Fundjava inovative Korça Digital Weekend, një rrugëtim i ri drejt Korça 2.0

Fundjava inovative Korça Digital Weekend, një rrugëtim i ri drejt Korça 2.0


Zhvillimet e avancuara teknologjike dhe të komunikimit janë duke thyer kufijtë biznesit dhe karrierës ‘tradicionale’ duke drejtuar vemendjen drejt qasjeve te reja që rrisin shpejtësinë dhe aksesin ne tregje  globale.  Transformimi dixhital, aftësitë dhe ekonomia dixhitale ishin kryefjala e kësaj të shtune në qytetin e Korçës, në Konferencën “Korça Digital Weekend” organizuar nga Bashkia Korçë, Vigan Group, ICTSlab, ABSA dhe Universiteti i Korçës “Fan S. Noli.”

Si do të ndryshojë transformimi dixhital mënyrën tonë të punuarit? Si të siguroj punësim online? Çfarë është ekonomia dixhitale? Pse aftësitë dixhitale janë forca e re e ekonomisë globale? Cila është puna e së ardhmes? Biznesi Elektronik dhe aksesi në tregjet globale e shumë tema të tjera me ishin disa prej dilemave që shoqërojnë të rinjtë sot dhe që morën përgjigje në këtë fundjavë të inovacionit në Korçë.

Nën moton “Korça jo vetëm e bukur, por edhe inovative,” Korça Digital Weekend me pjesëmarrjen e dhjetëra profesionistëve, sipërmarrësve dhe entuziastëve nga komuniteti i teknologjisë në Shqipëri solli disa prej modeleve më frymëzuese për të rinjtë Shqiptarë, të cilët themeluan dhe drejtuan kompani shumë të suksesshme me qasje në tregjet globale.

Në këtë konferencë morën pjesë mëse 200 të ftuar, 30 folës dhe u organizuan dy aktivitete paralele ku shpalos vizioni i Bashkisë Korçë për shndërrimin e Korçës në një qendër të teknologjisë, inovacionit dhe sipërmarrjes.

Në këtë ngjarje :

  • U prezantuan hapësirat, stimujt dhe lehtesitë që Bashkia Korçë është duke ndërtuar per te permiresuar ekosistemin e biznesevete reja ne kete fushe. (Ndertimi I rrjetit te partnereve, mbeshtetja ndaj bizneseve te reja, lehtesi fiskale, hapesira te dedikuara inkubatori, nxitje e cultures digjitale, fond I dedikuar per zhvillimin e sektorit, etj)
  • U shpalosen mundësitë per te rritur aftesitë digitale dhe për tu bërë menjëherë pjesë e tregut të punës
  • Tregoji mbi avantazhet lokale në epokën e dixhitalizimit global (I cili mundëson punësimin në mënyre të pavarur për të ngritur biznesin personal dhe punen ne disance)
  • U prezantuan disa shembuj frymezues dhe kompani te njohura që do te zhvillojnë operacionet në rajon për të krijuar vende pune menjëherë,

 

Në fjalën e tij hapëse në Korça Digital Weekend, Kryetari i Bashkisë së Korçës z. Sotiraq Filo tha se kjo konferencë u jep të rinjve të gjitha arsyet e nevojshme për të qëndruar, jetuar dhe punuar në Korçë duke pasur mundësi dhe shanse të barabarta me çdo të ri më Shqipëri dhe më gjerë.

Ai vuri theksin tek Korça si një treg i vogël, i cili ofron më pak mundësi rritjeje dhe punësimi krahasuar me metropolet si, Tirana apo Durrësi. Por, falë teknologjisë mund ta ndryshojmë këtë realitet. Z. Filo u bëri thirrje të rinjve dhe rejave të qëndrojnë në Korçë dhe falë këtij programi fushat e mundësive do të zgjerohen për të siguruar akse në tregjet globale.

Një prej synimeve të këtij programi ka qenë edhe ndërtimi i një rrjeti partnerësh me universitete, organizata, kompani e biznese të ndryshme të fushës së teknologjisë. “Bashkia e Korçës do të ndajë një fond të konsiderueshëm për të mbështetur të rinjtë e këtij programi dhe të vërë në dispozicion infrastrukturën publike si biblioteka të cilat do të shndërrohen në hapësira pune,” vijoi ai.

