Industria e librit ndryshon nga pandemia Covid-19

Industria e librit ndryshon nga pandemia Covid-19


Botuesit, libraritë dhe autorët po përpiqen të përballen dhe të kufizojnë pasojat financiare nga kriza e shpërthimit të koronavirusit. Në këto kohë të izoluara, shumë njerëz merren me leximin, por ashtu si të tjerët, edhe biznesi i librit po përgatitet për katastrofë. Festivalet dhe panairet e mëdha letrare në të gjithë botën janë anuluar. Bibliotekat publike janë mbyllur. Janë anuluar takimet, nënshkrimet dhe prezantimet e autorëve nëpër librari.

Lexo: Italia si Koreja e Jugut: Testim masiv i popullsisë

Ndërsa kriza e shpërthimit të koronavirusit vazhdon të rritet, autorët, botuesit dhe librashitësit po mundohen të përballen dhe të kufizojnë pasojat financiare. Shumë prej tyre druhen se i pret më e keqja, përfshirë të tjera mbyllje dyqanesh, ndërprerje të mundshme furnizimesh në depot dhe qendrat e shpërndarjes, si dhe mungesa të letrës dhe një rënie të kapacitetit të botimit.

“Nuk është çështja se do të shohim thjesht rënie shitjesh,” – tha Dennis Johnson, bashkëbotues i Melville House, entit të pavarur botues me bazë në Brooklyn, i cili e ka udhëzuar personelin që të punojnë nga shtëpia. “Një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë. Askush nuk di ç’të bëjë tjetër, përveçse të koleksionojë dezinfektues”.

Festivali i Shkrimtarëve të Sidneit, i cili zakonisht tërheq rreth 80,000 vetë dhe ishte planifikuar të fillonte në 27 prill, u anulua këtë javë, menjëherë pasi u anuluan panairet kryesore të librave në Angli, Francë, Gjermani dhe Itali. Në Shtetet e Bashkuara, festivalet e librave Los Angeles Times, Tucson Festival of Books, Virginia Festival of Books dhe The Believer Festival në Las Vegas, ishin mes shumë veprimtarive të mbyllura, që tërheqin dhjetëra mijëra lexues dhe mund të jenë vend i rëndësishëm shitjeje për autorë dhe botues.

Të hënën, PEN America njoftoi se po anulonte festivalin World Voices Festival, që do të zhvillohej në fillim të majit në Nju Jork, ku ishin planifikuar të paraqiteshin Margaret Atwood, Zadie Smith, Jenny Slate, Elif Shafak etj.

BookExpo, një panair i rëndësishëm vjetor për botuesit, librashitësit dhe punonjësit e bibliotekave, është ende i planifikuar të zhvillohet në fund të majit në qendrën Jacob K. Javits Center në Nju Jork, shprehen përfaqësues të Reed Exhibitions, organizatorët e kësaj veprimtarie.

Lexo: “Mësonjëtorja Virtuale Mëso Shqip” platforma për mësimbërjen online, ofronë shërbimin pa pagesë
“Ne mbetemi optimistë se mund të marrim masat e duhura, që në fund të majit ta shohim veten në anën tjetër të kësaj historie dhe të vazhdojmë sipas planit,” -deklaroi drejtori i BookExpo në faqen e tyre të internetit. “Gjithsesi, ne do të vazhdojmë të ndjekim udhëzimet dhe masat paraprake të këshilluara nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve”.

Efektet e mundshme afatgjata për shitësit e librave janë serioze. Shumë aktorë të kësaj industrie janë të shqetësuar se libraritë e pavarura do të rrënohen, pasi zyrtarët vendorë dhe shtetërorë po mandatojnë veçimin nga shoqëria dhe po i urdhërojnë disa biznese që të mbyllen përkohësisht.

librat

Mitchell Kaplan, themeluesi i Books & Books, një zinxhir librarish të pavarura në Floridën Jugore, tha se shitjet në dyqanet dhe kafenetë e kompanisë kanë rënë dhe prezantimet e autorëve janë anuluar.

“Ironia te gjithë kjo qendron te fakti, se aftësia jonë për të qenë vende ku mblidhet komuniteti, gjë që i bën shumë librari tepër të fuqishme, është kthyer në problemin tonë më të madh,” tha ai.

