Stop me kriza! Letra e sipërmarrësve drejtuar politikës - Business Magazine Albania

Stop me kriza! Letra e sipërmarrësve drejtuar politikës


Në një shtet të vogël, apo në tregun global, humoret e politikës rëndojnë njësoj mbi sipërmarrjen private dhe çdo qytetar. Ditët e fundit më shumë se 170 kompani të përmasave ndërkombëtare i kanë nisur një letër të hapur presidentit të SHBA-ve Donalt Trump, duke e ftuar të rimendojë edhe një herë vendimet e tij për tregtinë me Kinën. Ata thonë se ky vendim ka rritur taksat e tarifat e tyre.

Në një cep më të vogël të botës, në Shqipërinë me më pak se 3 milionë banorë, grupimi i sipërmarrjeve të të gjithë sektorëve të ekonomisë i drejtohet politikës po ashtu me një letër të hapur.

Forumi i Dhomave të Tregtisë dhe Shoqatat e Sipërmarrjes private u kanë bërë thirrje drejtuesve politikë në vend të ulin tensionet politike pasi po krijohet një kosto e lartë në ekonomi.

Të shqetësuar nga situata politike, ata u kërkojnë liderëve të partive të gjejnë ZGJIDHJE pa humbur kohë.

“Përvoja nga krizat e mëparshme që ka kaluar vendi ynë gjatë 30 viteve, kanë treguar se gjithmonë është gjetur një zgjidhje, por diferenca është tek kohëzgjatja dhe fatura e paguar. Faturë që e kanë paguar dhe vijojnë ta paguajnë konsumatorët, taksapaguesit dhe e gjithë ekonomia shqiptare”, thuhet në deklaratën e përbashkët të tyre.

Sipërmarrit theksojnë se ka një stepje të shpenzimeve dhe investimeve nga konsumatori vendas dhe investitorët si vendas dhe të huaj.

“Në këtë situatë të krijuar, më shumë nga të gjithë po cënohet sipërmarrja private, si kontribuesi kryesor i zhvillimit ekonomik të vendit, me 85% të prodhimit të përgjithshëm vjetor (GDP) dhe  me punësimin. 9 në 10 shqiptarë sot punojnë në sipërmarrjen private”, thuhet në deklaratën e Forumit.

Në mënyrë që të vijojë prodhimi, ruajtja dhe gjenerimi i vendeve të reja të punës, sipërmarrja sot më shumë se kurrë, ka nevojë për politikat e duhura dhe stabilitetin politik, për të krijuar një mjedis të sigurtë dhe inkurajues për investime.

Shenjat dhe sinjalet e para për shkak të krizës politike janë të dukshme, sipas tyre, në të gjithë sektorët e ekonomisë së vendit, ndërsa duket edhe më e rëndë për turizmin në prag të fluksit të lartë të tij.

“Gjithmonë është e mundur një zgjidhje pa kaluar në përkeqësim. Apeli ynë ndaj elitës politike është që mosmarrëveshjet që keni, zgjidhini duke demonstruar një sjellje të përgjegjshme dhe duke patur në mendje jo interesin e ngushtë partiak dhe të pushtetit, por interesin e shqiptarëve dhe të vendit”, thuhet në forum.

Në letër thuhet:

Në një situatë të tillë politike të krijuar, i sjellim ndërmend klasës politike se:  

-Biznesi vendas dhe i huaj apelon për stabilitet politik, i cili i shërben klimës së mirë dhe qëndrueshmërisë ekonomike të vendit.

-Klima e tensionuar politike ndikon negativisht për të gjithë ato që kanë në planet e tyre  të investojnë në Shqipëri dhe se:

“Sipërmarrja beson vetëm te ligjshmëria dhe dialogu, i cili sjell normalitet, zhvillim dhe integrim!”, mbyllin letrën e tyre grupimet e biznesit.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0