Si ndërmarrje e re, Videosinteza përdor kanalet si GjirafaVideo, Facebook, Instagram dhe Youtube, në të cilat publikon animacione dhe ilustrime kreative të fakteve shkencore dhe shoqërore.
Themeluesja e startupit Hana Arapi, ka thënë për emisionin Pullë në T7 se në Amerikë ka shumë kanale në Youtube të cilat shtjellojnë tema të ndryshme edukative përmes ilustrimit, animacionit apo stories. Prej këtyre kanaleve ajo është inspiruar që të bëjë diçka të tillë edhe në gjuhën shqipe.
E pyetur nga BusinessMag se si po mendojnë t’i tërheqin të rinjtë për t’u familjarizuar me punën e tyre, Hana tha se pas anketave që i kanë zhvilluar me nxënësit klasave VI-IX të disa shkollave fillore në Prishtinë dhe Podujevë, të rinjtë i pëlqejnë më shumë faktet shkencore.
Ajo tha se, “Një prej diskutimeve me nxënësit ka qenë se cilat burime në internet i shfrytëzojnë për mësim. Rreth 95% janë përgjigjur se i referohen Wikipedia-s, kurse vetëm 5% i shfrytëzojnë disa kanale ne youtube dhe platformat si Khan Academy. Nuk është e lehtë t’a sfidojmë këtë nivel kulturor, mirëpo jo e pamundur.”
Sipas Hanës, “Njëra prej formave që e kemi parë se pëlqehet dhe përdoret me shumë është publikimi i fakteve. Për këtë arsye dhe jemi munduar që të përqendrohemi më shumë në fakte të shkurtëra dhe interesante te cilat i postojmë në faqen tonë @videosinteza në Facebook dhe Instagram.”
Hana u shpreh se pavarësisht faktit që puna e tyre ka marrë shumë feedback pozitiv, bashkë me ekipin e Videosintezës janë duke punuar për një qasje më ndryshe të krijimit të videove edukuese. Videot e tyre, edhe pse inovative nga vizualizimi, përsëri tingëllojne si “mësues” shkolle, e kjo nuk ju pëlqen adoleshentëve.
Diçka interesante rreth këtij startupi është fakti që në ekipin e tyre bëjnë pjesë edhe disa vullnetarë dhe kontribues të rinj. Sipas Hanës, që nga fillimi kur është formuar Videosinteza në Upshift – Unicef Innovations Lab Kosovo, kërkesa ka qenë e madhe për punë vullnetare. Është pikërisht kjo ajo që e ka motivuar ekipin e Videosintezës të vazhdojnë me punën e tyre.
Njëra prej arsyeve se pse Videosinteza është tërheqëse për të rinjtë që duan të bëjnë punë vullnetare është përfitimi i aftësive të reja, sepse në Videosinteza çdo gjë realizohet nga ekipi, që prej idesë, skenarit, ilustrimit, animacionit e deri tek muzika. Pjesëtarët e ekipit të Videosintezës kanë mundësi të mësojnë ilustrimin dixhital, animacionin, dizajnin etj. Po ashtu Videosinteza përmes Unicef innovations Lab Kosovo dhe Innovation Centre Kosovo ka përfituar shumë trajnime dhe lidhje biznesi, ku secili person në ekip e ka mundësinë të përfitojë edhe individualisht.
Puna vullnetare vlerësohet shumë në aplikimet për shkollim në shtete të huaja dhe rrit shanset për punësim në të ardhmen.
Sa i përket objektivave për të ardhmen, Videosinteza synon që të bëhet një kanal edukativ online me bazë historinë dhe animacionin.
Shikoni videon e tyre për dobitë që na jep sporti këtu.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.