Ekipi D3c0ders në Këndin Amerikan në Tiranë, nën udhëheqjen e Matilda Vangjeli kanë fituar kupën e vendit të parë në Samitin Technovation Girls World Pitch. Vajzat krijuan GjejZa, një aplikacion që ndihmon gratë të luftojnë dhunën me bazë gjinore. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri dhe zyrtarë të Bashkisë së Tiranës kanë përgëzuar ekipin, duke theksuar se ato i bënë shqiptarët krenarë dhe treguan fuqinë e vajzave!
GjejZâ është aplikacioni i grupit D3c0ders, përfaqësuar nga 3 vajza gjimnaziste në Silicon Valley, San Francisco këtë muaj.
Por çfarë është Technovation Challenge?
Çdo vit, Technovation Challenge fton grupe vajzash nga e gjithë bota që të përdorin aftësitë e tyre për të zgjidhur probleme të komunitetit ku jetojnë nëpërmjet teknologjisë. Technovation u ofron vajzave në mbarë botën mundësinë për të mësuar dhe fituar aftësi për t’u bërë lidere të së ardhmes në fushën e teknologjisë. Çdo vit vajzat organizohen në ekipe, identifikojnë një problem në komunitetin e tyre dhe përpiqen që ta zgjidhin.
Ato punojnë bashkë në grup për të ndërtuar një aplikacion mobile dhe një plan biznesi për të lançuar aplikacionin. Këto grupe duhet të plotësojnë disa detyra: një prototip aplikacioni, planin e biznesit, video dhe të tjera detaje teknike brenda një afati të caktuar. Ekipet që arrijnë të plotësojnë të gjitha kërkesat hyjnë në garë dhe projektet e tyre vlerësohen nga gjyqtarë të huaj.
Gara është e ndarë në dy divizione, për moshat 10-14 vjeç dhe 15-18 vjeç. Në finale kalojnë 6 ekipe për secilin divizion dhe në fund ndahen 3 çmime për secilën grupmoshë. Në këtë rrugëtim ka kaluar edhe projekti GjejZa, që për herë të parë arriti të çojë Shqipërinë në finale. Këtë vit morën pjesë mbi 7200 vajza nga e gjithë bota. Nga Shqipëria arritën të hynin në garë 9 ekipe. 3 ekipe kaluan në gjysmëfinale. Ndërsa D3c0ders u kualifikua në finale bashkë me 5 ekipe të tjera ndër 169 aplikacione që garonin në gjysmëfinale.
Numri i vajzave dhe i grupeve është 5-fishuar që nga viti i parë kur Technovation filloi të organizohej për herë të parë edhe në Tiranë. Tema për mjedisin, vullnetarizmin, punësimin, turizmin apo shëndetësinë e arsimin janë zhvilluar gjatë këtyre 4 viteve nga grupet shqiptare të mbledhura në American Corner Tirana nën drejtimin e mentorëve Meredith Hiemstra, Adrian Horner, Jona e Bruna Rizvanolli. Është pikërisht kjo hapësirë tek Biblioteka Kombëtare e financuar nga Ambasada Amerikane në partneritet me Bibliotekën Kombëtare që është shndërruar në këndin më të mirë të teknologjisë për vajzat.
GjejZâ ka në qendër një program 30 ditor ku çdo ditë përdoruesi thyen një besim të pavërtetë (mit) në lidhje me dhunën, përmirëson shëndetin mendor me anë të ushtrimeve të frymëmarrjes dhe gjen guximin për të kërkuar ndihmë nga histori motivuese të grave të tjera që kanë fituar mbi situata të ngjashme. GjejZâ përmbledh dhe bën më të përdorshme burimet dhe shërbimet, që ofrojnë ndihmë dhe këshillim. Në këtë kategori hyjnë shërbimet ligjore, mjekësore, psikologjike etj. Të aksesueshme do të jenë edhe një sërë mundësish trajnimi dhe punësimi, për të fuqizuar ekonomikisht gratë. Ndihma e menjëhershme mund të kërkohet më lehtë nëpërmjet SOS, kategorisë ku mund të kontaktoni drejpërsëdrejti të gjithë numrat e emergjencës.
E pyetur nga Businessmag për sfidat me të cilat janë përballur deri në finale të Silicon Valley, Dea Rozhani, në emër të ekipit GjejZâ,u përgjigj:
“Në ndërtimin e GjejZâ-s është derdhur shumë punë, qoftë nga ana teknike, permbajtja apo dhe vetë ideja. Këto janë sfida që nuk mbarojnë me finalen, por që do të na ndjekin gjatë gjithë rrugëtimit të GjejZâ-s.
Sfida teknike ka qenë programimi i aplikacionit, pasi duhet të jetë funksional dhe njëkohësisht praktik për t’u përdorur me lehtësi nga çdokush.
GjejZâ ka shumë menu, secila me përmbajtjen e krijuar me ndihmën e shumë prej mbështetësve tanë dhe ekspertëve të fushës, të cilët i falenderojmë jo vetëm për kontributin e tyre profesional por edhe për motivimin që na japin çdo ditë. Ka qenë një proces i gjatë dhe impenjativ.
Por fillimisht, sfida jonë më e madhe ka qenë ideimi i aplikacionit. Fillimet kanë qenë shumë më ndryshe dhe dalëngadalë gjithçka ndyrshoj. Nga çdo takim kemi dalë më të frymëzuara dhe me më shumë ide të reja”.
Ajo ka një mesazh për vajzat dhe të rejat që duan të merren me teknologji dhe të kontribojnë në subjektin e dhunës tek gratë:
“Mos mendoni asnjëherë se krijimet tuaja nuk janë të rëndësishme. Ndryshimet e mëdha fillojnë nga iniciativa të vogla. Mund t’ia fillosh vetë, më pas tek shokët dhe shoqet dhe sa hap e mbyll sytë mund të bëhet diçka gjigande. Nuk është asnjëherë e thjeshtë që fillimisht të bindësh një vajzë të futet në fushën e teknologjisë, pasi konsiderohet gjerësisht si fushë e djemve. Por nëse je e vendosur, puna do të tejkalojë çdo paragjykim të mundshëm, si edhe barrierat e vendit të vogël në të cilin jetojmë.
Edhe sa i përket çështjes së dhunës ndaj vajzave dhe grave, ndryshimi përsëri nis nga vetja. Një nga gjërat më të vështira që kemi hasur me aplikacionin ka qenë sesi t’i bëjmë vajzat dhe gratë të reflektojnë kur gjenden në një marrëdhenie abuzive. Për bashkëmoshataret tona është edhe më e vështirë sepse shenjat e hershme injorohen. Çfarë nis si një shkëmbim fjalëkalimesh në rrjetet sociale, shumë shpejt kthehet në një mjet kontrolli.
Eshtë e rëndësishme që ky mesazh të vlejë sa herë që të jeni në nje situatë të tillë dhe të përcillet tek një e afërme apo shoqe. Parandalimi është një nga mënyrat më të mira për t’iu kundërvënë këtij fenomeni.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.