Lexo: Inovation Nest, drejt lidhjes së startup-eve me investitorë engjëj

Ish zëvendës Kryeministri i Republikës së Shqipërisë z. Niko Peleshi shprehu entuziazmin e tij për organizimin e një konference të tillë në qytetin e Korçës dhe shprehu bindjen e plotë se Korça nuk do të jetë thjeshtë një pasarelë aktivitetesh të tilla, por edhe atelieri i inovacionit.

“Duam që në Korçë të ndërtojmë punishtet e artizanëve të inovacionit”, tha ai gjatë fjalës së tij. Ai tha se ky moment është stacionar për Korçën, e cila pas 10 vitesh program për rigjenerimin e bazës infrastrukturore, kulturore, artistike, sportive e turistike e ashtuquajtura Korça 1.0, tani është momenti për një rrugëtim të ri, drejt stacionit Korça 2.0. “Nuk e bëjmë dot Korçën një vend më të mirë për të jetuar dhe punuar me thirrje patriotike, por duke sjellë botën në Korçë dhe Shqipëri,” tha z. Peleshi.

Fjalë përshëndetëse e z. Filo dhe z. Peleshi i parapriu një lidhjeje direkte nga San Francisco me një histori korçare suksesi në Silicon Valley dhe që sot punon për rrjetin social Facebook Heraldo Memelli. Ai tha se, ka me dhjetëra mundësi sesi të përvetësoni aftësi teknike thjeshtë përmes internetit dhe të punoni nga komforti i shtëpisë, diçka që në vitin 2004, kur ai i hyri programimit nuk e kishte.

Në pjesën e parë të ditës Kushtrimi Shala, Dritan Mezini, Albi Zhulali dhe Agi Haxhimurati ndanë me pjesëmarrësit eksperiencat e tyre, këshilla dhe një panoramë e asaj çfarë e pret botën në dekadën e ardhshme, një dekadë transformimi dixhital dhe inovacionit. Bashkëthemeluesi i Albanian ICT Awards, Kushtrimi Shala ndau disa refleksione rreth Forumit Ekonomik Botëror që u mbajt në Davos e cili temë kryesore kishte teknologjinë. “Deri më 2030, 1 miliardë e punëve në mbarë botën, ose 1/3 e punëve, do të transformohen me teknologjinë,” tha Ai.

Dritan Mezini, bashkëthemelues i DuaPunë.com, hodhi dritë mbi dilemat se a jemi gati ne për sfidat e të nesërmes. Albi Zhulali, themelues i platformës Softmogul foli për eksperiencën e tij të themelimit të një biznesi nga një biznes për krijimin e uebsajteve tek turizmi dhe themelimi i Softmogul.

Ekspert në dizajn, brandim dhe komunikim, Agi Haxhimurati thotë se ne nuk presim frymëzim që të bëjmë diçka, ne e bëjmë dhe frymëzojmë të tjerët. Pjesa e dytë e ditës nisi me një panel i përbërë nga Veton Kurtsmajlaj, Dritan Pecini, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Eljona Kosta dhe Fiordi Pernaska me tematikën Si do të harmonizohen kapacitetet e Shqipërisë Digjitale me ekonominë globale? Në prezantimin e radhës, Driton Musolli, bashkëthemelues i Transmogul ligjëroi nga eksperienca e tij sesi të përfitojmë maksimalisht nga rrjeti i kontakteve dhe tha çdo arritje që e kemi si kompani dhe ekip në të ka kontribut edhe kontaktet e takimet e shkëmbimet e eksperiencave që kemi pasur me njerëz të tjerë.

Anisa Berisha nga programi UK Albania TechHubProgramme dhe Fiordi Pernaska, CEO i VIP TIE ndanë eksperiencat e tyre me studimet, kërkimin për punë, menaxhimin e themelimin e një kompanie nga Shqipëria. Në Korça Digital Weekend, startupi PleXusvr pjesë e edicionit të parë të Uplift Albania demonstroi për pjesëmarrësit lojën e realitetit virtual. Renato Toni vuri theksin tek potenciali që ka realiteti virtual dhe zbuloi se nga Uplift Albania mori një investim prej 50,000 dollarë.

