i bukur, shumë më i lehtë dhe shumë më i thjeshtë. Në fund të fundit bukuria qëndron tek vetë udhëtimi dhe jo tek rezultati përfundimtar, tek stacioni i fundit, nëse mund të themi që arrijmë diku; – në fund të fundit ku është ajo diku, kur?!
Puna e viteve të fundit më ka lidhur me shumë raste kur njerëzit vetëm me pak punë me veten, kanë arritur atë që deri dje u dukej e paarritshme. A do të ishte mrekulli të shfrytëzojmë gjithë potencialet tona të brendshme për të arritur ato çfarë dëshirojmë? Vetëm me individë të shëndetshëm do të kemi familje të shëndetshme. Vetëm me familje të shëndetshme do kemi shoqëri të shëndetshme. Kjo shoqëri e shëndetshme sot, është baza për një të ardhme të shëndetshme mot.
Ju jeni më konservatore kur flitet për qëndrimin pozitiv. Pra, nuk mjaftoheni me seanca motivimi. Ku duhet të burojë qëndrimi pozitiv sipas jush dhe si duhet ushqyer?
Po! Jam paksa konservatore në këtë drejtim. Seminaret motivuese janë super fantastike. Të gjithë, në momente të caktuara, kemi nevojë për këto seminare. Por çfarë ndodh pas një jave, pas 2 javësh kur nuk kemi dikë që të na motivojë apo nuk mundemi të jemi pjesë e seminareve?!
Këto seminare, nga njëra anë janë tepër të dobishëm, pasi hapin një dritare të re brenda hartës sonë të brendshme. Por, efekti i tyre zgjat po aq sa fishekëzjarret e natës së ndërrimit të viteve. Sot, kur jemi të bombarduar me video motivuese, disa njerëz kanë krijuar një varësi të re, presin motivimin nga jashtë.
Me NLP-në, një nga pikat kryesore që u mësojmë pjesëmarrësve të trajnimeve është pikërisht se si të gjejnë motivin brenda vetes, edhe atëhere kur nuk gjejnë arsye të çohen nga krevati. Edhe vetë psikologët kanë arritur në konkluzionin që, nëse jeta dhe lumturia jonë varet nga rrethanat e jashtme, kjo nuk është më jeta dhe lumturia jonë. Duke pasur pritshmëri nga më të ndryshmet nga njerëzit që na rrethojnë, sapo ndeshemi me sfidën e parë dorëzohemi. Pakënaqësia në vetëvete mbart shumë probleme dhe kjo pakënaqësi, na detyron të kërkojmë kënaqësi pas kënaqësie, kënaqësira që shpesh kthehen në vese dhe deri në varësi, ashtu si dhe motivimi nga jashtë. Qëndrimi pozitiv buron tek motivimi i brendshëm, tek ajo se pse ne bëjmë atë që po bëjmë. Pas kësaj PSE-je fshihet një shkencë e tërë dhe këtu shpesh, pavarësisht mendimit pozitiv, pavarësisht librave motivues apo të psikologjisë pozitive, pavarësisht seminareve apo videove motivuese, – që absolutisht janë super fantastike dhe asnjëherë askujt askujt nuk i them që të mos i ndjekë, dëgjoj apo lexoj që, njerëzit ngecin, nuk e dinë se cili është hapi tjetër, si dhe ku ta kërkojnë motivin brenda vetes”.
Por, pse ndodh kjo? Sepse pozitiviteti nuk është si bateria që mund të karikohet nga jashtë, sa herë ajo boshatiset. Pozitivitetin e ushqejmë vetë çdo ditë me rezultatet që arrijmë. Kur nuk arrijmë rezultatet që dëshirojmë, sado libra të lexojmë, sado të ndjekim seminare motivuese, ne nuk ndihemi të plotësuar, jemi të zhgënjyer nga jeta, nga vetja. Ndjenjat e brendshme diktojnë veprimet tona dhe veprimet, sjellja, qëndrimi, vendimet ndikojnë tek rezultatet tona, pa marrë parasysh se në cilën fushë. Me NLP-në, ne e trajtojmë njeriun edhe në anën spirituale. Kjo për ne do të thotë që e trajtojmë njeriun në mënyrë holistike, pra në 4 nivele:
- Niveli emocional,
- Niveli mental,
- Niveli i sjelljes,
- Niveli spiritual.
Nga përvoja juaj si coach, a mund të ndani fenomene apo zhvillime me interes për sipërmarrësit e rinj shqiptarë lidhur me mendësinë e të bërit biznes?
Sipërmarrja në Shqipëri ka mundësi të pafundme. Tregu ka nevojë thuajse në të gjitha fushat. Fuqia punëtore është ende shumë, shumë e lirë në krahasim me vende të tjera të Europës dhe besoj se do vazhdojë të jetë e tillë disa vite.
Cilat janë fushat më me interes dhe çfarë mund t’u sugjeroni sipërmarrësve të rinj?
