D3c0ders, grupi që do të përfaqësojë Shqipërinë për herë të parë në Technovation Challenge, Silicon Valley - Business Magazine Albania

D3c0ders, grupi që do të përfaqësojë Shqipërinë për herë të parë në Technovation Challenge, Silicon Valley


GjejZâ është aplikacioni i grupit D3c0ders, përfaqësuar nga 3 vajza gjimnaziste që u vjen në ndihmë grave dhe vajzave të dhunuara, me të cilin Shqipëria do të përfaqësohet në konkursin Technovation Challenge në Silicon Valley, San Francisco në muajin Gusht.

Por çfarë është Technovation Challenge?

Çdo vit, Technovation Challenge fton grupe vajzash nga e gjithë bota që të përdorin aftësitë e tyre për të zgjidhur probleme të komunitetit ku jetojnë nëpërmjet teknologjisë. Technovation u ofron vajzave në mbarë botën mundësinë për të mësuar dhe fituar aftësi për t’u bërë lidere të së ardhmes në fushën e teknologjisë. Çdo vit vajzat organizohen në ekipe, identifikojnë një problem në komunitetin e tyre dhe përpiqen që ta zgjidhin. Ato punojnë bashkë në grup për të ndërtuar një aplikacion mobile dhe një plan biznesi për të lançuar aplikacionin. Këto grupe duhet të plotësojnë disa detyra: një prototip aplikacioni, planin e biznesit, video dhe të tjera detaje teknike brenda një afati të caktuar. Ekipet që arrijnë të plotësojnë të gjitha kërkesat hyjnë në garë dhe projektet e tyre vlerësohen nga gjyqtarë të huaj. Kështu përzgjidhen ekipet gjysmëfinaliste dhe më pas edhe ato finaliste. Gara është e ndarë në dy divizione, për moshat 10-14 vjeç dhe 15-18 vjeç. Në finale kalojnë 6 ekipe për secilin divizion dhe në fund ndahen 3 çmime për secilën grupmoshë. Në këtë rrugëtim ka kaluar edhe projekti GjejZa, që për herë të parë arriti të çojë Shqipërinë në finale. Këtë vit morën pjesë mbi 7200 vajza nga e gjithë bota. Nga Shqipëria arritën të hynin në garë 9 ekipe. 3 ekipe kaluan në gjysmëfinale. Ndërsa D3c0ders u kualifikua në finale bashkë me 5 ekipe të tjera ndër 169 aplikacione që garonin në gjysmëfinale.

Numri i vajzave dhe i grupeve është 5-fishuar që nga viti i parë kur Technovation filloi të organizohej për herë të parë edhe në Tiranë. Tema për mjedisin, vullnetarizmin, punësimin, turizmin apo shëndetësinë e arsimin janë zhvilluar gjatë këtyre 4 viteve nga grupet shqiptare të mbledhura në American Corner Tirana nën drejtimin e mentorëve Meredith Hiemstra, Adrian Horner, Jona e Bruna Rizvanolli. Është pikërisht kjo hapësirë tek Biblioteka Kombëtare e financuar nga Ambasada Amerikane në partneritet me Bibliotekën Kombëtare që është shndërruar në këndin më të mirë të teknologjisë për vajzat.

GjejZâ ka në qendër një program 30 ditor ku çdo ditë përdoruesithyen një besim të pavërtetë (mit) në lidhje me dhunën, përmirëson shëndetin mendor me anë të ushtrimeve të frymëmarrjes dhe gjen guximin për të kërkuar ndihmë nga histori motivuese të grave të tjera që kanë fituar mbi situata të ngjashme. GjejZâ përmbledh dhe bën më të përdorshme burimet dhe shërbimet, që ofrojnë ndihmë dhe këshillim. Në këtë kategori hyjnë shërbimet ligjore, mjekësore, psikologjike etj. Të aksesueshme do të jenë edhe një sërë mundësish trajnimi dhe punësimi, për të fuqizuar ekonomikisht gratë. Ndihma e menjëhershme mund të kërkohet më lehtë nëpërmjet SOS, kategorisë ku mund të kontaktoni drejpërsëdrejti të gjithë numrat e emergjencës.

GjejZâ përfshin 3 elementë kryesorë informimin, shërbimet dhe fuqizmin. Të tre këto elementë përfshijnë disa opsione, të cilat janë plotësuar në konsultim me specialistë të fushës qofshin këto nga administrata shtetërore, por sidomos nga psikologë e terapistë dhe disa organizata që punojnë në këtë fushë. Takimet kanë patur për qëllim të pajisnin me informacion të saktë e të sigurtë përdoruesit e aplikacionit. Ndër personat që kanë ndihmuar dhe mbështetur vajzat janë psikioterapistja Blerta Bodinaku, Anisa Zaçe dhe Marsela Allmuçaj. Takimi me zv/ministren Romina Kuko ishte një frymëzim më shumë për vajzat.

“Në ministrinë e Shëndetësisë gjetëm gatishmërinë për të na ndihmuar jo vetëm nga ish- zv/ministrja Jaku, por edhe nga stafi i përkushtuar. Më tej i përforcuam motivimet edhe me takimin me përfaqësues të Ambasadës Amerikane të cilët gjithmonë kanë mbështetur vajzat gjatë këtyre 4 viteve në Technovation. Dhe sigurisht një takim me drejtues të lartë të UNICEF në Tiranë, na motivoi edhe më shumë. Kemi edhe shumë bashkëpunëtorë të tjerë me të cilët do të vijojmë punën për të përfunduar çdo detaj të aplikacionit,” shprehen për BusinessMag D3c0ders.