Lexo: 7 pyetje inovative që duhet t’ia bëni skuadrës tuaj

Në kuadër të themelimit të platformës Global Digital City nga Vigan Group, Arjodita Mustali prezantoi një workshop për të gjithë të rinjtë që kanë një ide duke i ftuar ata t’i prezantojnë. Gjatë këtij aktiviteti, të rinjtë prezantuan, zhvilluan dhe përpunuan me mentorët në formatin e një boot-camp. 10 idetë më të mira prezantuan për 60 sekonda në skenën e Korça Digital Weekend.

Laidi Ferruni u bëri thirrje të rinjve që të shesin produkte online në çfarëdo platforme që nga Facebook apo Instagrami. Sipas tij, kjo ul kostot dhe është e lehtë të nisësh sot një dyqan online krahasuar me 10 vite më parë, kur ai e nisi diçka të tillë. Si të ndërtojmë një të ardhme, ku mund të përballojmë çdo sfidë? Kjo ishte pyetja e Arjodita Mustalit për audiencën. Ajo tha se fatkeqësia e një vendi nuk janë njerëzit e këqij por njerëzit e mirë që nuk flasin duke inkurajuar të rinjve të shprehin idenë e tyre dhe ta komunikojnë atë. Ekonomist apo inxhinier, Dr. Ilir Çapuni thotë se gjithnjë ka zgjedhur të dytën. Një teknologji që na mungon sot dhe na e bën jetën më të mirë nesër ajo është teknologjia e të ardhmes tha ai.
“Nga Korça duhet t’u themi të gjithë të rinjve, që ëndërrojnë se mund ta bëjmë këtë gjë edhe pa iku nga Shqipëria”, tha Arbër Çepani. Florensa Haxhi, Ersenilda Elezi, Edmond Alla, Gerdi Boshnjaku dhe Rafail Prodani diskutuan mbi nismat qe qeveria Shqiptare po ndërmerr ne fushën e inovacionit dhe teknologjisë, rëndësinë e njohjes se sektorit dhe financimit te tij në një panel për 30 minuta. Mërgimi Cahani, themelues i motorit të kërkimit në gjuhën Shqipe Gjirafa.com tha se ajo që na shtyn ne të zgjohemi herët në mëngjes është ndërtimi i ekonomisë dixhitale në Shqipëri. CEO i SmartWork Gjergji Robo dhe CEO i Baboon Genti Selenica prezantuan kompanitë e tyre dhe sfidat që u përballën në themelimin e tyre ndërsa Alqi Puli shpjegoi ekosistemin e startupeve dhe funksionin e tij në një qytete inteligjent “Smart City”.

Në momentin final të Konferencës Korça Digital Weekend, erdhi prezantimi i 10 ideve të cilat u zhvilluan gjatë aktivitetit. Disa prej ideve të prezantuara ishin krijimi i turneve të lojërave, krijimi i një poli urban për teknologjitë kreative, një platformë për zgjidhjen e problemeve, vendosja e hartave në qytet për turistët, hapja e një dyqani online me produkte të dizajnuara in-house.

Në fund të aktivitetit u ofruan 19 vende pune nga Baboon, Smartwork dhe DuaPunë ndërsa partnerë të tjerë ofruan trajnime dhe mbështetje për të rinjtë. ICTSlab ofroi trajnim në vlerën 400 euro për dy fituesit duke u mësuan programim në disa platforma.

Lexo: Kushtrim Shala, Uplift Albania akseleratori që ju duhet startup-ve shqiptare
Korça Digital Weekend është pjesë e platformës Global Digital City, e cila do t’u ofrojë një mundësi sipërmarrësve të rinj të mësojnë dhe zgjerojnë njohuritë e tyre që të punojnë në mënyrë të pavarur, të nisin një biznes dhe t’u përshtaten kërkesave dhe nevojave të tregut. Konferenca iu dedikua çdo të riu me ambicie, sipërmarrësi të ri, profesionisti që kërkon të zgjerojë më tej aftësitë e rij dhe çdo organizate, e cila dëshiron të bëhet pjesë e programit të Bashkisë Korçë, për të ndërtuar një ekosistem të favorshëm për nxitjen e biznesit, inovacionit dhe kreativitetit.

Përmes këtij aktiviteti synohet inkurajimi dhe mbështetja e nismave sipërmarrëse me vlera, profesionistëve dhe organizatave, duke i ftuar të bëhen pjesë e një misioni të ndërmarrë për të ndërtuar një ekosistem të favorshëm që ushqen inovacion dhe kreativitet.

PCWorld Albanian

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0