Në një deklaratë për mediat, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve Enton Duro tha se plani është hartuar me asistencën e Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili do të ndjekë në vijimësi edhe zbatimin e kësaj praktike tatimore të trajtimit të riskut me metodologji bashkëkohore.
Me këtë qasje DPT, synon të komunikojë tek tatimpaguesit e këtij sektori, përfitimet që kanë nga deklarimi i saktë i të dhënave tatimore, për të forcuar tek ata bindjen se ligji është i barabartë për të gjithë.
Ky sektor është përzgjedhur pas vlerësimit analitik të deklarimeve të tyre tatimore, si një kategori me risk në përmbushje, formalizimi i të cilit lidhet ngushtë edhe me sektorë të tjerë, si turizmi, tregtia, shërbimet ,etj..
Rreth 14,000 tatimpagues të këtij sektori do të nxiten dhe ndihmohen që të përmbushin në mënyrë korrekte detyrimet, si edhe t’i vetëkorrigjojnë ato, duke reflektuar aktivitetin real që ushtrojnë.
Tatimpaguesit e këtij sektori në të gjithë vendin, do të vihen në dijeni, secili në mënyrë të personalizuar, mbi treguesit e tyre të deklarimit jo korrekt, duke i ndërgjegjësuar mbi problemet, shkaqet dhe pasojat që sjellin deklarimet e pasakta.
“Qëllimi ynë nuk është të penalizojmë, por të marrim angazhimin e tyre për përmbushje në të ardhmen – një tatimpagues korrekt nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Nëse qëllimshëm zgjedhin të mos jenë, atëherë Administrata Tatimore do të vijojë me vlerësimet sipas legjislacionit në fuqi”,- tha Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve z. Enton Duro gjatë deklaratës për mediat.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.