Është pyetje e vështirë, pasi varet çfarë i pëlqen dikujt, në cilën fushë e shikon veten. Këto përgjigje gjenden vetëm kur punohet me individin ose brenda grupeve të vogla. Personalisht, jam kundër asaj që të ofrojmë diçka si fushë më të sigurt, me perspektivë, me më shumë mundësi, pasi ekonomia e tregut ndryshon çdo moment. Por, absolutisht do t’u sugjeroja të krijojnë aftësi që të mund t’u përshtaten ndryshimeve, pasi vetë zhvillimi kërkon të jemi fleksibël, të punojmë me zgjuarsi. Me këtë dalim përsëri tek rëndësia e zhvillimit të një mendësie të re, ndryshe. Një nga këto programe është NLP-ja, ndryshimi që sjell ndryshimin. Ne kemi fatin që ky program tashmë vjen në Shqipëri pas gati një gjysëm shekulli i testuar në vende të tjera.
Ne rendim shpesh pas suksesit me çdo kusht, ose fokusit vetëm tek puna, për të patur sukses? Në fakt, duket se është e nevojshme të bëjmë shumë më shumë për të krijuar disa ekuilibra. Sipas jush si mund të vendosim baza të forta për të pasur sukses?
Po është e vërtetë që suksesin e shohim zakonisht vetëm tek puna, llogaria bankare, shtëpia, pushimet, pra gjërat e prekshme. Po a është kjo? Për dikë PO është kjo, të paktën në fillimet e tij, pasi njeriu ka disa nivele nevojash:
Nevojat fiziologjike si: uji, ajri, gjumi, nevojat bilogjike, veshjet, një vend ku jeton.
Pasi sigurohen këto të parat, kalojmë tek niveli i dytë, nevoja e sigurisë, ku përfshihen siguria personale, punësimi, shëndeti, pasuria.
Në nivelin e tretë kemi nevojë për dashuri dhe ndjenjën, që i përkasim dikujt apo diçkaje, miqësia, lidhje dashurie, familja, komuniteti, shoqëria, vendi ku jetojmë.
Pas kësaj kalojmë në nivelin e katërt, i cili është vlerësimi apo vetëvleresimi. Fuqia personale vjen nga disa faktorë, respekti, statusi që kemi në shoqëri, liria personale, e cila për mua personalisht është tepër e rëndësishme.
Në Slloveni, ku jetoj shumicën e kohës, nisur nga faktise lirinë e kanë pasur dhe e kanë, nuk i japin shumë rëndësi. Por, e ardhur nga një vend me komunizmin më të egër, dhe duke u nisur nga puna me klientelën shqiptare, shoh që kjo liri personale, liri e zgjedhjes, ende nuk respektohet. A nuk është fatkeqësi që dikush në emër të lirisë në ditët e sotme t’i vjedhë dikujt tjetër lirinë?!
Pas kësaj kalojmë në nivelin e fundit, që sot është kthyer në temën më të përfolur dhe më të diskutuar: Njohja e vetes, vetëaktualizimi apo edhe spiritualiteti. Kjo është e lidhur me dëshirën për të qenë dikush dhe për të dhënë maksimumin nga vetja.
Çfarë ndodh tani me zhvillimin personal dhe çfarë ofroni me programin e Programimit Neuro Linguistik?
Duke analizuar hartën e brendshme, duke punuar me bindjet kufizuese dhe perceptimet e gabuara, ne arrijmë që të krijojmë ekuilibër në të gjitha nivelet.
Drejt asaj çfarë duam të realizojmë ecim paralelisht, pasi ashtu si ka thënë edhe Einstein: “Jeta është si t’i japësh biçikletës. Në qoftë se do të mbash ekuilibrin duhet të lëvizësh”.
Në jetë ky ekuilibër është i arrirë atëherë kur kujdesemi për të pesë nivelet njëkohësisht. Këtë ekuilibër pikërisht e gjejmë duke investuar në zhvillimin personal.
Duke u nisur nga përvoja ime personale dhe e shumë kolegëve, coache e mentorët e mi, them se e bukura e Programimit Neuro Linguistik është se ky program ofron të gjitha këto së bashku, pasi ne edukojmë njerëzit si të ndryshojnë mënyrën e të menduarit dhe duke i aplikuar këto metoda në jetën e tyre të përditshme, ata, jo vetëm që ndryshojnë jetën e tyre, por mund të influencojnë edhe botën që i rrethon.
Në fund, këto gjëra të prekshme (puna, llogaria bankare, makina, pushimet), janë pasojë e këtij suksesi të ekuilibruar. Pyetja më e shpeshtë që marr nga dikush është se cilat janë sukseset e mia.
Zakonisht është në natyrën njerëzore të mos u kushtojmë shumë rëndësi arritjeve tona, por me siguri mund të them që arritja ime më e madhe është familja ime. Kam qenë me fat, që ende pa i njohur nivelet e nevojave, kam arritur të kem një ekuilibër në të gjitha fushat e jetës sime. Gjithësesi, duke qenë edhe në rolin e nënës, vajza ime më ka treguar se çfarë është dashuria e vërtetë. Ajo më ka detyruar të kërkoj mënyra të tjera komunikimi, pasi siç e ka thënë edhe i madhi Dalai Lama: “Atyre që doni jepuni krahë të fluturojnë, rrënjë të kthehen dhe arsye të qëndrojnë”.
Intervistoi A. Muçaj
Artikulli u publikua më parë në faqen 14 të numrit 23 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 23 të saj.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.