Kriza e shëndetit publik dhe pasojat ekonomike kanë goditur në një çast qetësie dhe force relative për industrinë, pas një periudhe ku dyqanet e pavarura në të gjithë vendin ishin rimëkëmbur, shitjet e botimeve ishin stabilizuar dhe ato të audiolibrave ishin rritur. Sipas Shoqatës së Botuesve Amerikanë, krahasuar me vitin 2018, në vitin 2019 shitjet në të gjitha kategoritë u rritën me 1.8 përqind, duke arritur një total prej 14.8 miliardë dollarësh.

Tani, ka të ngjarë që këto fitime të eliminohen, pasi librashitësit po përballen me një të ardhme ekonomike të zymtë dhe të pasigurt. Një numër gjithnjë e më i madh librashitësish të pavarur, i janë përgjigjur krizës së shëndetit publik duke mbyllur dyqanet dhe duke i lënë punonjësit në shtëpi. Të hënën, libraria Strand njoftoi se po mbyllte dyqanin e saj kryesor në Manhattan dhe kioskat e saj në qytetit. Emily Powell, pronari dhe drejtuesja ekzekutive e Powell’s Books në Portland, Oregon, njoftoi se po i mbyllte të pesë pikëshitjet saj, të paktën deri më 31 mars.

Lexo: Covid-19: Qeveria miraton ndryshimet në Buxhetin e Shtetit për vitin 2020

Ndërkohë, disa librashitës të pavarur përfshirë Powell, kanë filluar shkurtimin e personelit. Të hënën, Powell njoftoi punonjësit se do të fillojë shkurtime të pavullnetshme nga puna, pasi të përcaktojë numrin minimal të punonjësve që i duhen për të mbajtur në punë pikëshitjen në internet. Një përfaqësues i sindikatës lokale që përfaqëson 400 punëtorë të Powell, tha se rreth 85 përqind e tyre ishin prekur tashmë nga shkurtimet e përkohshme dhe se kompania ka sinjalizuar që me shumë gjasa do të vijojnë shkurtime të përhershme.

McNally Jackson, një zinxhir i pavarur dyqanesh në Nju Jork, largoi një numër të konsiderueshëm punonjësish, pasi vendosën të mbyllin dyqanet përkohësisht. Në Twitter, kompania tha se kishte pushuar përkohësisht shumë punonjës, teksa “përballet me humbje masive dhe të pashembullta të të ardhurave”, dhe shtoi, “ne synojmë që punonjësit t’i marrim sërish, sa më shpejt që të mundemi.” Një shënim në faqen e kompanisë thoshte se ende po pranojnë porosi me telefon dhe internet, teksa dyqanet janë të mbyllur, por ofrojnë shpërndarjen.

Librari të tjera, që shpesh shërbejnë edhe qendra komuniteti, edhe si biznese, po përpiqen të kompensojnë vajtjet në librari, duke u ofruar klientëve shpërndarje falas. Romancierja Ann Patchett, bashkëpronare e Parnassus Books në Nashville, Tenesi, tha se dyqani i saj po ofron shpërndarje librash dhe transport falas për porosi mbi 50 dollarë dhe po përgatit rekomandime librash me video, për faqen e internetit. “Tani duket si kohë e shkëlqyer, për të lexuar diçka,” tha znj. Patchett.

Edhe Booksmith në San Francisko, ofron transport falas për vendasit dhe ka parë se shitjet në internet janë rritur. “Tani për tani, për të kryer këto porosi, po merremi gjithë ditën dhe pa ndërprerje”, tha menaxheri i dyqanit Camden Avery.

Shoqata e Librashitësve Amerikanë, tha se po lobon me botuesit për të mbështetur dyqanet e pavarura, duke ofruar ulje çmimesh, transport falas për klientët dhe ndër të tjera, heqje të normës së fitimit për titujt e pashitur. Grupe të tjera kanë mbledhur parà, për të mbështetur dyqanet e pavarura të goditura nga problemet. Fondacioni Book Industry Charitable, që ofron mbështetje financiare për dyqanet e pavarura, deklaroi se ofron ndihmë për dyqanet e prekura nga epidemia dhe që nuk janë në gjendje të paguajnë faturat e qirave, apo shërbimeve, si rezultat i pakësimit të shitjeve.