Me një kreativitet që karakterizon sot të rinjtë, ato kanë vendosur emrin e grupit dhe të aplikacionit me një domethënie mjaft të veçantë. Gjej zâ do të thotë: gjej zërin, por për ta bërë që të tingëllojë më këndshëm vajzat kanë përdorur gegërishten. E ndërsa emri i grupit ka lidhje me teknologjinë dhe programimit. Në vend të gërmës “e” është vendosur numrin 3 pasi skuadra përbëhet nga 3 persona. Në vend të gërmës “o” vajzat kanë vendosur 0 (zero) për të përfaqësuar numrat binarë. Kuptimi i emrit lidhet me faktin që ato janë 3 vajza që merren me teknologji.


Grupi që ka zhvilluar aplikacionin përbëhet nga tre vajza.  

Dea Rrozhani, 16 vjeç, gjimnaziste në shkollën “Qemal Stafa”. Pasioni i saj është  teknologjia. Merr pjesë në Technovation prej 4 vitesh që prej vitit të parë kur filloi të organizohej në Shqipëri. Prej 2 vitesh drejton vullnetarisht klubin Robotech ku u mëson vajzave ne American Corner Tirana elementet e parë të kodimit dhe të robotikës. Dea është gjithashtu pjesë e ekipit kombëtar të Robotikës që një vit më parë morën pjesë ne Meksikë ndërsa këtë vit do të jenë në Dubai në garat olimpike të First Global. Dea studion piano në kohën e lirë, pikturon dhe lexon autorë klasikë në anglisht ndërsa është pjesë e grupit të debatit të shkollës.

Arla Hoxha – 15 vjeç, gjimnaziste në shkollën “Qemal Stafa”. Arla ka pasion teatrin. Përveç teknologjisë dhe biznesit ka pasion leximin dhe aktrimin. Lexon librat dhe ka krijuar klubin e librit në shkollë. Në Gusht do të udhëtojë drejt Amerikës për të kryer një vit gjimnaz në kuadër të programit të shkëmbimit YES. Ky është viti i dytë që merr pjesë në Technovation Challenge, këtë herë edhe si Student Ambasador.

Jonada Shukarasi – 15 vjeç, mbaroi vitin e parë të shkollës së mesme në gjimnazin Partizani. Këtë vit hapi klubin e librit dhe të debatit për herë të parë në shkollë ku ka organizuar edhe takime të ndryshme me shkrimtarë apo gazetarë dhe gjithashtu ka qenë pjesë e fushatave të bëra në shkollë në kuadër të programit Speak Up. Jashte botës së teknologjisë dhe biznesit, i pëlqen të shkruajë e të lexojë dhe ka pasion drejtësinë dhe kriminalistikën. Ky ishte viti i saj i parë në Technovation si dhe hera e parë që merr pjesë në një program rreth teknologjisë.

Aktualisht aplikacioni është ende një prototip për konkurimin, por në Shtator do të jetë gati për të gjithë përdorueset. Sa i përket konkurimit, vajzat janë pranuar në finale dhe në Gusht do të vijojë gara në Silicon Valley bashkë me 5 ekipet e tjera të divizionit për të rritur.

Në lidhje me pjesëmarrjen në këtë konkurs ato shprehen “Për ne të treja, pjesmarrja në konkurs, por më shumë akoma arritja deri në finale, tashmë nuk është thjesht suksesi ynë. Kanë kaluar disa ditë që kur morëm lajmin e kualifikimit dhe përveç gëzimit për shpërblimin e punës së bërë deri tani, ndiejmë gëzimin e 3 vajzave nga Shqipëria, të cilat arritën finalen në një konkurim global mes 7200 vajzave të tjera nga e gjithë bota. Kjo do të thotë se pas nesh do të ketë të tjera grupe nga Shqipëria që do ta përsërisin fitoren tonë. Dhe ky është një hap shumë i madh, sepse çdo vajzë që e do teknologjinë do të mendojë se në vendin tonë, ky pasion nuk është i pamundur, por është një ëndërr që me punë e pasion bëhet realitet”.

Mesazhet që ato përcjellin janë mjaft të thjeshta dhe modeste “Duam të japim më të mirën, duam të përcjellim mesazhin tonë që vajzat dhe gratë e dhunuara të gjejnë zërin e tyre. Që të jenë vetja, të jetojnë pa dhunë dhe të ndihen të barabarta. Duam që GjejZâ të nisë një ndryshim, dhe ky ndryshim pse jo mund të nisë qoftë edhe nga një celular që sot kushdo e mban në dorë. Nëse GjejZâ do të jetë i dobishëm qoftë edhe për 1 jetë vajze apo gruaje, apo nëse GjejZâ mund të hapë qoftë edhe një dritë në mendjen e tyre, do të kemi bërë shumë për të tashmen dhe të ardhmen”.

Kjo është një mundësi përfaqësimi në një fushë ku vajzat nuk shihen si zonjat e shtëpisë. Teknologjia, kodimi dhe robotika konsiderohen vetëm për djemtë. Në fakt ka shumë vajza jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë që janë po aq të zonja e ndoshta më të mira se djemtë. Problemi është se shumë prej tyre nuk e dinë dhe nuk e kanë mundësinë të zbulojnë pasionin për teknologjinë dhe disa akoma nuk besojnë te vetja se mund t’ia dalin dhe se kodimi apo robotika nuk është vetëm e djemve. Ky është edhe qëllimi i Technovation Challenge, por edhe i American Corner që ofron këto mundësi falas për vajzat. Kushdo që ka dëshirë mund të bëhet pjesë në Janar të çdo viti në American Corner, të formojë grupin, të ketë mentorin e grupit dhe të shfrytëzojë hapësirën dhe pajisjet që ofron Këndi Amerikan.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0