Megjithatë, shumë aktorë të kësaj industrie shqetësohen se humbjet financiare që vijnë nga epidemia do të dëmtojnë mjaft dyqane dhe do t’i detyrojë të mbyllen përgjithmonë. Të tjerë kanë frikë se kufizimet dhe udhëzimet e qeverisë që detyrojnë shmangien e grumbullimeve, do t’i japin një përparësi edhe më të madh faqes Amazon, pasi klientët e mbyllur në shtëpi, po i drejtohen gjithnjë e më shumë blerjeve në internet.

Lexo: Gjatë një pandemie, çfarë do të thotë të jesh vendi më i lumtur në botë?

Një tjetër shqetësim serioz për botuesit dhe autorët është ndikimi i krizës që po prek shpejt Barnes & Noble, zinxhirin më të madh të librarive në Shtetet e Bashkuara, që ndërkohë po vuan. Shefi ekzekutiv, James Daunt, tha se kompania Barnes & Noble po i paraprin një goditjeje ndaj biznesit, edhe pse shitjet në internet kanë pësuar një rritje.

librat

“Ne do të ndeshemi me probleme, ashtu si gjithë të tjerët. Do të jetë tepër sfiduese për shitësit me pakicë, ndoshta më pak për ne të shumicës, “tha z. Daunt, duke përmendur se zakonisht, nëpër librari nuk ka aq shumë njerëz sa në bare dhe restorante. “Në mos të gjitha, ne do të anulojmë shumicën e veprimtarive. Kjo është kohë vërtet e vështirë për çdo shitës pakice dhe pa dyshim, do ta vuajmë edhe ne”.

Shumë autorë janë prekur nga humbja e të ardhurave që vinin nga turnetë e anuluara, tarifat për biseda letrare, honoraret etj.

Në përpjekje për të zëvendësuar turnetë mbi librat dhe për të nxitur ndjenjën e komunitetit, disa po u drejtohen veprimtarive virtuale përmes platformave si Zoom, Crowdcast dhe Instagram Live. Erik Larson anuloi pjesën e mbetur të një turneu të planifikuar në 33 qytete për librin e tij më të shitur, në lidhje me luftën rrufe në Londër, “The Splendid and Vile”; botuesi i tij tani po kërkon mënyra për të transmetuar drejtpërdrejt një bisedë me të dhe po planifikon të postojë një seri videosh të shkurtra në internet, ku autori diskuton procesin e tij të kërkimit dhe shkrimit. Të premten e kaluar, teksa promovonte romanin e tij të ri “The Gringa”, autori Andrew Altschul mbajti një diskutim në Instagram Live, me Twenty Stories, një librari në Providencë, kryeqyteti i shtetit Rhode Island.

Kritiku i artit Jerry Saltz, kishte planifikuar të fliste të martën për librin e tij të ri, “How to Be an Artist”, në librarinë Strand në Nju Jork, por do të dalë në një bisedë të transmetuar drejtpërdrejt në llogarinë Instagram të dyqanit, i cili ka 225,000 ndjekës.

Disa dyqane i shohin veprimtaritë virtuale si zgjedhja më e mirë për të ardhmen e afërt dhe mbase mënyra e vetme për të qëndruar i lidhur me lexuesit dhe komunitetet e tyre, ndërkohë që gjithnjë e më shumë hapësira fizike po detyrohen të mbyllen.

Lexo: OBSH me deklaratë të fortë: Të rinjtë nuk janë të pathyeshëm, virusi mund t’ju vrasë

Libraria Politics and Prose, në Uashington po synon që të gjitha paraqitjet e planifikuara të autorëve, t’i kthejë në veprimtari virtuale, ku shkrimtarët të zhvillojnë biseda mbi librat e tyre përmes videove në internet, nga platforma Crowdcast. “Autorët po vetëizolohen, ashtu si të gjithë ne,” tha Liz Hottel, drejtoresha e veprimtarive dhe marketingut në Politics and Prose. “Jam e sigurt, se ata janë po aq të uritur për dialog kuptimplotë, sa edhe lexuesit.”

Burimi: The New York Times

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0